E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria paguan 5 mijë euro gjobën e Strasburgut

 

TIRANE – Qeveria shqiptare paguan gjobën 5 mijë euro të vendosur nga Strasburgu. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave vendosi të ekzekutonte vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për çështjen e humbur nga shteti shqiptar. Bëhet fjalë për vendimin numër 41153/06 të datës 18 dhjetor 2007 “Dybeku kundër Shqipërisë”, ku Gjykata e Strasburgut pasi ka pranuar ankimin e Ilir Dybekut ka vendosur, që ai të dëmshpërblehet me 5 mijë euro nga shteti shqiptar. Duke u mbështetur në paragrafin e parë të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Dybeku u ankua për parregullsitë e proceseve në lidhje me kërkesën e tij për lirim nga burgu ose mbylljen në një institucion të specializuar, të përshtatshëm për gjendjen e tij shëndetësore. Në veçanti ai është ankuar që gjykatat shqiptare nuk kishin mundur t’i jepnin atij një mundësi për t’u kontrolluar nga një psikolog i pavarur dhe i paanshëm, i cili do të përcaktonte natyrën e këtij çrregullimi mendor, duke vendosur atë në një situatë të disfavorshme përballë prokurorit dhe duke mos respektuar parimin e barazisë së mjeteve. Lidhur me dënimin e shkaktuar, ankuesi tregoi se ai ishte ndaluar apo dënuar në kushte të varfra, nga viti 2002 e më tej, kohë gjatë së cilës ai nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor. Ai kërkoi të vendosej në një institucion mjekësor të specializuar në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore dhe gjithashtu kërkoi 500 mijë euro në lidhje me dëmin pasuror dhe jo pasuror të shkaktuar. Meqenëse autoritetet sipas tij, kishin dështuar të zbatonin kërkesën e mësipërme, ai pretendoi një milion euro përsa i përket kësaj kërkese. Strasburgu pas shqyrtimit të çështjes i dha atij të drejtë vetëm në shkelje të nenit 3 të Konventës, ndërsa rrëzoi pretendimet e tjera. Pas kësaj, gjykata detyroi qeverinë shqiptare që t’i paguajë ankuesit brenda 3 muajsh 5 mijë euro, afati i fundit për shlyerjen ishte data 20 gusht. Pas kësaj date pagesa bëhet me interesa.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›