Mediu ka vazhduar kontratat e vjetra të Delijorgjit dhe ka emëruar Ylli Pinarin
Drejtori i MEICO, Ylli Pinari, është emëruar në këtë detyrë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Me gjithë përpjekjet e tij për të mënjanuar lidhjet e veta personale me “arkitektin” e Gërdecit, Ylli Pinari, dokumentet që disponon prokuroria tregojnë të kundërtën. Sipas dokumenteve, Ylli Pinari është larguar në vitin 2004 si drejtor i MEICO-s. Në vend të tij është emëruar në atë kohë Mustafa Xhemali (kolonel). Ylli Pinari kaloi si zv/drejtor i Mustafa Xhemalit. Në vitin 2005, kontrolli i brendshëm financiar i ministrisë propozoi për largim Mustafa Xhemalin. Pas kësaj Pinari mbeti i “komanduar”, por u nxor një urdhër i posaçëm për bllokimin e veprimtarisë së MEICO-s deri pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe emërimit të drejtorit të ri.
Kur Fatmir Mediu është emëruar ministër, Ylli Pinari nuk ka qenë drejtor i MEICO-s, por thjesht i komanduar. Ka qenë lobimi personal i Mediut dhe disa dyshime për korruptim të tij financiar prej Ylli Pinarit që në fillim të punës, që kanë çuar Pinarin drejtor të emëruar të MEICO-s.
Mediu po hetohet për një tokë rreth 40 hektarë, blerë në komunën e Bërxullit, afër rrugës së re të Rinasit, në emër të një miku të tij amerikan së bashku me Pinarin, dhe për disa transaksione të paligjshme me pasuritë e tij.
Nga ana tjetër, prokuroria ka hetuar se si ka vepruar Mediu me kontratat e mëparshme të Delijorgjit. Delijorgji, i cili ka qenë klient i vjetër i kësaj ministrie, por përmes të tretëve, ka pasur një kontratë tip “barter” përmes një kompanie greke.
Kontrata “barter” me kompaninë “Hellenic Vehicle Industry S. A” ka kaluar me VKM të posaçme (gjithmonë kështu bëhej para vitit 2005). Kjo kompani është 51% me aksione shtetërore me qendër në Selanik dhe ka licencën e “Daimler- Chrysler” për prodhimet ushtarake (ndër më seriozet në rajon). Kontrata me ta u realizua 48% deri në vitin 2005 dhe pjesa tjetër më pas. Oferta që ofroi kjo kompani ishte më e larta në historinë e kësaj tregtie. Keqkuptimet për çmimin e “ulët” erdhën, se në kontratë u fiksua fitimi (60 $ për ton), dhe jo çmimi real, pasi kompania në fjalë pagoi edhe koston e demontimit (që është shumë e lartë). Kontrata filloi në vitin 2003. Kur Delijorgji u ndalua për evazion fiskal në vitin 2004, kompanisë që e solli si operator të saj iu kërkua zyrtarisht me letër largimi i tij. Pra, Delijorgji nuk ka pasur ndonjëherë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për këtë çështje. Armatimi dhe demontimi aplikohej vetëm nën garanci ose kompani shtetërore para vitit 2005 (garanci shtetërore do të thotë që kompanitë private silleshin nga shtetet donatore që i paguanin vetë ato për këtë proces).
Gjatë emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, Fatmir Mediu pranoi se e paska çuar në prokurori këtë “kontratën barter” dhe pas “OK” të tyre dhe Kontrollit të Shtetit është realizuar 52% tjetër. Pra, rezulton qartë se Mediu ka përmbyllur kontratën e Delijorgjit dhe i ka ridhënë atij punë të re përmes kontratës vdekjeprurëse të Gërdecit.