Medvedev: “Shkaku që njohëm Osetinë ishte Kosova”
Pas njohjes së pavarëisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, Rusia ka nxituar të justifikohet se njohja e këtyre vendeve erdhi si pasojë e njohjes së Kosovës nga vendet e botës kur Rusia e kundërshtoi hapur. Në një shkrim në të përditshmen britanike “Financial Times”, presidenti rus Dimitri Medvedev shprehet se nuk pati zgjedhje tjetër, përveçse të njihte Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut pasi vendet perëndimore e njohën pavarësinë e Kosovës përkundër vërejtjeve të Rusisë. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, nënshkroi para dy ditësh një dekret për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, dy rajoneve që synojnë shkëputjen nga Gjeorgjia, si shtete të pavarura. Presidenti njoftoi për vendimin e tij në televizionin shtetëror, pas takimit me këshilltarë të tij të sigurisë. Medvedev tha se Rusia po e pranonte vullnetin e lirë të popujve të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, ashtu sikundër vendet perëndimore njohën Kosovën. Nuk ka hezituar të jsutifikojë veprimin e Rusisë edhe Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme të këtij vendi tha se precedenti i vënë nga Perëndimi duke e njohur pavarësinë e Kosovës çoi në vendimin e Rusisë për njohjen e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë. Serbia është përmbajtur në kritikat ndaj Rusisë për intervenimin e saj ushtarak në Osetinë Jugore, por përmes një deklarate për media, ka nënvizuar se parashikimet e saj se Kosova është precedent kanë dalë të sakta. Ndërkohë veprimi i Rusisë është kritikuar nga ndërkombëtarët, veçantërisht nga SHBA-të. Sipas tyre, Rusia po rrezikon vendin e saj në botë me vendime “irracionale”. Vendimin për njohjen e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, Shtëpia e Bardhë i quajti “vendime fatkeqe”. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Frato u shpreh se Rusia është duke bërë një numër “vendimesh irracionale” dhe paraljamëroi se administrata amerikane po shikon “mundësi të ndryshme lidhur me pasojat e këtij vendimi të pamatur. Ndërkaq edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka shprehur shqetësimin se njohja e pavarësisë së rajoneve separatiste të Gjeorgjisë nga ana e Rusisë, mund t’i ndërlikojë përpjekjet e Këshillit të Sigurimit për gjetjen e zgjidhjes. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs ndërkaq shprehu kaqeardhjen për hapin e Rusisë dhe njohjen e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë. Rajs tha se Shtetet e Bashkuara edhe më tutje do t’i konsiderojnë Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë si pjesë brenda kufijve ndërkombëtarë të Gjeorgjisë.
28 Gusht 2008