Mediu, së shpejti nën akuzë për shpërdorim detyre
Ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, së shpejti pritet të ngrihet akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se vazhdimi i hetimit do bëhet nga ajo, për shkak se ka dyshime se Mediu, një person me imunitet, ka konsumuar këtë vepër. “Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, i cili po merret me çështjen e Gëredecit, vendosi sot qe të shpallë moskompetencën e Prokurorisë së Tiranës për vazhdimin e hetimit të kësaj çështjeje dhe ia kaloi aktet si instanca kompetente Prokurorisë së Përgjithshme. Në këtë konkluzion u arrit për shkak se prej të dhënave të përfituara nga hetimi i deritanishëm, grupi hetimor arriti në përfundimin dhe ka dyshime në kuadër të kësaj çështjeje, ka elemente sipas së cilave ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës. Duke qenë se hetimi i personave që gëzojnë imunitet është në kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme, dosja iu ka kaluar për shqyrtim prokurorëve të kësaj prokurorie”, - thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Shkeljet e Mediut
Që në momentet e para të shpërthimit në Gërdec, kur kaosi kishte pushtuar të gjithë zonën metropolitane të vendit, dhe jo vetëm atë, një pyetje rëndonte në mendjen e të gjithëve. Kush kishte urdhëruar vendosjen e një fabrike çmontimi në atë pozicion dhe kush e kontrollonte punën e tyre?
Deklaratat për detaje teknike rrezikonin që të degjeronin procesin si gjithmonë tek ndëshkimi i personave që kanë më shumë përgjegjësi administrative, dhe të anashkaloheshin personat me përgjegjësi politike, ata që në fakt bëjnë zullumin e vërtetë.
Por një relacion, që Ministri i Mbrojtjes kishte dërguar në qeveri, për t’i dhënë firmës amerikane Southern Ammunition me prokurim të drejtpërdrejtë, për të nisur për demontimin dhe demilitarizimin e municioneve tregonte qartë se një përgjegjës politik ishte. Dhe ai kishte firmën e bardha mbi të zezë në këtë projekt.
Relacionet e Ministrit Mediu
Ministri, Fatmir Mediu paraqiti në fillim të vitit të shkuar një relacion në Këshillin e Ministrave për të mbështetur miratimin e një V.K.M. për t’i dhënë të drejtën kompanisë SAC, me firmë të kryeministrit të fitonte pa tender këtë projekt. Kompania sipas relacionit të Mediut, që plotësonte kushtet teknike për të realizuar një gjë të tillë.
Por, këtij propozimi i ka rezistuar kryeministri, Sali Berisha dhe V.K.M. nuk është miratuar në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri Berisha ka kërkuar prej tij që të sjellë një tjetër arsyetim për këtë qëndrim. Vetëm pak kohë më vonë, Mediu paraqet një tjetër relacion parimor, duke shmangur emrin e firmës dhe duke përdorur argumente ligjore që qeveria të autorizonte Ministrinë e Mbrojtjes, pra zotin Mediu, të caktonte një kontraktor për këtë çështje. Pas këtij akti, qeveria miraton vendimin, më datë 14.3.2007. Vendimi mban numrin 3887.
Dokumenti i parë i paraqitur nga Mediu përmban vetëm vlerësimet për kompaninë SAC. “Kohët e fundit, “Southern Ammunition Company” ka paraqitur në Ministrinë e Mbrojtjes një ofertë, e cila konsiston në demontimin, demilitarizimin e municioneve të kalibrit të vogël me anë të metodave të ndarjes mekanike, pa impakt në mjedis, duke instaluar makinat e pajisjeve të saj dhe për këtë procedurë të ketë edhe përfitimin e saj nga produktet e rezultuara nga demontimi. Gjithashtu, kjo kompani, për shkak të këtij procesi, do të bëjë edhe derdhjen e një vlere të caktuar në favor të buxhetit të shtetit.
Kjo kompani është subjekt i së drejtës amerikane, e regjistruar në Loris, South Carolina dhe e licencuar nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes në fushën e eksport-importit të armëve të zjarrit dhe të aktiviteteve ndërmjetësuese.
Siç theksuam më përpara, deri tani ne aplikojmë asgjësim të municioneve të kalibrave të vegjël me djegie nga agjencia “NAMSA”, si rezultat i së cilës nuk përfitohet ndonjë nënprodukt që të krijojë vlerë për buxhetin e shtetit. Në rastin e ofertës, kjo mundësi ekziston për shkak të ndryshimit të metodës së përdorur për demontim.
