Pack: Kartat e identitetit nuk duhet të jepen falas
Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, tha dje se kartat e identitetit nuk duhet të shpërndahen falas.
Ajo tha se çmimi i tyre nuk është i lartë.
Një gjë e tillë është theksuar dhe në dokumentin e përgatitur nga dy delegacionet, ai i BE dhe ai shqiptar. Por një frazë në deklaratë se duhet të përkrahen shtresat e varfra ka bërë që PS ta marrë si konfirmim të qëndrimit të saj.
“Kartat e identitetit janë shumë të lira krahasuar me çdo vend tjetër evropian. Ato janë shumë të lira, 10 euro, dhe ka lehtësira për disa kategori, si pensionistët, ata që marrin ndihmë sociale etj., 6 euro, 4 euro. Ju e dini më mirë se unë. Nëse llogarit se sa herë në vit dikush shkon e merr një certifikatë, e noterizon atë apo bën veprime të tjera me certifikatën, kjo është shumë më e shtrenjtë krahasuar me kartën e identitetit, që është për gjithë jetën. Nëse ju e mbani këtë fakt parasysh dhe opozita e mban këtë fakt parasysh atëherë duhet t’i thoni njerëzve: Ju lutem shkoni dhe aplikoni”, - tha Pack.
Ajo kundërshtoi dhe nismën e PS, duke e quajtur jo korrekte që t’iu thuash qytetarëve që këto karta mund të merren falas.
Pack tha se qytetarët që nuk kanë pará për kartën e identitetit, duhet ta provojnë një gjë të tillë.
“Nëse vërtet dikush nuk ka 4 euro, ai duhet të shkojë të aplikojë dhe të provoje se nuk ka mundësi të paguajë. Nëse kjo është e mundur, OK, por nuk duhet dhënë përshtypja se kjo bëhet falas. Karta identiteti falas nuk ka askund në botë. Ne ftojmë të gjitha partitë edhe mediet të thonë: Njerëz, shkoni aplikoni për kartat e identitetit, por të thuash që për disa muaj këto do të jepen falas, kjo nuk është korrekte”, - tha Pack.
Duke folur në lidhje me çështjen e integrimit dhe aplikimin për në BE, Pack tha se Shqipëria duhet të kuptojë që integrimi në NATO dhe ai në BE janë dy gjëra të ndryshme.
Pack tha se situata ka ndryshuar për sa i përket integrimit dhe Shqipëria duhet të plotësojë kushtet, madje dhe më shumë se Bullgaria dhe Rumania.
Pack tha se Shqipëria duhet ta bëjë tani aplikimin për në BE, duke e quajtur këtë hap si simbolik, ndërsa shtoi se përgjigjja do vijë pas disa kohësh. Pack tha se nuk duhet të bëhet aplikimi pak para zgjedhjeve, pasi cilësohet si një lëvizje elektorale.
“Për sa i përket integrimit të Shqipërisë së pari duhet të them që NATO dhe BE janë dy gjëra të ndryshme dhe s'duhen ngatërruar. Shqipëria ka shënuar arritje dhe ky është drejtimi i duhur për në Bashkimin Evropian. Ju duhet të plotësoni shumë më tepër standarde se Bullgaria dhe Rumania, pasi situata në BE ka ndryshuar për sa i përket zgjerimit”, - tha Pack.
Në deklaratën përfundimtare të miratuar nga dy delegacionet, ai evropian nga njëra anë dhe ai shqiptar nga ana tjetër, i bëhet thirrje ndër të tjera dhe qeverisë shqiptare që të hartojë një plan masash të efekteve të përballimit të krizës ekonomike në vend. Ndërsa një këshillë për kryetaret e bashkive, dhe në veçanti për atë të kryeqytetit, Edi Rama, ishte përgatitja sa më parë e planit urbanistik, mungesa e të cilit në optikën evropiane krijon hapësirë për korrupsion.
PS: Qëndrimi i Pack për kartat, personal
Partia Socialiste përmes Sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, komentoi deklaratat e eurodeputetes Doris Pack se kartat e identitetit nuk duhet të jepen falas.
Dade i quajti jozyrtare qëndrimet e Doris Pack dhe shtoi se me këto lloj qëndrimesh të saj është mësuar Shqipëria. Sipas saj, qëndrimi është personal, pasi në deklaratën e takimit thuhet ndryshe. Dade shtoi se qëndrimi i PS është kuptuar drejt nga delegacioni i BE.
“Me qëndrimet jozyrtarë të Doris Pack jemi mësuar jo ne, por gjithë Shqipëria. Prononcimi i saj i sotëm shpreh një qëndrim personal, por jo qëndrimin e deklaratës, ku thuhet shprehimisht “lehtësira të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që i përkasin kategorive të paavantazhuara dhe vulnerabël” (pra, me të ardhura të pakta).
Kjo do të thotë se shqetësimi ynë është kuptuar drejt dhe ne ripërsërisim propozimin tonë për pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit falas si të vetmen zgjidhje për të mos u hequr qindra-mijëra votuesve me të ardhura të pakta financiare të drejtën e votës e për të shmangur dështimin e zgjedhjeve. Kjo për ne nuk është ende një beteje kundër palës tjetër, por një betejë që duam ta bëjmë bashkë me palën tjetër për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha Dade.
Kryetari i PS, Edi Rama, propozoi para dy ditësh që kartat e identitetit të jepen falas për të gjithë ata që aplikojnë para zgjedhjeve për to. Rama kërkoi gjithashtu që të ndërpritet aplikimi i atyre që kanë pasaporta. Një nismë konkrete ligjore për këtë çështje iu dërgua Kuvendit.
Por kryeministri, Sali Berisha, e quajti të pamundur që kartat e identitetit të jepen falas. Ai tha se ato janë dokumente identifikimi dhe jo karta votimi. Berisha tha se ritmi i aplikimeve është i kënaqshëm.