E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu per presidentin Te mos zgjidhet ne minuten e fundit

Republikanët kërkojnë të nisë menjëherë gara për postin e Presidentit të Republikës. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, njëkohësisht ministër në kabinetin “Berisha” thotë për AS që kandidatët për postin e zyrtarit më të lartë të shtetit të fillojnë të shpalosin platformat e tyre. Sipas Mediut, korriku i vitit të ardhshëm nuk është larg dhe për këtë figurat për postin e kreut të shtetit duhet të dalin sa më shpejt,në mënyrë që secili kandidat të ketë platformën e tij përpara se të votohet në Parlament.

“Mendoj që është absurd që vetëm në politikën shqiptare mund ndodh që 10 ditë para se të zgjidhet presidenti I republikës të dalin kandidaturat për president ose të gjejmë një president nga rruga. Nuk ka sens. Në qoftë se flasim për autoritetin më të lartë shtetëror, për presidentin e republikës, ky është një njeri që nuk I ofrohet vetëm politikës, por gjithë shoqërisë shqiptare dhe është mirë që ne të diskutojmë sa më shpejt për kandidaturat dhe vizionet e tyre”- tha Mediu.

Referuar ndryshimit të ligjit elektoral, Mediu thekson që të ndryshohet thelbi i kodit në tërësi. Argumentimi i ministrit të Mjedisit për këtë çështje është se ky kod ka rritur papërgjegjshmërinë e të zgjedhurve përballë elektoratit.

“Ky kod zgjedhor, ky ligj electoral ka atrofizuar politikën shqiptare, ka thelluar konfliktin dhe ka rritur papërgjegjshmërinë e të zgjedhurve karshi votuesve të tyre. Nuk është një ligj I cili bazohet mbi meritën, por bazohet në marrëdhëniet që ndërtojnë njerëz të caktuar dhe të lidershipit politik të partive përkatëse”- tha Mediu.

I njohur si negociatori kryesor në zgjedhjen e kreut të shtetit në vitin 2002 dhe pjesëtar në negociatat për zgjedhjen e presidentit në 2007, Fatmir Mediu kërkon që zgjedhja e zyrtarit më të lartë të shtetit të kalojë në Kuvend me konsensus. Mediu i bën thirrje opozitës në këtë rast të tregohet më objektive duke asistuar në debatin institucional dhe parlamentar.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›