E Diel, 1 Nëntor 2026

Moska: Shkupi nuk shiti armë, njihni pavarësinë e Osetisë



Pas deklaratës së Maqedonia i kishte shitur armë Gjeorgjisë, ambasadori rus në Shkup, Vladimir Solocinski e ka përgënjështruar lajmin që erdhi nga vendi i tij dhe u shpreh se Maqedonia nuk është në listën e 15 shteteve që kanë furnizuar me armë Gjeorgjinë. “Qeveria e Maqedonisë nuk ka lidhje me shitjen e armëve. Për furnizime me armë të Gjeorgjisë dhe krijimin e një arsenali ofensiv përgjegjës janë SHBA-të dhe Ukraina, ndërsa nga Gjermania janë kontrabanduar armët”,- deklaroi ambasadori i Federatës Ruse në Maqedoni, Solocinski. Për më tepër, ambasadori i Moskës në Shkup ka kërkuar që Maqedonia të njohë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe të Abhazisë. Solocinski njoftoi se Rusia ka vendosur ndërprerjen e të gjitha programeve për bashkëpunim me Aleancën e Altantikut Verior, ndërsa është bllokuar edhe pjesëmarrja në misionet paqësore, duke përjashtuar mbështetjen logjistike të Aleancës në Afganistan. Tre ditë më parë, kreu i Shtabit të Ushtrisë Rusë, gjenerali rus Anatoli Nogovitsin akuzoi të gjitha vendet ballkanike dhe ato të Europës Lindore se kanë furnizuar me armë Tbilisin e Gjerogjinë.

Sejdiu: “Moska nuk e ndalon dot njohjen e Kosovës”

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka insistuar se “Kosova është rast unik dhe nuk ishte precendet për njohjen e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe të Abkazisë. “Fakti që pavarësia e Kosovës është njohur nga 50 vende, nuk justifikon vendimin e Rusisë të njohë pavarësinë dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë”- ka thënë presidenti. “Ne gjithmonë kemi thënë dhe do të insistojmë në mendimin se Kosova është rast i vecantë dhe nuk mund të trajtohet si një precendent për zonat e tjera, territore apo rajone që janë në konflikt”- shtoi Sejdiu. Në fjalën e tij ai theksoi se “Njohja e pavarësisë së dy rajoneve separatiste nga Rusia nuk do të ndalojnë shtetet e tjera për të njohur pavarësinë e Kosovës”. Pas njohjes së Kosovës nga shumë vende, Sllovakia vazhdon të mos pranojë pavarësinë e këtij vendi. Minsitri i punëve të Jashtme të Sllovakisë, Jan Kubis ka thënë se pavarësia e Kosovës është e papranueshme. Në një prononcim për një televizion serb Kubis ka shtuar se “qëndrimi i Sllovakisë në lidhje me këtë cështje nuk do të ndryshojë”. “Nuk e kemi ndërmend të ndërrojmë pozicionin tonë sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë aspekt jemi pakicë në Bashkimin Europian. Besojmë se pozicioni ynë është i drejtë dhe do t’i mbetemi besnik atij”,- ka thënë shefi i diplomacisë sllovake për median serbe.

Nimiç paralajmëroi tërheqjen nga detyra e ndërmjetësit

Ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimiç mund të tërhiqet nga detyra e tij për shkak të dështimit të negociatave për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë midis Athinës dhe Shkupit.
Lajmi bëhet i ditur nga televizioni maqedonas A1, i cili u informua nga burime diplomatike në Nju Jork. “Mundësia është më e madhe, ndërmjetësi i OKB-së do të tërhiqet nga detyra e ndërmjetësit nëse deri në fund të tetorit nuk do të ketë përparime për gjetjen e zgjidhjes për emrin e Maqedonisë. Ai këtë e konsideron si humbjen më të madhe në karrierën e tij të pasur diplomatike”,- nënvizon televizioni maqedonas. Siç bëhet e ditur, ndërmjetësi i OKB-së ka qenë i shqetësuar nga negociatat e fundit me palën maqedonase, e cila është e ndarë në dy tabore për çështjen e emrit të vendit dhe qëndrimeve shumë të largëta për gjetjen e kompromisit. Nimiç ka paralajmëruar se negociatat për çështjen e emrit kanë hyrë në një fazë kritike dhe nuk ka kohë për të humbur me çështje që nuk janë pjesë e mandatit të tij për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.

28 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›