E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni në Vlorë, 4 persona në pranga për 1 kg heroine

 

VLORE – Katër persona u arrestuan mbrëmjen e djeshme nga policia e Vlorës, pasi u kapën në flagrancë në momentin kur do të dorëzonin 1 kg heroinë. Aksioni antidrogë u finalizua në afërsi të shkollës “Ali Demi”, falë bashkëpunimit të forcave të Vlorës me ato të specializuara të ardhura nga Tirana. Gjurmimi i personave të dyshuar ka nisur prej javësh, derisa u zbulua se pasditen e djeshme do të bëhej dhe shkëmbimi. Një javë më parë ka nisur ndjekja e veprimeve që kryenin të dyshuarit, derisa rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, grupet e policisë kanë zbarkuar pranë zonës ku po lëviznin personat e dyshuar, duke ndërhyrë menjëherë në kapjen e 4 prej tyre. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se u ndalua 24-vjeçari Gentian Mërtiraj, nga Vlora, i dënuar më parë me 3 vjet burg për vjedhje, Ervin Lushaj, 21 vjeç 21, nga Mesapliku i Vlorës, xhaxhai i tij, 40-vjeçari Vilson Lushaj si dhe tregtari Ermal Harizaj, 23 vjeç, nga Vlora. Ata ndodheshin në afërsi të shkollës së mesme “Ali Demi” kur po tentonin të shisnin një sasi prej 1 kg lëndë narkotike, e cila dyshohet se është heroinë, e ndarë në dy pako. Sipas policisë, personat ndodheshin në një lokal, pasi drogën e kishte transportuar një prej tyre me motor. Qëllimi i tyre dyshohet se ishte transportimi drejt Tiranës. Menjëherë janë shoqëruar për në komisariatin e policisë, ndërsa forca të tjera janë shpërndarë për kontrolle në banesat e tyre. Aksioni ka vazhduar dhe gjatë orëve të mbrëmjes, por nuk u bë e njohur për gjetjen e ndonjë sasie tjetër droge. Në cilësinë e provës u bllokuan 4 telefona celularë, prej të cilëve do të mund të zbardhen lidhjet e këtyre personave dhe implikimin e tyre. Po ashtu u sekuestruan 3 automjete: një tip “Volvo” me targa italiane, një “Benz” 180 c klas me targa italiane, si dhe një motor “Aprilia”, me targë Vl 601 A. Pritet që pas marrjes në pyetje të merren deklarimet e të ndaluarve, për të sqaruar pozicionin e secilit prej tyre në këtë çështje. Për policinë e Vlorës, fakti i arrestimit në flagrancë dhe përgjimet janë prova të forta për këta persona. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›