Rebelohen socialistët e Fierit: Të largohet Rama
“Po japim këtë konferencë për shtyp pas mbledhjes së fundit të APS Fier, të datës 4 shtator, mbledhje në të cilën mori pjesë edhe kryetari i PS, Edi Rama. Jemi të detyruar të informojmë opinionin publik, qytetarët dhe simpatizantët e PS, pasi kemi bërë të gjitha përpjekjet e mundshme brenda forumeve të PS duke respektuar të gjitha normat e detyrimet. Shqetësimet tona duam t`ia bëjmë të njohura edhe atyre, sepse nesër do të japin verdiktin nëpërmjet votës. Gjithashtu, jemi të detyruar ta bëjmë këtë, sidomos pas qëndrimit arrogant e të papërgjegjshëm të kryetarit të PS, Edi Rama, i cili risolli në mendje praktika e qëndrime që deri më sot i kemi dëgjuar e ndjekur si fenomen bashkëshoqëror te PD e z. Berisha, i cili ka mbytur çdo lloj forme e metode demokratike e fjalë të lirë si brenda partisë, ashtu edhe në mënyrën se si qeveris vendin. Sot, ne që ndodhemi përballë jush, jemi një pjesë e vogël e atyre qindrave anëtarëve të PS, të cilët ishin shprehur me një mocion mosbesimi ndaj drejtuesve aktualë të PS të qytetit të Fierit, duke evidentuar në të gjithë ato të meta organizative, si dhe shkelje statutore që janë paraqitur gjatë kësaj periudhe, me shpresë që këto shqetësime do të merreshin parasysh për të riparuar gabimet e mundshme, në mënyrë që të forcohej jeta e brendshme e PS dhe roli i saj opozitar. Deri në datën 4 shtator, ditën e mbledhjes së Asamblesë, ne mendonim që këto problematika ishin thjesht rajonale, por pas kësaj dite me dhimbje kuptuam që këto probleme fillojnë nga vetë kryetari i PS, Edi Rama, i cili, siç duket, vazhdon të jetë pjesë e huaj në PS dhe nuk ka as dëshirën më të vogël për ta sjellë PS në pozicionin që ishte, si forca më e madhe politike në vend, pozicion të cilin vetë Edi Rama është bërë shkak që ta humbasë dita-ditës”, - thuhet në deklaratën e 240 anëtarëve të kësaj partie.
“Sot, ne denoncojmë këtë qëndrim tej së majtës e së djathtës, duke i bërë thirrje Edi Ramës të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, veprim i cili është në të mirë të PS e të tij. Ka ardhur momenti që ky vend të shkëputet njëherë e mirë nga autoritarizmi e tipat diktatorialë si Rama e Berisha”, - thekson kërkesa e socialistëve të Fierit. “I bëjmë thirrje anëtarëve të PS të distancohen nga këto praktika alla Edi Rama dhe të bashkohemi në luftë të përbashkët për të ruajtur vlerat, të cilat i krijuan socialistët e vërtetë pa ndihmën e tij. Të ruajmë dhe të mbajmë lart këto vlera në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë, në emër të ëndrrës të gjithë shqiptarëve për një Shqipëri dhe një shoqëri të lirë, demokratike, evropiane e moderne larg metodave diktatoriale, larg të qenit një pseudodemokraci, praktikë të cilën po mundohet ta fusë në parti Edi Rama. Ne jemi të bindur se kjo parti i ka forcat, kapacitetet, kurajën dhe vendosmërinë për të justifikuar besimin e tyre”, - përfundon deklarata.