Oferta e bërë nga “Southern Ammunition Company” për kryerjen e demontimit, demilitarizimit parashikon përdorimin e një metode mekanike e të makinerive të posaçme e për rrjedhojë, përfitimin e nënprodukteve nga ky demontim si gëzhojat, plumbat, barutet etj., që mund të kenë një vlerë tjetër përdorimi. Investimi në pajisje e makineri do të jetë i kësaj kompanie”, - thuhet tekstualisht në relacionin e parë.
Në dokumentin e dytë, pasi iu kërkua që të bëjë ndryshime nga ana e kryeministrit, Mediu argumenton se vendimi për prokurim të drejtpërdrejtë duhet të merret, për shkak se një gjë e tillë është kompetencë e Këshillit të Ministrave.
“Mallrat e mësipërm, kur nuk kanë vlerë përdorimi, apo tregtimi, do t’i nënshtrohen procedurës së asgjësimit, sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr. 6942, datë 25.10.1984, “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale dhe monetare”, i ndryshuar dhe akteve të tij nënligjore.
Ligji 8671, datë 26.10.2000, në nenin 14, pika 7, përcakton se: Këshilli i Ministrave përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armëve të teknikës dhe të pajisjeve të Forcave të Armatosura, rregullat për trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi dhe përdorimi. Procedurat dhe përgjegjësitë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Bazuar në këtë nen, është kompetencë e Këshillit të Ministrave përcaktimi i procedurave dhe përgjegjësive për trajtimin e municioneve të armatimeve pas heqjes nga përdorimi.
Në projekt është parashikuar derdhja e të ardhurave nga ky proces, tërësisht në buxhetin e shtetit”, - thuhet në relacionin e Mediut.
Vendimi i qeverisë
Por përgjegjësitë për ministrin shtoheshin akoma më tepër për shkak se një vendim i qeverisë për këtë çeshtje theksonte se duhej të ishte pikërisht Ministria e Mbrojtjes që të mbikqyrte procesin. Megjithatë, në vendim duket qartë se Mediu ka bërë përpjekje që kompania që kishte përzgjedhur vetë të merrte me prokurim të drejtpërdrejtë këtë punë.
Në pikën III të kësaj VKM, ku flitet për armët dhe pajisjet e Forcave të Armatosura që do të shiten për skrap, theksohet në paragrafin 2, se procedura e shitjes është me ankand. Në të vërtetë, procedura e lidhjes së kontratës është bërë me prokurim të drejtpërdrejtë. Kjo ndoshta për shkak të përdorimit të Pikës IV të kësaj VKM, ku flitet për “Shitjen, demontimin dhe demilitarizimin e municioneve.”
Në paragrafin 4 të kësaj pike thuhet se: “Procesi i demilitarizimit e demontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të Forcave të Armatosura, duke mbajtur regjistrime të hollësishme për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të demontuara dhe demilitarizuara dhe produkteve të tyre pas demontimit dhe demilitarizimit.”
Interesant po ështu është fakti se në këtë VKM, në të gjitha rastet kur i referohet nevojës për shitje, përdoret fjala ankand. Vetëm në pikën IV të kësaj VKM kjo kërkesë mungon, çka tregon se ka qenë e paramenduar, pasi pika IV i takon procedurës së demontimit dhe demilitarizimit, kontratë që u lidh me kompaninë amerikane. Prokuroria shqiptare duhet ta hetojë me hollësi këtë VKM, e cila për fat të keq nuk gjendet më në faqet zyrtare të Këshillit të Ministrave dhe urojmë që të mos jetë zhdukur dhe nga fletoret zyrtare. Sidoqoftë, prokuroria duhet t’i sekuestrojë ato si dokumente ligjore pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas kësaj VKM, e cila ka pasuar tentativën e dështuar të ish-ministrit Mediu për t’ia kaluar përgjegjësinë kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes është përgjegjëse për gjithë procesin e demontimit të këtyre lëndëve plasëse.
