E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Anëtarësimi në NATO, meritë jo vetëm e qeverisë

 

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Ëithers vlerëson kryesocialistin Edi Rama si burrë shteti

 

"Ne të gjithë ndajmë me ju dëshirën për t'i gjetur fundin këtij incidenti të ndodhur në Gërdec"

Marrja e ftesës për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO) nga ana e Shqipërisë, në rast se ndodh, do të jetë një arritje e gjithë klasës politike shqiptare, dhe jo vetëm e qeverisë. Një përcaktim të tillë e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat konfirmojnë gjithashtu mbështetjen e tyre që kjo aspiratë e shqiptarëve të bëhet realitet javën e ardhshme, gjatë Samitit të NATO-s në Bukuresht. Mesazhi është përcjellë dje nga Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John Ëithers, gjatë një tryeze të organizuar nga Partia Socialiste me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s të akredituar në Tiranë.

Mbështetja

Diplomati i lartë amerikan, duke theksuar rëndësinë që ka ruajtja nga ana e shqiptarëve e aspiratës për t'u anëtarësuar në NATO, ka vlerësuar klimën politike të krijuar në vend, falë kjo edhe rolit të Partisë Socialiste, sidomos përsa i përket vullnetit për realizimin e reformave integruese me konsensus të plotë. Ambasadori Ëithers, referuar dhe fjalës që mbajti Presidentit i SHBA-së, George Bush dy ditë më parë, ka shprehur edhe një herë dje siguri se Shqipëria do ta marrë ftesën për t'u bërë pjesë e NATO-s. "Mund të jeni informuar që vetëm dje presidenti Bush shprehu vendimin e tij, për të mbështetur dhënien e ftesës për të tre vendet e Kartës së Adriatikut për anëtarësim në NATO. Ka qenë një pozicion, një qëndrim afatgjatë i mbajtur prej vendit tim dhe ne shpresojmë që do të arrihet të konkludohet me sukses në ditët në vijim. Dhe në arritjen në këtë qëndrim e në këtë vendim, qeveria ime ka qenë plotësisht e vetëdijshme për rolin që ka luajtur Partia Socialiste dhe partitë e opozitës",- tha ambasadori Ëithers. Nga ana tjetër, Ambasadori amerikan ka bërë të qartë se marrja e kësaj ftese nuk duhet të përdoret politikisht, pasi ajo do të jetë meritë e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve, dhe jo e një grupi të caktuar politik. "Me ardhjen e kësaj ftese, që shpresojmë se do të ndodhë, qeveria ime nuk do ta shohë këtë ftesë si rezultat vetëm i punës së një grupi të caktuar, por do ta shohë si një arritje të udhëheqësisë politike të Shqipërisë si një e tërë dhe si një arritje e popullit shqiptar si një i tërë", - tha Ëithers.

Gërdeci

Gjatë fjalës së tij, diplomati amerikan nuk ka lënë pa prekur dhe çështjen shumë të debatuar në rangjet politike, atë të tragjedisë së Gërdecit, duke kërkuar zbardhjen deri në fund të shkaqeve të saj.

"Tragjedia në Gërdec ka prekur të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mund të them që na ka prekur edhe të gjithëve ne, miqve tuaj. Ne të gjithë ndajmë me ju dëshirën për t'i gjetur fundin këtij incidenti",- u shpreh Ëithers. Duke e konsideruar këtë ngjarje si tronditëse, ai ka mirëkuptuar rolin që ka luajtur opozita në këto momente për nxjerrjen e së vërtetës, por pa prekur aspiratën për integrim në NATO. Për këtë ai ka vlerësuar qëndrimin që ka mbajtur kryesisht lideri i opozitës, Edi Rama, të cilin nuk ka ngurruar ta komplimentojë si një burrë shteti. "Unë e konsideroj si një veprim kurajoje politike që ju keni ruajtur të gjallë këtë perspektivë, në këto momente të komplikuara. Pra, jo vetëm si një veprim kurajoje politike, por edhe si një veprim prej burri shteti. Vendosja e interesave të mëdha të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ju bën nder të gjithëve ju",- theksoi ambasadori amerikan John Ëithers, duke iu drejtuar kryesocialistit Edi Rama si organizator i kësaj tryeze.

