E Shtunë, 31 Tetor 2026

Civici: Ulja e interesit, jo efekt te leku

Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ardian Civici, deklaroi dje për një televizion privat se vendimi i BSH për uljen e normës bazë të interesit synon të ndihmojë ekonominë me kredi më të lirë në një kohë që stimuli fiskal i hedhur përmes shpenzimeve të larta të qeverisë po vjen drejt fundit.

"E ulëm normën bazë të interesit në kohën e duhur. Pavarësisht nga debati, janë bërë shumë llogaritje për të gjetur momentin e duhur për uljen e normës bazë të interesit", tha Civici, duke iu përgjigjur debatit të gjerë rreth rolit që luajti BSH gjatë vitit të krizës.

"Kriza ka sjellë ulje të kërkesës së brendshme dhe të jashtme, shoqëruar me rënie të lehtë të remitancave. Këta faktorë janë ndjerë nga biznesi. Shpenzimet e qeverisë kanë qenë të larta. Po ezaurohet stimuli financiar dhe për këtë arsye u vendos të kalohej në një stimul monetar, pra të ulej interesi bazë. Ulja mund të jetë një sinjal shumë i mirë për ekonominë, për lehtësimin e kredimarrjes, por edhe nga pikëpamja e nevojës së tërheqjes së stimulit fiskal për shkak të nevojës për të stabilizuar parametrat makroekonomikë", tha Civici.

BSH e uli normën bazë nga 5.75 për qind në 5.25 për qind të mërkurën dhe deklaroi se kjo ulje mund të ndihmojë rritjen e investimeve në ekonomi në rast se qeveria nuk e rrit kërkesën për borxh publik. Shumë ekspertë, përfshirë edhe ish-guvernatorin e BSH, Shkëlqim Cani, patën sugjeruar ulje më agresive të normës bazë të interesit në ekonominë shqiptare si masë antikrizë. BSH e uli normën e interesit në janar 2009 dhe në tetor 2009, me gjithsej 1 për qind. Ulja e interesit në janar nuk dha efekt në treg për shkak të tërheqjes së një pjese të madhe të parasë së disponueshme në treg nga qeveria. Pavarësisht uljes së BSH-së, interesat e kredive në lekë janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, sipas të dhënave që publikohen nga Shoqata e Bankave.

Në të njëjtën periudhë, vendet e pasura i kanë ulur në masë të ndjeshme interesat e veta, ndërkohë që në shumë vende me të ardhura të mesme të Europës Qendrore e Lindore, ka pasur raste kur interesat janë rritur pavarësisht krizës. Interesi bazë i përcaktuar nga Banka Qendrore, ndikon në mënyrë indirekte mbi interesat e kredive dhe depozitave në lekë. Gjatë vitit të fundit, shoqatat e biznesit kanë sugjeruar uljen e interesave nga BSH, e cila i është përgjigjur me indiferencë këtyre ftesave.

"Norma bazë e interesit nuk është një instrument çudibërës. Banka u tregua relativisht konservatore dhe vendosi të ndërhyjë vetëm kur ndërhyrja e saj mund të ketë me të vërtetë efekt", tha profesor Civici.

"Ekonomia jonë nuk është në të njëjtat kushte me vendet e pasura dhe nuk mund të lëvizte në të njëjtën mënyrë", vijoi ai, duke iu përgjigjur kritikëve që mendojnë se BSH ndërhyri me vonesë.

Gjatë gjithë këtij viti, në fakt BSH nuk i uli interesat para së gjithash për shkak të shpenzimeve të larta të qeverisë, të cilat shkaktuan edhe rritje të fortë të interesave të bonove të thesarit. Bonot e thesarit kanë një ndikim real të drejtpërdrejtë në koston e lekut në treg, për shkak se borxhi publik është tregu më i rëndësishëm për investimin e lekut. Edhe të mërkurën, kur BSH e uli interesin e vet, paralajmëroi se është në dorë të qeverisë që ky vendim të ketë efekt real në uljen e kostos së kredisë në lekë.

Ndikimi te vlera e lekut

Ulja e normës bazë të interesit sjell teorikisht edhe rënien e aftësisë konkurruese të monedhës kombëtare në raport me euron si monedhë për ruajtjen e depozitave. Por një efekt i tillë kërkon shumë kohë që të shfaqet, ndërkohë që ulja e interesit të kredive në lekë pritet të japë një efekt më të shpejtë. Për këtë arsye, BSH gjykon se vendimi i saj i fundit nuk do të ketë ndikim në vlerën e lekut. "Zbutja e politikës monetare nuk pritet të ketë efekt te vlera e lekut", tha Civici.

Mbarimi i stimulit

BSH po përgatitet për trajtimin e pasojave të lëna nga kriza aktuale botërore në ekonominë shqiptare, përfshirë procesin e tërheqjes nga stimuli monetar i drejtpërdrejtë. Gjatë këtij viti, bankat i janë drejtuar BSH-së për likuiditete, duke tërhequr rreth 35 miliardë lekë në total përmes ankandeve të anasjella të riblerjes. Situata e likuiditetit duket se është përmirësuar gjatë muajve gusht dhe shtator, si pasojë e rritjes së konsiderueshme të depozitave. Tërheqja e stimulit është një proces delikat dhe i shumëdebatuar në të gjithë botën pasi mund të shkaktojë rënie të mëtejshme të ekonomisë. Edhe stimuli fiskal, të cilin qeveria shqiptare e ofroi me bollëk për ndërtimin e projekteve infrastrukturore, pritet të mbarojë shumë shpejt. Por deri tani, debati nëse stimujt fiskalë dhe monetarë kanë qenë efektivë apo jo për ekonominë, duket se nuk ka filluar ende. Stimuli fiskal i qeverisë u drejtua në masë të gjerë për ndërtimin e vetëm pak veprave të mëdha dhe ishte përgjegjës për rritjen e deficitit tregtar dhe deficitit të llogarisë korrente të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›