SAC dhe faktet e kryera
Një nga përgjegjësitë kryesore që binte mbi Ministrin e Mbrojtjes ishte se SAC ishte lejuar që të merrte një kompani nënkontraktore shqiptare, edhe pse për çështje të tilla, të rrezikshmërisë së lartë, nënkontraktori duhej të ishte përzgjedhur me një akt të veçantë. Por, kur mes kompanisë shqiptare dhe asaj amerikane nisën kontradiktat se kush e kishte nënshkruar një kontratë të dytë, e cila parashikonte çmontimin e municioneve të rënda, një dokument i tatim-taksave zbardh të gjithë aferën. Edhe pse kompania amerikane ishte e specializuar për armë sportive dhe biçikleta, ajo kishte përfituar një tender për armë të rënda. Kjo për shkak se në firmën nënkontraktore shqiptare ishte bashkëpronar dhe kontraktori amerikan.
Kështu, kompania shqiptare, “AlbaDemil”, e cila ka punuar si nënkontraktore e kompanisë amerikane “Southern Ammunition”, nuk ka vetëm një pronar, por është në bashkëpronësi. Në organet tatimore, që në vitin 2005 “AlbaDemil” është regjistruar si aktivitet, ndërsa në vitin 2006 është bërë aktivitet i përbashkët mes Mihal Delijorgjit dhe vetë presidentit të kompanisë amerikane “Southern Ammunition”, Patrick Cornelius Henry III.
E regjistruar me NIPT K717240017Q, “AlbaDemil” me bashkëpronarë Mihal Delijorgjin dhe Patrick Henry III ka nisur aktivitetin më 28 dhjetor 2006. Vetëm pak muaj më vonë, pikërisht më 6 qershor 2007, “Southern Ammunition” ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për demontim dhe demilitarizim të armëve të kalibrit të vogël, kontratë që do skadonte për tetë muaj, ndërsa në dhjetor është nënshkruar një tjetër kontratë me këtë kompani, e cila parashikon demontimin dhe demilitarizimin e armëve të kalibrit të madh.
Në kontratën e parë, shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes, thuhet se kompania amerikane do të marrë si nënkontraktore një kompani shqiptare, specialiste në këtë fushë, dhe që do të zbatojë të gjitha ligjet shqiptare në fuqi për këtë punë.
Por, në kontratën e dytë, të nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk ka më një pikë ku të parashikohet marrja e një kompanie nënkontraktore.
Por kompania “AlbaDemil” është regjistruar për të zhvilluar aktivitetin e saj që në vitin 2006 dhe vendondodhja ka qenë pikërisht Gërdeci. Disa muaj përpara marrjes së kontratës, firma ka qenë gati për vendin ku do kryente aktivitetin, duke patur në këtë mënyrë garanci se do merrte patjetër tenderin me prokurim të drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, kompania “AlbaDemil” e Mihal Delijorgjit dhe e Patrick Henry-it është regjistruar pikërisht për të kryer këtë aktivitet, demontimin dhe demilitarizimin e municioneve. Që në vitin 2006, kompania në bashkëpronësi ka qenë e përgatitur për marrjen e llokmës nga shteti edhe pse ligji për këtë gjë nuk ishte miratuar në atë kohë.
Por kompania “AlbaDemil” ka paguar për vitin që shkoi si kontribute të sigurimeve shoqërore për punonjësit e saj që punonin në Gërdec 360549 lekë ose rreth 3 milionë e gjysëm lekë të vjetëra. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se kompania e ka paguar këtë sasi të kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke qenë se ajo ka paguar një vlerë pagash të regjistruara në organet e tatimeve prej rreth 770 mijë lekësh të reja. Në organet e tatimeve kompania “AlbaDemil” nuk ka paguar asnjë gjë për përfitim sëmundjeje, përfitim barrë lindjeje, apo përfitime për shkak të paaftësisë. As për përfitim aksidenetesh të përkohshme. Gjithashtu, kontribute të sigurimeve shëndetësore janë pagur një vlerë prej 61 mijë lekësh të reja. Nëse shikon vlerën e pagave dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore që ka paguar kompania “AlbaDemil” për një vit, sheh se ajo, duke qenë se ka paguar rreth 7,7 milionë lekë të vjetëra, duhet të ketë pasur vetëm tre punëtorë në punë, të cilët kanë marrë një pagë mujore prej 15 mijë lekësh të reja. Gjithashtu, nga kjo vlerë mund të thuhet se ajo mund të ketë pasur edhe vetëm dy punëtorë, të cilët kanë marrë një pagë prej mbi 20 mijë lekësh në muaj. Të dhënat në organet e tatimeve bëjnë me dije se kjo kompani i ka patur krejtësisht të paregjistruar punonjësit dhe për ta nuk është paguar as sigurim shëndetësordhe as sigurim shoqëror. As që bëhet fjalë për pagesa për shkak sëmundjesh apo për barrë lindjeje apo për aksidente.
