Braçe: U shpërbë banda elektorale e Policisë së Tiranës
Pas shkarkimeve në Policinë e Tiranës ka reaguar edhe deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas këtij të fundit, sot u shpërbë banda elektorale në policinë e kryeqytetit, e cila punoi për fushatën elektorale të Lulzim Bashës, duke qenë se u emëruan në detyrë nga ky i fundit. Sipas Braçes, këto shkarkime u bënë shumë vonë dhe me pasojë të rënda për qytetarët e Tiranës.
Një vit e pak muaj më parë, për nevoja të zgjedhjeve në Tiranë, Lulzim Basha në cilësinë e ministrit të Brendshëm emëroi në krye të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, S.Muçën, D.Muçën, Gj.Jorgon, F.Hoxhën e disa oficerë të tjerë, Të gjithë njohje personale e tij e pa ndonjë aftësi profesionale.
Ata të gjithë u përfshinë në zgjedhjet e 8 majit në Tiranë. Më herët, të gjithë u përfshinë në dhunën barbare pas shpërndarjes së demonstratës së 21 janarit.
Sot u larguan të gjithë nga detyrat që mbanin. Por, me kosto shumë të madhe. Të vrarë e të plagosur pa fund në mes të kryeqytetit, mbi të gjitha vrasës të lirë dhe në aktivitet.
Për të fituar Lulzim Basha u favorizuan kriminelët, ndërsa rendi dhe qetësia publike në Tiranë mori fund, shprehet deputeti socialist.