E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji në trafik? Sështë çudi

Merret në pyetje nga FBI-ja Patrik C. Henry III, pronari i shoqërisë “Southern Ammunition Company inc”, i cili ka firmosur në fakt zyrtarisht dy kontrata me “Meico”-n, për çmontimin e municioneve të lehta dhe të rënda. Sipas burimeve nga media amerikane, Patrick C. Henry III vazhdon t’i mëshojë prononcimit të tij të parë, se kompania e tij ishte larguar në 8 dhjetor nga Shqipëria, pasi kishte mbyllur kontratën e parë dhe çuditërisht për mediat e vendit të tij, ai ka deklaruar se ka pasur vetëm një kontratë me qeverinë shqiptare, atë të çmontimit të fishekëve, ndërsa kontratën e çmontimit të predhave ai pohon për median vendase, se e kishte firma “Albademil” e Mihal Delijorgjit, pa deklaruar se dhe në atë firmë ai kishte rreth 25 për qind të aksioneve. Në një shkrim të botuar dje në njërën nga gazetat lokale të Karolinës së Jugut, pjesë e grupit mediatik “Sun News”, thuhet se ka nuk ka të dhëna se “SAC Inc”, e cila operon në një konte të humbur, Horry, në Karolinën e Jugut, të ketë bërë ndonjë gjë ilegale”. Por hetimet e FBI-së që hedhin dyshimi për pika takimi mes fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec dhe shitjes së municioneve jo vetëm të papërdorshme, por dhe prodhime kineze, për ushtrinë afgane nga ana e një ndërmarrjeje shqiptare, çuan hetuesit e FBI-së edhe në “derën” e Patrick C. Henry III. Ishte pikërisht puna e “SAC”-it në Shqipëri, që tërhoqi vëmendjen e FBI-së. Patrik Henri, presidenti i “SAC” tha për mediat amerikane, që ishte kontaktuar nga investigatorët federalë javën që shkoi, por vetëm për prapaskenat e shpërthimit në Shqipëri. “Ne nuk jemi përfshirë në asgjë në Shqipëri, në momentin që ndodhi shpërthimi”, tha javën që shkoi Henry për “The Sun”. Sipas tij, ai e mbaroi punën në 8 dhjetor dhe të gjithë punëtorët e tij u kthyen në shtëpitë e tyre për Krishtlindje. “SAC ka një kontratë me qeverinë për demontimin e armëve me kalibër të vogël, në depot që kishin stoqe artilerie të viteve ‘50, ku bëhet fjalë për armë ruse dhe kineze. Kompania furnizon mbikëqyrësit, si dhe është nënkontraktor me një kompani shqiptare të quajtur “Albademil”, që drejtohej nga Mihal Delijorgji”, deklaronte dje për shtypin amerikan Henry III, i cili mbase ose “harron”, ose nuk ka ende informacion se ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ka vënë në dispozicion mediave dhe grupit hetimor dy kontratat e firmosura mes “Meico”-s dhe “SAC”-it. Më tej, në shkrimin e gazetës amerikane zbulohen dhe të tjera detaje të thëna në prononcimet e pronarit të “SAC”-it. Henry III deklaroi se ra dakord të nënkontraktonte me Delijorgjin, nën nxitjen e Ylli Pinarit, drejtorit të “Meico”-s. “Pinari më tha mua, se Delijorgji kishte çmontuar 800 tanke dhe se do të ishte një biznes i mirë, pasi ai kishte bërë kësi punësh edhe më parë”, - deklaroi dje për median Henry III. Ai pohoi dje, se kishte dijeni për “AEY”, sepse sipas tij, “SAC” u shpreh kundër kompanisë së Majamit në fillim të vitit 2007, për kontratën e furnizimit me municione të trupave afgane. Ai nuk sqaron se nga kush iu kërkua ky mendim dhe pse ishte kundër. Sipas tij, ai as që e kishte idenë që “AEY” kishte ndërkohë ndonjë lidhje me Delijorgjin, derisa një mik i tha atij për artikullin e së enjtes në gazetën “New York Times”. Vizita e fundit e Henry-t në depot shqiptare ishte vetëm një javë para shpërthimit, pa shpjeguar arsyen pse ndodhej aty kur i kishte mbaruar kontrata, ndërsa në momentin e tragjedisë, ai thotë se ndodhej në Gjermani. “Ne kishim ende pajisjet tona në Shqipëri dhe ishim duke u përpjekur të merrnim mbrapsht disa materiale këtu në SHBA”, tha Henry. Megjithëse kreu i kompanisë “SAC” deklaronte dje se ai nuk besonte që ndonjëra nga armët me kalibër të vogël që kompania e tij duhet të çmontonte, kalonte përmes Delijorgjit dhe “AEY”-së drejt ushtrisë afgane, ai shtoi se “kjo s’do të ishte çudi”. “SAC-i i bëri paratë e saj në depot e Shqipërisë, duke marrë tunxhin e fishekëve dhe duke e shitur atë si skrap”, tha Henry III, që shtoi më tej se ai e kishte parë në fakt të çuditshëm, faktin që kompania e Delijorgjit kalonte vetëm gjysmën e tunxhit të fishekëve që “SAC” duhet të merrte. “Shumë nga sasia që ata mendonin se ishte tunxh, doli që ishte çelik i presuar, - tha ai, - të paktën sipas shpjegimit të dhënë nga nënkontraktori i tij”. “Në shumë artikuj thuhej se “Albademil” përdorte personel të pakualifikuar, duke përfshirë edhe fëmijë e gra, që zbërthenin municionet në Gërdec”. Këtij konstatimi  Henry III iu përgjigj duke thënë, se ai nuk ishte në dijeni të këtij fakti, që punëtorë të pakualifikuar punonin për “SAC”-un. Pastaj ai “kujtohet” se “Albademil” ka edhe një kontratë tjetër, për demilitarizimin e municionit të kalibrit të lartë. Kjo punë llogarit bilionë dollarë, duke përfshirë tregun legjitim dhe atë të zi, për “heqjen qafe” të armëve dhe municioneve të vendeve ish-komuniste”, - thotë mes të tjerash vetë aksioneri legal i “Albdemil”, amerikani Patrick C. Henry III.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›