Përgjegjësitë ushtarake
Kur duket se pikëpyetjet edhe nisën të sheshohen, qëndrimi i ushtarakëve në këtë çështje bëhet dhe pikë debatesh.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura me anë të një memoje thekson se ka refuzuar që qendra për demontimin dhe demilitarizimin e municioneve ushtarake të bëhet në Bërzhitë, me arsyetimin se kjo zonë është e papërshtatshme për një aktivitet të tillë, sepse është pranë rrugës nacionale Tiranë- Elbasan dhe zonave të banuara.
Megjithatë, leja për sistemin e kësaj qendre u dha për në Gërdec, edhe pse kjo zonë ndodhet në të njëjtat pozita për sa i përket rrezikshmërisë, në mos edhe më i rrezikshëm, duke marrë parasysh afërsinë dhe me aeroportin ndërkombëtar.
“Qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave mes palëve, pasi rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar si për depozitim, ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë- Elbasan dhe nuk merrej përsipër sigurimi i energjisë.
Për municionet me moshë mbi 25-30-vjeçare që kalojnë në proces demontimi, në praktikën tonë baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë. Jemi në fazën e miratimit të poligonëve nga qeveria dhe, nëse kjo realizohet, marrim përsipër sigurimin e një poligoni për asgjësimin e djegoreve. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me një projekt demilitarizimi,” thuhet në këtë memo.
Memoja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, e datës 28.12.2006 në lidhje me këtë çështje u shpërfill nga Ministria e Mbrojtjes dhe Bërzhita u përdor si test nga ana e Mediut për të parë reagimin e Shtabit të Përgjithshëm ndaj veprimeve që pritej të ndërmerrte.
Vetëm katër muaj më vonë, Mediu urdhëron ngritjen e qendrës, ku do operonte “Southern Ammunition Company”, duke shmangur Shtabin e Përgjithshëm.
Në pikën 4, germa A të këtij urdhri theksohet, se Komanda e Forcave të Bashkuara ngarkohet të vërë në dispozicion të këtij procesi një sipërfaqe terren në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, të ndodhur në Gërdec (Vorë).
Kështu, Mediu shmang Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, duke i kaluar kompetencat te Komanda e Forcave të Bashkuara, që në rang hierarkie vijon poshtë Shefit të Shtabit, i cili është direkt pas ministrit në varësi vertikale.
Edhe në kontratën e nënshkruar me SAC shmanget komplet Shtabi i Përgjithshëm dhe përgjegjësia do ishte për Forcën e Bashkuar.
Relacioni i përgatitur për këtë qëllim i është dërguar edhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm ka bërë para institucioneve një panoramë të situatës së përgjithshme për sa i përket eliminimit të armatimeve, para pesë muajsh.
Por ministri reagoi duke deklaruar se në urdhrin për ngritjen e kësaj qendre është marrë miratimi i Shtabit, madje është urdhëruar ai për mbikqyrjen e procesit.
Por Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka theksuar se urdhri i ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ngritjen e qendrës për demontim dhe demilitarizim të municioneve në Gërdec nuk ka firmat e zyrtarëve të saj.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, nënkolonel Ali Ndreu, tha se prezantimi i projektit nga “Southern Ammunition” është bërë vetëm në paradhomën e ministrit, me një kompjuter laptop. Ndreu tha, se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka qenë palë në negociata dhe kjo është e qartë, pasi Shtabi vendosi t’i thotë jo me anë të një memoje, kërkesës për ngritjen e kësaj qendre në Bërzhitë. Nënkolonel Ndreu tha se janë institucionet e drejtësisë që do të vendosin në lidhje me të vërtetën. Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të FA tha se asnjë vizitë apo deklaratë e ndonjë individi a ushtaraku në lidhje me inspektimet në Gërdec nuk përbën asnjë bazë, për sa kohë nuk është kryer konform ligjeve në fuqi.
