Medvedev propozon Putinin për president

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, tha se presidenti i ardhshëm i Rusisë duhej të jetw kryeministri aktual, Vladimir Putin.
Këto komente ai i bëri në kohën kur partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, po mban kongresin vjetor në Moskë.
“Mendoj se do të ishte korrekte që kongresi të mbështes kandidimin e liderit të partisë, Vladimir Putin, për postin e presidentit të shtetit”, tha Medvedev.
Ditë më parë, kreu i ekzekutivit rus Putin tha se Medvedev do të ishte në krye të listës elektorale të partisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen më 4 dhjetor.
Putin i tha gjithashtu kongresit se është pajtuar me Medvedevin për rolet e ardhshme të tyre në politikë.
Që të dytë, 58 vjeçari Putin dhe 46 vjeçari Medvedev, patën paralajmëruar më parë se mund të garojnë për postin e presidentit në zgjedhjet presidenciale të marsit.
Mirëpo, më pak se gjashtë muaj para mbajtjes së presidencialeve, asnjëri nga ata nuk ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën për këtë post.