E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertizë mendore në burg gruas, vrau burrin

 

TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar mbylljen në qeli deri në përfundim të hetimeve për 28-vjeçaren Vitore Suçi, të akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj Mirash Doda. Veç kësaj, organi i akuzës i kryeqytetit ka kërkuar edhe kryerjen e një analize psikiatro-ligjore për Suçin, ekzaminimin që pritet të bëhet gjatë kohës së hetimit dhe që pritet të jetë pjesë përbërëse e fashikullit për gjykimin e çështjes. Burime nga hetimi pohojnë paraprakisht se, Suçi ka pranuar faktin se ka qëlluar një herë me thikë bashkëshortin në kushte të tronditjes së rëndë mendore, shkaktuar si pasojë e dhunës së vazhdueshme të viktimës mbi 28-vjeçaren dhe prindërit e saj. Prokuroria, e cila ka ngritur akuzën e vrasjes ndaj 28-vjeçares Vitore Suçi pohon pas hetimeve paraprake se krimi i rëndë në familje ndodhi rreth orës 14:00 të tre ditëve më parë në afërsi të Bregut të Lumit. Efektivët e Komisariatit numër 3 të kryeqytetit pasi shkuan në vendngjarje konstatuan se 40-vjeçari Mirash Doda, ishte qëlluar me thikë në banesë dhe më pas ka vdekur në Spitalin Ushtarak, pa arritur të merrte ndihmën e duhur mjekësore. Pas kësaj ka rezultuar se autore e krimit ishte bashkëshortja e viktimës, 28-vjeçarja Suçi, lindur në Mat dhe banuese në Paskuqan, Kamëz. Pas arrestimit së të pandehurës policia bllokoi edhe armën e krimit, një thikë që përdorej për të prerë bukën. Ndërsa gjatë paradites së sotme pritet, që ndaj Suçit të zhvillohet kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë.                                                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›