E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri shikon ëndrra me Teksasin

Nga Antena brenda familjes

Flamuri piu dje kafe me Fatmirin. Donte ta uronte për emisionin te TV “Klan”.

- Ishe i shkëlqyer, - i tha. - Fole rrjedhshëm dhe s’bëre asnjë gabim. Po dhe ata gazetarët të ndihmuan shumë, se s’kishin ku të të kapnin. Sa zili të kam për ato argumentet që gjete. Në fakt, s’më kishte shkuar mendja. I rreshtove të gjitha një për një: “S’kam përgjegjësi për VKM, s’kam përgjegjësi për urdhrin, s’kam përgjegjësi për kontratën, s’kam përgjegjësi për Delijorgjin, s’kam përgjegjësi për Pinarin, s’kam përgjegjësi për ushtarakët, s’kam përgjegjësi për fabrikën, s’kam përgjegjësi për të vrarët.” E qave fare. Në fakt, po e mendoja sot me qetësi dhe thosha me vete: Sa budallenj jemi treguar që jemi trembur në fillim për të vjedhur dhe për të bërë ndonjë lek. Po ç’përgjegjësi kemi ne, kur jemi shefa. Përgjegjësinë e kanë ata poshtë. E qave për Zotin, të kam zili.

- Po jo mo burrë, se këta ia fusin kot. Më thonë mua ke përgjegjësi ti, se ke dashur t’ia japësh që në fillim firmës së Delijorgjit këtë kontratë. Po s’ka lidhje fare mo burrë. Le që ti e di vetë. Mua më tha Zeni: “Kam nja dy miq amerikanë që duan të bëjnë një punë në Vorë”. Dhe në Vorë më thoshte gjithmonë, nuk më thoshte Gërdec. Dhe unë, dhe doktori Gërdecin më 15 mars e dëgjuam. Se ne e dinim në Vorë. Kështu na tha Zeni. “Kam ca miq amerikanë që duan të bëjnë një punë në Vorë”, - më tha. Mirë, i thashë, m’i sill t’ia bëj. Ishte dhe para Vitit të Ri dhe unë do ikja jashtë. I thashë, m’i sill nesër t’i bëj të gjitha brenda ditës. M’i solli, ia bëra tri licenca brenda ditës. ǒdonin më ata? Kur e pashë pastaj Delijorgjin që rrinte me Rrahmanin, e lidha muhabetin. Se rrinin te lokali te Shallvaret, si e ka ky mo përballë Tajvanit? I shihja çdo natë atje dhe mora Zenin në telefon. Ore, i thashë, po ti për Delijorgjin më erdhe mua, o? “Jo, - tha, - është Rrahmani, po është Rrahmani, jam unë d.m.th. Po ka gjetur atë Delijorgjin, se ai merr vesh nga këto punët e ushtrisë. Po mos bëj zë, se po dëgjoi babi për atë Delijorgjin, ma prish punën. Ia themi me takt më vonë.” Ai më siguroi që Delijorgji është kot, se më tha do çoj njerëzit e mi atje. Dhe i çoi. Ku ia jepja unë Delijorgjit?! Kishte një vit Ylli Pinari që më lutej për Delijorgjin dhe s’ia bëja. Ore bleu tokën në Bërxull, pagoi lekë për djalin, prapë s’ia bëja. ǒpunë kisha me atë unë. Pak shokë të mi kam unë në Berat dhe Fier që janë pa punë, pse do ta bëja me atë shkërdhatën?

- Ore, se më kujtove tokën, vërtet ke blerë fermë në Teksas? - tha Flamuri.

- Po jo mor burrë, se duan të më ngatërrojnë me Nazarin. Kur më bleu Pinari këtë tokën në Bërxull, i thashë fute në emër të një miku tim amerikan dhe Nazari tani më dha tokën e tij në Teksas. Po ku kam lekë unë të blej mor burrë. Thashë të bëj ca lekë shpejt e shpejt e të ikim, po ku të lënë këta shkërdhatat.

- D.m.th., ty s’kanë ku të kapin, se s’ke paguar lekë vetë? - tha Flamuri.

- Po jo mo burrë, ku paguj lekë unë. S’kam pagu kurrë lekë. Dhe kur blej veshje në dyqan, marr ata që m’i pagujnë, se s’dua të përdor kredit kartën, se lë gjurmë. Pastaj është dhe Jim që bleu INSIG. Shok i ngushtë i Nazarit. Ka fut dhe ai ca lekë o burrë, se i bëra gjithë këtë nder. Po pse o, pará janë këto, të blesh një fermë në Teksas. E ç’e dua unë fermën në Teksas në fund të fundit. Nder i kam bërë Amerikës, se në këtë krizë që janë, s’ka as shitje, as blerje. Vetëm nëse investojmë ne që kemi ndonjë lek cash.

- Po do na ftosh ndonjëherë në Teksas apo jo?

- Të mbarojmë këtë fushatë o Flamur, se është me spec. Duhet të bëhem deputet patjetër. Po u bëra unë deputet, pastaj është kollaj. Rifitoj imunitetin dhe ikën dosja nga Gjykata e Lartë në Gjykatë të Faktit. Bëhet një rrëmujë e madhe. Pastaj po ma hoqën, ikën prapë nga Fakti në Gjykatë të Lartë. Sorollatet puna nja dy vjet. Po fituam ne, i tredhim mirë këta gjyqtarët. Po humbëm, s’kanë ç’më bëjnë, se bëhem i persekutuar politik dhe bëhem si Fatos Nano pastaj. S’më fusin dot në burg. Unë kryetar republikanësh, Luli kryetar PD-je, të dyve s’na fusin dot në burg. Vetëm kështu shpëtojmë.

- Qenka plan i madh ky, - tha Flamuri. - Aman sa të mbarojnë zgjedhjet dhe të ikim një herë, të më kënaqet syri me tokë, se në Kukës veç male kam pa, o burrë. Të kemi dhe ne një fermë afër Bushit. Pash Zotin, sa larg e ke Bushin?

- S’e di, Nazari më ka thënë jemi afër, po ai e ka më të madhe o burrë se është 250 vjet familje. Ne sa kemi filluar, por për nja dhjetë vjet po vazhduam kështu, e arrijmë. Jemi racë vitale ne.

- Hahaha, e madhe, - tha Flamuri. - Unë them të gjejmë ndonjë udhëkryq ku kalon Bushi dhe të vëmë një tabelë “Fushëkruja’s Farm” që t’i tërheqim vëmendjen. Dhe vjen për 5 minuta ai. T’i bëjmë një surprizë atje, se s’i dihet. Do ketë ndonjë gjë në dorë dhe ai, se një vëlla e ka guvernator, fëmijët i ka të rritur. S’i dihet ç’na del.

- Mirë Flamur, mirë, - i tha Fatmiri, - por po e bën si ai fshatari që doli të shiste vezë me shportë në kokë dhe ëndërronte për zogjtë, dhe nga gëzimi i rrëzoi vezët dhe mbeti pa gjë. Na duhen patjetër zgjedhjet, patjetër unë dhe Luli kryetarë, po humbëm. Pastaj Teksasin e bëjmë këtu ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›