Autoriteti shtetëror
Një tjetër pikë që ngre dyshime në këtë mes është mosngritja e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Ai duhej të ishte ngritur brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij si organ për eksportin e armëve në Ministrinë e Mbrojtjes, por duket se është shmangur qëllimisht. Në bazë të ligjit për funksionimin e tij, autoriteti, i cili në fakt do të emërtohej Agjencia e Kontrollit Shtetëror të Eksport-Importeve të Mallrave Ushtarake, Mallrave dhe Teknologjive me Përdorim të Dyfishtë, shmangte në mënyrë të ndjeshme peshën e “MEICO”-s që drejtohej nga Ylli Pinari. Kjo, pasi ky autoritet, i cili, brenda gjashtë muajve nga miratimi i tij, pra që nga 1 qershori e deri më 1 janar duhet të ishte ngritur, ishte autoriteti që do të merrte në dorë veprimtarinë, lëshonte licencat për eksportin e municioneve, si dhe do të mbikëqyrte veprimtarinë e kompanive që do të kontraktonin për këtë qëllim me Ministrinë e Mbrojtjes.
Por, autoriteti nuk është ngritur asnjëherë, pasi ngritja e tij detyrimisht do të nxirrte në pah edhe firmën e Delijorgjit, e cila rezulton së është një firmë që mund të merret me eksport-importin e hekurit, por kurrsesi me tregti armësh dhe demontim municionesh, siç ka rezultuar pas shpërthimit të Gërdecit.
Jo vetëm kjo, por në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, nr. 138, datë 14.3.2007, kompania që do të merrej me demontimin apo eksportin e armëve në Republikën e Shqipërisë duhej të ishte e regjistruar Pranë Autoritetit Shtetëror të Eksporteve, ligji për të cilin u miratua vetëm një muaj më pas. Ja se çfarë thuhet në pikën 2, paragrafi 4 gërma a) e këtij vendimi, ku bëhet fjalë për kriteret që duhet të plotësojë kompania: “Të jetë e regjistruar pranë Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Import-Eksportit të Mallrave Ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë në vendin e origjinës si importues, eksportues apo ndërmjetësues, duke paraqitur dokumentin përkatës zyrtar.”
Por, në të vërtetë, ja se çfarë ka ndodhur. Ligji për Autoritetin e Kontrollit të Eksporteve nuk u zbatua, pasi me një logjikë të thjeshtë do të nxirrte jashtë loje “MEICO”-n, e cila deri në atë kohë kontrollonte të gjitha kontratat. Pra, Autoriteti i Kontrollit do të kontrollonte ligjshmërinë e kontratave të Delijorgjit dhe “Southern Ammunition Company”, si dhe transaksionet e tyre, profilin që ato kishin etj., pasi këtë të drejtë ia jepte ligji në fjalë, siç i jepte të drejtën edhe të anulonte kontratat kur kompanitë kishin aktivitet të dyshimtë. Nga ana tjetër, ky autoritet duket se reduktonte ndjeshëm edhe rolin e ministrit të Mbrojtjes në lidhjet e kontratave, pasi ligji i jepte atij të gjitha të drejtat të anulonte kontratat në rast se kompanitë nuk kishin licencë për këtë lloj aktiviteti, siç ishte rasti i Delijorgjit, i cili kishte një kompani për tregtim skrapi dhe jo për demontim apo tregtim të municioneve.
Por, ka edhe një pikë tjetër, e cila duhet të sqarohet në amullinë që shoqëron Gërdecin. Në vendimin e qeverisë të datës 14.3.2007 kërkohet që kompania që do merret me demontimin ose tregtimin e armëve duhet që “të jetë regjistruar pranë Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Import-Eksportit të Mallrave Ushtarake e atyre me Përdorim të Dyfishtë në vendin e origjinës si importues, eksportues apo ndërmjetësues, duke paraqitur dokumentin përkatës zyrtar.”
Por, ligji për autoritetin është miratuar vetëm një muaj më pas dhe ka marrë fuqi vepruese më 1 qershor të 2007-ës, pra pas më shumë se dy muajsh, gjë e cila përbën një non sens juridik, pasi s’mund të merret një vendim, i cili në shumë pika kërkon bazën te një ligj i cili nuk është miratuar ende, siç është edhe ligji për Autoritetin e Kontrollit të Eksporteve.