Withers: Incidenti i Gërdeci të zbardhet deri në fund
Ambasadori amerikan John Withers ka kërkuar dje që tragjedia e ndodhur dy javë më parë në Gërdec të zbardhet deri në fund. Duke folur gjatë tryezës së organizuar nga Partia Socialiste për anëtarësimin në NATO, diplomati amerikan nuk ka lënë pa prekur dhe çështjen shumë të debatuar në rangjet politike, atë të tragjedisë së Gërdecit, duke kërkuar zbardhjen deri në fund të shkaqeve të saj. "Jemi mbledhur këtu sot, në një kohë trishtimi për ju dhe për popullin shqiptar. Tragjedia në Gërdec ka prekur të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mund të them që na ka prekur edhe të gjithëve ne, miqve tuaj. Ne të gjithë ndajmë me ju dëshirën për t'i gjetur fundin këtij incidenti",- u shpreh Withers. Duke e konsideruar këtë ngjarje si tronditëse, ai ka mirëkuptuar rolin që ka luajtur politika dhe opozita në veçanti në këto momente për nxjerrjen e së vërtetës, por pa prekur aspiratën për integrim të Shqipërisë në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Sipas tij, është një vlerë e klasës politike mënyra se si ka arritur ta trajtojë çështjen deri më tani, pa kaluar në lëvizje që do të dëmtonin perspektivën evropiane. "Ne e kuptojmë se këto debate krijojnë një presion dhe barrë, veçanërisht mbi ato parti që janë në opozitë në këto momente. Zgjedhësit tuaj, që është e natyrshme kërkojnë veprim dhe i kthejnë sytë nga ju për të parë këtë veprim dhe për realizimin e këtij veprimi menjëherë. Aftësia për t'i mbajtur këto presione në perspektivën e Samitit të rëndësishëm të NATO-s dhe zgjerimit të ardhshëm të NATO-s i bën nder juve dhe udhëheqësish politike të shtetit shqiptar",- u shpreh ambasadori Withers. Ndërkohë që kjo çështje tashmë është në duart e prokurorisë, e cila deri më tani ka përjashtuar nga hetimi drejtuesit e lartë shtetërorë, duke u mjaftuar vetëm me vënien nën arrest të drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, administratorit të firmës nënkontraktuese "Alb-Demil", Mihal Delijorgji dhe drejtorit të fabrikës, Dritan Minxholli.