Ceremonia e ndërrimit të Komandantit të Shtabit të NATO-s, marrin pjesë Berisha e Oketa

Oketa: Shqipëria, pranë anëtarësimit në NATO

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa e ka nisur ditën e parë të punës në ceremoninë e ndërrimit të Komandantit të Shtabit të NATO-s në Tiranë, Gjeneral Brigade Anastasios Rintis, me Gjeneral Brigade Vasil Kirilov Dimitrov. Pasi kishte kryer betimin në Presidencë dhe kishte marrë detyrën nga ish-ministri Mediu, Gazmend Oketa është nisur drejt ceremonisë, ku pasi ka vlerësuar rolin e gjeneralit Rintis për ndihmën në reformimin e strukturave tona ushtarake, ka deklaruar se Shqipëria ndihet sot shumë pranë anëtarësimit në NATO. "Ne ndjehemi shumë pranë anëtarësimit në NATO, u shpreh ai duke iu drejtuar gjeneral Rintis, falë edhe ndihmës tuaj dhe të Shtabit të NATO-s në Tiranë",- tha Oketa, duke i uruar mirëseardhjen Komandantit të ri të Shtabit të NATO-s në Tiranë, Gjeneral Brigade Vasil Dimitrov. Nga ana e tij, ish-komandanti i NATO-s, Rintis është shprehur se, reformat e mbrojtjes në Shqipëri janë në rrugë të mbarë dhe se struktura e re e Forcave të Armatosura Shqiptare ka arritur tashmë rezultate të mira. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë dhe kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi se java që vjen është një javë historike për Shqipërinë dhe Aleancën e Atlantikut, pasi në Samitin e Bukureshtit, NATO do të zgjerohet dhe Shqipëria shpreson të marrë ftesën e të bëhet anëtare e saj. "Java që vjen, është një javë historike për Aleancën Veriatlantike, por është historike edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në Samitin e Bukureshtit, NATO do të zgjerohet dhe do të shtrijë hapësirat e saj në interes të mbrojtjes së lirisë dhe të pavarësisë së popujve, ndërsa Shqipëria shpreson të marrë ftesën dhe të bëhet anëtare e saj, duke realizuar kështu një ëndërr të vjetër të mbarë shqiptarëve",- tha ai, duke vlerësuar kontributin e strukturave të FA, që janë angazhuar për përballimin dhe kapërcimin e pasojave që shkaktoi tragjedia e Gërdecit. "Me kurajën, guximin, trimërinë dhe gjakftohtësinë e tyre ata kanë operuar me shpejtësi fill pas tragjedisë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, për të shpëtuar me dhjetëra e qindra të plagosur, duke dëshmuar edhe një herë sensin e vetëmohimit, por edhe të aftësive të tyre të larta për të ndërmarrë operacione të kërkim-shpëtimit të kësaj shkalle",- tha Berisha.

Topi, me zyrtarët e NATO-s

"Të sigurt për marrjen e ftesës"

TIRANË- Shqipëria ndihet e sigurt në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit. Kështu ka deklaruar dje Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë një takimit që zhvilloi me zv/komandantin e Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli dhe ish-Komandantin e Shtabit të NATO-s në Tiranë, Gjeneral Brigade Anastasios Rintis dhe Komandantin e ri, Gjeneralin Brigade Vasil Kirilov Dimitrov. Në takim, Presidenti theksoi mbështetjen e gjerë shoqërore prej gati 94 për qind dhe atë të partive politike për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Sipas kreut të shtetit, kjo mbështetje, së bashku me gatishmërinë e përgatitjen profesionale dhe të guximshme të forcave tona paqeruajtëse në Irak, Afganistan e Bosnjë-Hercegovinë, "na bën të ndihemi të sigurt në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, duke përmbushur kështu aspiratën e popullit shqiptar për t'u integruar në strukturat Euro-Atlantike". Presidenti i Republikës bëri një përshkrim të reformimit thelbësor të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke vënë në pah njëkohësisht edhe reformat e thella të ndërmarra në vend me konsensus të gjerë politik, si ajo në gjyqësor, reforma e pritshme zgjedhore, lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjenerali Leitnant Pirson, pasi shprehu ngushëllimet për tragjedinë e Gërdecit, theksoi përshtypjet më të mira për ndryshimet dhe arritjet pozitive të Forcave të Armatosura Shqiptare, për reformimin e plotë të tyre, duke vënë në dukje se Shqipëria, e cila ka vepruar prej kohësh si anëtare de facto e Aleancës së Atlantikut Verior, e meriton plotësisht, nga ana ushtarake, ftesën për anëtarësim nga Samiti i Bukureshtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›