E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela në ndeshjen e jetës: Të martën të shkëlqejmë

SHKRUAN: Jeton Selimi 06-06-2011 10:24

Nuk ka dashur të luajë në këta dy muajt e fundit në Poloni, sepse ka pasur shqetësime në gjurin e tij dhe ka dashur të ishte i gatshëm për sfidën me Bosnjen. Ervin Skela, “truri” i manovrës ofensive të Shqipërisë është mjaft i karikuar përpara ndeshjes me Bosnjen. Skela sheh si rrugë të vetme për triumfin kuqezi, kujdesin.

Si jeni nga gjendja fizike, duke qenë së në këta dy muajt e fundit nuk keni luajtur shumë në ekipin tuaj.

U bë si linjë kjo e gjendjes sime fizike, ngaqë u bë shumë kohë pa luajtur, por unë ndjehem mirë fizikisht. Jam përgatitur vetëm për këtë ndeshje. Ashtu siç e dini, kam pasur probleme me gjurin dhe jam kuruar në Gjermani për të qenë në formë për këtë sfidë sepse është një nga ndeshjet më të rëndësishme, si për mua, ashtu edhe për çunat, kështu që ndjehem shumë mirë.

Çfarë ndryshimi sjell humbja e Bosnjes në Rumani?

Për ne kanë ndryshuar shumë gjëra pas fitores me Bjellorusinë. Ajo ndeshje ka qenë shumë e rëndësishme për ecurinë tonë në eliminatore. Me atë fitore i hapëm rrugën vetes për të shpresuar për kualifikim. E kemi parë ndeshjen Rumani-Bosnje. Lala e tha që Bosnja ka shumë kualitete në fazën ofensive, por ka edhe shumë mangësi në mbrojtje. Ne e pamë gjatë 90 minutave se Bosnja kishte probleme dhe ishte një meritë e rumunëve që i nxori defektet Bosnjes dhe ne duhet të luajmë në atë nivel që t’u nxjerrim ne defektet dhe nëse luajmë siç bëmë kundër bjellorusëve, idetë e trajnerit i kemi të qarta dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë në fushë, me shpirt gare dhe të luajmë në grup, atëherë jemi në rrugën e duhur. Ai që i shmanget kësaj rruge, nuk ka vend në ekipin kombëtar.

Taktikisht nuk do jetë e njëjta ndeshje si me Bjellorusinë?

As që diskutohet. Çdo ndeshje fillon nga e para. Bosnja, po të ishim ne në pozitat e tyre, do të ishim më të motivuar pas një ndeshjeje të humbur. Çdo gjë varet nga ne, në qoftë se ne do të jemi në ditë të mirë, jam shumë i bindur që do të kemi rezultat pozitiv sepse ata kanë shumë probleme në mbrojtje.

Ju thoni që ata kanë probleme. Konkretisht çfarë duhet të bëjë Shqipëria, të sulmojë apo të mbrojë?

Përsa i përket lojës sulmuese, ne e pasqyruam kundër Bjellorusisë. Por janë dy ndeshje të ndryshme. Do të na duhet që të jemi të kujdesshëm në mbrojtje, jo vetëm mbrojtja, por i gjithë ekipi sepse ata kanë shumë cilësi para me Xhekon, Mismoviç, Ibiseviç etj. Janë lojtarë që e nxjerrin golin nga hiçi. Por duhet të kemi besim që të dalim në lojën tonë sulmuese dhe t’u krijojmë probleme në momentet e tyre të dobëta.

Shqipëria ka gabuar kur ka qenë në pozita të mira dhe kur duhej të bënte hapin e madh. Këtë herë çfarë duhet të bëjmë?

Këtë herë duhet t’u mbushim mendjen të gjithëve se ne dimë të bëjmë dy ndeshje rresht të mira dhe të marrim rezultate pozitive. Janë momente që në futboll që kur fiton bëhesh shumë euforik dhe kur humbet morali bie. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe këtë ta tregojmë me Bosnjen.

Do të firmosni me skuadrën arabe?

Unë gazetat nuk i lexoj dhe jam i habitur, pasi unë si Ervin nuk di asgjë rreth kësaj. Edhe në Poloni mund të kisha luajtur disa ndeshje më shumë, por nuk rrezikova dhe vendosa të isha i gatshëm për Bosnjen pasi mezi po e pres këtë ndeshje. Më pas do të shohim për gjërat e tjera.

Ervini: Kombëtarja ka nevojë për eksperiencën time

Skela ndjehet ende i gatshëm për kombëtaren. Mbase nuk do të ketë më 90 minuta në këmbët e tij, por mesfushori beson se në një mënyrë apo në një tjetër, ai do të jetë gjithnjë i nevojshëm për përfaqësuesen kuqezi. “E kam thënë që ka qenë një vit me ulje-ngritje. Është folur shumë për mua dhe para Bjellorusisë jemi lakuar shumë, unë dhe Lala. Sa të kem mundësi do të jap maksimumin tim për ekipin kombëtar, qoftë si titullar, qoftë nga stoli. Do ta vë në dispozicion eksperiencën time për lojtarët e rinj, për të ruajtur unitetin e grupit. Ndaj ky grup nuk ka më shumë cilësi sesa skuadrat e mëparshme, por ka më shumë shpirt sakrifice”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›