E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vila 6”, shteti ua grabit pronarëve

Shteti shqiptar i shkon deri në fund historisë së dhurimit të Ambasadës së Kosovës duke shkelur haptazi ligjin me anë të institucioneve të veta në dëm të pronarëve të ligjshëm të truallit mbi të cilin vendoset ndërtesa. 

Ashtu si edhe ishte paragjykuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me anë të një vendimi që mban datën 28. 07 2008, ka rrëzuar vendimin e Zyrës Rajonale të Tiranës për pronësinë e “Vilës 6”, përcaktuar si Ambasada e Kosovës, një godinë që gjendet në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në këtë stad, sigurisht, sërish e përplasur në dyert e gjykatave, ka shkuar historia e një prone të trashëguar, e shtetëzuar nga ish-regjimi komunist, që u duk se më në fund, sipas vendimit me nr: 137 të datës 02.07.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit të Pronave, Tiranë, po shkonte te i zoti. Por në kohën kur ministri i Privatizimeve Genc Ruli nisi procedurat për privatizimin e godinës, për të cilën sipas ligjit pronarët e truallit kishin edhe të drejtën e parablerjes, gjithçka u shkatërrua, pasi në mes, krejt papritur, u fut shteti, apo politika e tij. Kjo ishte koha kur Kryeministri Berisha, të njëjtën ndërtesë, duket pa pasur të dhëna të sakta për pozicionin e pronësisë, ja dhuroi publikisht Qeverisë së Kosovës që ta përdorë si ambasadë. Në këtë pikë nis edhe kalvari i trashëgimtarëve, të cilët gjenden përballë falsifikimeve dhe thyerjeve absurde të ligjit nga vetë institucionet e shtetit, duket të vëna përballë trysnisë së politikës, për të shkuar me të gjitha format në një përfundim: Ti hapej udha me patjetër, duke thyer të gjitha ligjet, vetëm e vetëm që një premtim, ai për Ambasadën e Kosovës, të bëhej realitet.
Ligjet e thyera dhe kërcënimi i trashëgimtarëve
Që shteti në rastin e “Vilës 6” mund të thyente ligjet e veta, pronarët e ligjshëm e paralajmëruan në faqet e shtypit, por edhe përmes mediave elektronike shumë kohë më parë se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) të formulonte dhe ligjëronte vendimin e datës 28. 07. 2008. Një vendim që vinte pak më shumë se 1 vit pas atij të Agjencisë Rajonale të Kthimit të Pronave të Tiranës, që mban datën 02.07.2007. Kjo për faktin e thjeshtëkuptueshëm se pas një kohe kaq të madhe të shkuar, kishte humbur e drejta ligjore e parashikuar me ligj për vazhdimin e shqyrtimit të të njëjtit objekt, pra në këtë rast të pronësisë së “Vilës 6”. Tekstualisht mediat botuan edhe ligjin që bënte këtë parashikim, se nga marrja e njoftimit zyrtar nga ana e Avokaturës së Shtetit kishin kaluar 95 ditë, kur ligji parashikon rekurs vetëm nëse ai bëhet brenda 30 ditëve. I njëjti ligj parashikon se nëse brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit nuk bëhet rekurs, atëherë vendimi i Agjencisë Rajonale përbën titull ekzekutiv për pronën në fjalë. Por edhe pse dokumentet flisnin qartas, edhe pse e gjithë afera e padrejtë u botua në media, Avokatura e Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Kthimit të Pronave, i shkuan deri në fund falsifikimit. Duke parë këtë padrejtësi të shtetit, pronarët e ligjshëm të truallit të “Vilës 6”, kanë lëvizur edhe ata në qëndrimet e tyre. Kështu, këto ditë, me të marrë sinjalin se ka të ngjarë që godina ti dhurohet Qeverisë së Kosovës, ata i kanë dërguar një letër Ministrit të Jashtëm të saj, Zotit Skënder Hyseni, duke e paralajmëruar se pikërisht në momentet e ceremonisë eventuale të hapjes së Ambasadës në Tiranë, bashkëpronarët e truallit, me shumë keqardhje dhe me shumë turp, janë të detyruar të protestojnë në mënyrë të dukshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›