E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: “Çdo cep i Shqipërisë ka prekur ndryshimin”



Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Gazmend Oketa, në takimin me banorët e qytetit bregdetar vlerësoi se Partia Demokratike ka të drejtën morale për të kërkuar mandatin e dytë qeverisës dhe votën e shqiptarëve. Oketa theksoi se çdo cep i Shqipërisë ka prekur ndryshimin. “Jeta e shqiptarëve është bërë më dinjitoze dhe më cilësore”, - tha Oketa. “Partia Demokratike vjen pas 4 vitesh me paga të dyfishuara të mjekëve, mësuesve, pensionistëve. Por nuk është vetëm dyfishimi i pagave, mësuesit dhe fëmijët tanë mësojnë në ambiente me kushte më komode, shqiptarëve tashmë u ofrohen shërbime më cilësore”, - është shprehur Oketa, ndërsa vlerësoi si investimin më madhor rrugën Durrës - Kukës, një rrugë e cila do t’i sjellë ekonomisë shqiptare 60 milionë euro të ardhura në vit.

Berisha u premton banorëve se do ta bëjë Ksamilin bashki

Gjatë turit të tij elektoral, kryetari i PD-së është ndalur dje në Ksamil, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shëtitores së Ksamilit, një investim prej rreth 1 milionë eurosh. Duke vlerësuar këtë investim të rëndësishëm, kryeministri Berisha premtoi vëmendjen e plotë të qeverisë për zhvillimin e kësaj zone dhe shfrytëzimin sa më racional të potencialeve turistike të saj, duke përmendur këtu ndërtimin e një infrastrukture moderne, furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm, mbështetjen e fermerëve të zonës, subvencionimin për projektin e mbjelljes së çdo rrënje ulli etj. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë premtoi se do ta bëjë Ksamilin bashki. “Problemet e Ksamilit janë probleme shumë të rëndësishme për të gjithë vendin, sepse kjo bashki, pasi Ksamili do të bëhet bashki, për shkak të potencialit të madh turistik. Ju garantoj se do të rrisim investimet në këtë bashki”, - është shprehur Berisha. Më tej Berisha mori pjesë në përurimin e ujësjellësit të fshatit Vriceras në Dropullin e Sipërm. Gjatë takimit me banorët Berisha premtoi se “në katër vitet që vijnë do të investojmë në këtë zonë asfaltimin e rrugëve, furnizimin 24 orë me ujë në çdo familje dhe në çdo fshat të zonës suaj. Ju garantoj se do të bëjmë përpjekjet më madhore që çdo pëllëmbë tokë e juaja të vaditet. Ky është një objektiv shumë madhor i qeverisë sime. Do të ndërmarrim ndërtimin e veprave të mëdha ujitëse në të katër anët e vendit”, - është shprehur Berisha, ndërsa bëri thirrje për kthimin e emigrantëve në Shqipëri. “Në klimën e shkëlqyer të biznesit, një pjesë e mirë e djemve dhe vajzave tuaja dhe të mbarë Shqipërisë, që janë nisur në emigracion, do të rikthehen. Më 28 qershor, ju bëj thirrje të ftoni të gjithë fëmijët tuaj në Greqi që të vijnë në Shqipëri për të dhënë votën e tyre, për Shqipërinë europiane”, - është shprehur Berisha.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›