Nga mbi 100 HEC-e me koncesion, në asnjë nuk punohet, humbjet 15 milionë euro në vit
Nga rreth 140 projekte hidrocentralesh të vogla të dhëna me koncesion deri më tani në asnjërin prej tyre nuk ka nisur ndërtimi, ndonëse për disa prej tyre ishte parashikuar që në vitin 2007 do të niste prodhimi i energjisë. Ministria e Ekonomisë dhe e Privatizimit bën me dije se të gjitha kontratat në njëfarë mënyre janë shkelur, megjithatë tregu i investimeve në energjitikë është një treg i vështirë dhe se ministria është duke iu kërkuar të gjitha subjekteve që të respektojnë kontratat. Çështja e hidrocentraleve të vogla duket e mbyllur dhe ministria e ka pranuar gjendjen, pavarësisht se në strategjinë kombëtare të energjisë ato janë parë si një hallkë e rëndësishme, e cila do të prodhonte deri në 400 milionë kilovatorë në vit, në kohën kur të gjitha hidrocentralet e vogla do të ishin në punë. Banka Botërore në fund të vitit 2005 dhe në fillim të vitit 2006 ndihmoi qeverinë shqiptare të përmirësonte ligjin e koncesioneve dhe të nxiste dhënien me koncesion të hidrocentraleve të vogla në përpjekje për të përballuar krizën e pandërprerë për energji të vendit. Banka gjermane për Zhvillim ofroi një fond parash prej 7 milionë eurosh si garanci, në mënyrë që bizneset të mund të merrnin duke përdorur këtë garanci dhe t’i përdornin kreditë për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Në fakt, kjo gjë nuk solli asnjë zhvillim sa i takon ndërtimit të ndonjë hidrocentrali të vogël, pavarësisht se gjatë këtyre tre viteve u dhanë me koncesion mbi 100 hidrocentrale që ishin projekt dhe disa që ishin ekzistuese, por që kërkonin investime. Është e qartë se licencat janë marrë në mënyrë që ato të shiten në një kohë të dytë, kur interesi për këto hidrocentrale të jetë shumë më i madh. Kjo është thjesht një pazotësi e qeverisë për të vënë në punë burimet e vendit dhe një pazotësi që çon në këtë spekulim. Çmimet e energjisë gjatë këtyre tre viteve të fundit janë rritur në mënyrë pandalshme dhe do të vijojnë ende dhe arsyet bazë kanë të bëjnë me faktin që më shumë se dy miliardë kilovatorë energji elektrike vijnë nga importi dhe kanë çmim të lartë. Nëse qeveria dhe Ministria e Ekonomisë do të bëjnë fakt atë që shkruhet në strategji, sot vendi do të merrte të paktën 300 milionë kilovatorë nga hidrocentralet e vogla dhe kjo është shifër e rëndësishme. Çmimet e importit të energjisë janë mesatarisht 80 euro për megavat, ndërsa kostoja e energjisë së prodhuar në vend me burime ujore është më pak se gjysma e kësaj. Në njëfarë mënyre shteti shqiptar ka humbur vetëm nga diferenca e çmimit rreth 15 milionë euro pa llogaritur vendet e punës dhe investimet që do të kryheshin në vend.