Biberaj: Të përshpejtohen zgjedhjet për degën e Tiranës, të aplikohet “Një anëtar, një votë”
Aleksandër Biberaj, deputet dhe anëtar kryesie i Partisë Demokratike, tha dje se duhet të përshpejtohet fushata e zgjedhjeve partiake për kryeqytetin, si dhe në degët e tjera të papërfunduara, me qëllim përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të PD, por edhe përgatitjen për zgjedhjet e 28 qershorit.
Biberaj propozoi aplikimin e parimit “Një anëtar, një votë” në këto zgjedhje. Deputeti demokrat tha se kjo do ndikonte në rritjen e demokracisë dhe transparencës brenda partisë, si dhe do çlironte energji pozitive.
“Lidershipi i ri i PD Tiranë mund të zgjidhet me parimin “Një anëtar, një votë”, duke u nisur jo vetëm nga rëndësia që ka Tirana, por edhe me qëllim që të fillojë aplikimi i këtij parimi demokratik, si dhe të implementohet një konkurrencë reale ndërmjet kandidatëve, me qëllim fitoren e më të mirit. Aplikimi i këtij parimi do të gjallëronte strukturat e PD Tiranë, pasi demokratët e Tiranës do të ndjeheshin të respektuar dhe të motivuar nëpërmjet votimit direkt për lidershipin e tyre, shprehje kjo e demokracisë direkte në parti. Aplikimi i këtij parimi do të rriste ndjeshëm demokracinë dhe transparencën brenda partisë, do të çlironte shumë energji pozitive, si dhe do të krijonte një klimë bashkëpunimi dhe uniteti, gjë kjo tepër e domosdoshme në prag fushate elektorale.
Parimi “Një anëtar, një votë” është parimi më demokratik, i cili aplikohet si nga Partia Republikane dhe ajo Demokratike në SHBA, por edhe nga të gjitha Partitë Popullore Evropiane”, - tha Biberaj për media.
Ai kërkoi që emri drejtues për Tiranën duhet të jetë një autoritet dhe personalitet me kontribut në PD. Sipas Biberajt, dega e Tiranës është shumë e rëndësishme dhe përcaktuese për zgjedhjet e ardhshme, ndaj dhe emri që do drejtojë degën e Tiranës duhet të jetë përfaqësues i denjë.
“Është tepër e domosdoshme që dega e PD e Tiranës të ketë një lidership të ri dhe të aftë, me autoritet dhe personalitet, me kontribute në PD, si dhe përfaqësues të interesave të demokratëve tiranas, me qëllim që Tirana të garantojë fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Tirana, duke qenë kryeqytet, por edhe duke pasur 32 deputetë në parlamentin e ardhshëm, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi përcakton fituesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pra edhe qeverisjen e ardhshme”, - tha Biberaj.