E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Jam konsultuar me statutin e partisë për kandidimin, jo me kryetarin

Kandidati për PD e Tiranës, Besnik Mustafaj, tha dje se vendimi i tij për të kandidimin është një e drejtë që i jepet në bazë të statutit dhe në këtë rast nuk ka pse merret pëlqimi i kryetarit të partisë apo ndokujt tjetër. Në fjalën e tij Mustafaj u shpreh se në themel të PD nuk është kryetari i partisë, por statuti i saj dhe ai është konsultuar pikërisht me këtë të fundit. Ish-ministri i Jashtëm tha se fushata e tij nuk është kundër Berishës, por është në funksion të forcimit të PD. “Kryeministri është njëkohësisht kryetar i PD. Unë e kam votuar që në themelimin e PD z. Berisha dhe e votoj ende, po të jetë në garë për diçka, por në themel të PD nuk është kryetari, por është statuti i partisë. Dhe unë jam konsultuar shumë mire me statusin e partisë. Kur thashë që jam konsultuar me statutin, unë besoj se z. Berisha dhe cilido nga drejtuesit e partisë nuk ka asnjë Bibël tjetër orientimi për të ndërtuar brenda PD atë liri, për të cilën kanë nevojë të gjithë anëtarët e PD, për të ndërtuar atë frymë dëgjimi, që do të thotë që çdo anëtar i PD ka rëndësinë e vet në formulimin e politikave të PD. Rrjedhimisht, unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë”, - tha Mustafaj.

Nga ana tjetër, Mustafaj u shpreh se kandidimi i tij nuk është aspak i parakohshëm dhe se fushata për zgjedhjen e strukturave të PD është e vonuar. Sipas tij, vetë strukturat aktuale do të vendosin shumë shpejt mbi kalendarin e fushatës. “Nuk është aspak i parakohshëm. Përkundrazi, kandidimi im është në kohë, por fushata është e vonuar dhe unë shpresoj që strukturat drejtuese, në respekt edhe të detyrimeve statutore, do të vendosin shumë shpejt kalendarin e zhvillimit të fushatës, ku tashmë zyrtarisht kemi hyrë”, - tha Mustafaj. Kandidatura e ish-ministrit të Jashtëm njëkohësisht dhe deputet i Tiranës është e para në fushatën për zgjedhjen e strukturave të PD. Ndërkohë që ende nuk ka dalë emri i kandidatit kundërshtar të Mustafajt për postin që aktualisht mban Sokol Olldashi, Ministër i Transporteve, por që sipas burimeve brenda PD nuk do të garojë për një mandat tjetër. Posti i kryetarit të PD së Tiranës konsiderohet si shumë i rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetë Mustafaj është deputet i Tiranës, mandat të cilin e mori në zgjedhjet e vitit 2005.

Zogaj: Mustafaj do e ketë gati të pamundur të fitojë pa përkrahjen e Berishës

Por ndryshe mendon një prej miqve të Besnik Mustafajt në Partinë Demokratike, i cili në një deklarim të djeshëm është shfaqur skeptik në lidhje me vendimin e ish-ministrit të Jashtëm për të marrë kreun e demokratëve të Tiranës. Sipas Zogajt, pavarësisht kontributit dhe vendosmërisë së Mustafajt për të garuar në postin e kreut të PD së Tiranës, është shumë e vështirë në mos e pamundur të fitosh, në rast se nuk ke mbështetjen e kryetarit, Sali Berisha. Deklarata e Zogajt jep dhe një herë një panoramë të qartë të asaj se çfarë ndodh në Partinë Demokratike. Natyrisht, është e vështirë të besohet se vetë Berisha do të përkrahë ish-mikun e tij të vjetër, Mustafaj, që është kthyer në një nga kritizerët më të fortë të tij, për shkak të mënyrës së qeverisjes që po përdor kryeministri. Por, gjithsesi, Berishës do i duhet një kandidaturë tepër e fortë për t’u përballur me Mustafajn në PD e Tiranës, pas pakënaqësive që ka shkaktuar mes elektoratit mënyra e qeverisjes sidomos në kryeqytet. Një humbje në degën më të madhe të vendit, do të ishte një goditje jo e vogël për vetë kryeministrin, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›