E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi cakton datën e tryezës, Berisha-Rama takohen të shtunën

Pas takimit me ambasadorët, kreu i shtetit vendos takimin më 13 shkurt
Eljona Ballhysa
Pas një takimi konsultativ me tre ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përcaktoi dje datën 13 shkurt për mbajtjen e tryezës politike.
Në një njoftimin zyrtar për shtyp të Presidencës thuhet se presidenti Topi do të thërrasë tryezën e partive politike të maxhorancës dhe opozitës ditën e shtunë. Ky vendim është marrë pas konsultimeve me ndërkombëtarët, por edhe pas kontaktit me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha dhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Të dy këta politikanë kanë më pak se një javë kohë për të përgatitur listën e kërkesave, kushteve apo propozimeve që do të parashtrojnë në tryezën e diskutimeve. Kjo javë pritet të jetë vendimtare për zgjidhjen ose jo të krizës politike në vend.
Njoftimi
“Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, vendosi ta thërrasë tryezën politike ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010, në orën 11:00, në Selinë e Presidentit, në vijim të takimeve të sotme me kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me ambasadorin e SHBA-ve në vendin tonë, Xhon Withers II, si dhe pas kontakteve me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”, - shkruhet në njoftimin zyrtar për shtyp të Presidencës.
Përcaktimi i kësaj tryeze vjen pas një sërë negociatash jo vetëm të presidentit Topi, por të faktorit ndërkombëtar prezent në Shqipëri. Vetëm pak kohë më parë, Asambleja e KiE-së u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të pranojnë rolin e presidentit Topi si negociator për zgjidhjen e krizës politike në vend. Miratimi i Rezolutës së KiE-së ishte përcaktues për nisjen e negociatave që i hapën rrugën organizimit të tryezës së dialogut. Pas miratimit të kësaj rezolute, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka mirëpritur gatishmërinë dhe vullnetin për dialog të partive politike.
Kërkesat
Pika e nxehtë e këtyre negociatave pritet të jetë hapja ose jo e kutive të votimit. Partia Socialiste e konsideron këtë si kushtin kryesor për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit. Por, nga ana tjetër, qëndron Partia Demokratike me qëndrimin e saj diametralisht të kundërt. Kreu i PD-së, Berisha, është shprehur pro hetimit parlamentar të procesit zgjedhor duke përjashtuar në mënyrë kategorike hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. Në paketën e propozimeve që Partia Socialiste do të parashtrojë në tryezën e Presidentit zë vend kërkesa për miratimin e një ligji të veçantë që i hap rrugën hetimit të zgjedhjeve. Socialistët do të kërkojnë ngritjen e menjëhershme të një komisioni të posaçëm me prezencën e OSBE-ODIHR-it, që do të drejtohet nga opozita, e cila do të jetë në maxhorancë në këtë komision. Ata do të kërkojnë që të garantohet e drejta e opozitës për të bërë transparencën e dëshmive për parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Socialistët kërkojnë identifikimin e përgjegjësve, zyrtarëve nga Ministria e Drejtësisë ose nga Drejtoria e Burgjeve që kanë dhënë urdhër për të liruar të burgosurit gjatë periudhës zgjedhore. Një tjetër pikë që ata kërkojnë është rikthimi në postet e tyre të nëpunësve të shtetit në pushtetin qendror dhe vendor, të cilët janë hequr nga puna pasi mbështetën PS-në. Socialistët kërkojnë në paketën e kushteve për t’i dhënë fund bojkotit, ndryshime ligjore për të siguruar balancën mes qeverisë dhe opozitës në Këshillin Kombëtar të RTV-së, si dhe zbardhjen vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, me pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë të pavarur.
Lëshimet
Ulja në një tryezë bisedimi nënkupton që palët do të lëshojnë disa nga kërkesat e tyre. Në publik kryeministri Berisha është shprehur se është i gatshëm që t’i japë opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar, si dhe të drejtën për të propozuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, çka përfshin dhe ndryshimin e sistemit elektoral, duke kërkuar një sistem të ri elektoral që mendohet se mund të favorizojë opozitën. Nëse opozita do të ishte kënaqur me kaq, kriza politika do të kishte përfunduar me kohë. Ndaj pritet që në tryezën e negocimeve të hidhen kërkesa të tilla si balancimi i institucioneve kushtetuese, duke përfshirë këtu të drejtën e opozitës për t’u përfaqësuar në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Por, një tjetër kërkesë pritet të jetë e drejta e opozitës për të drejtuar komisionet më të rëndësishme parlamentare nga ku kalojnë projektligjet e qeverisë. Kjo do t’i jepte mundësinë Partisë Socialiste të shqyrtonte me detaj çdo projekt apo vendim dhe të kishte mundësinë e ndryshimit të tyre. Por, ashtu sikurse pohojnë burimet konfidenciale, në tryezën e bisedimeve pritet të bisedohet edhe për presidentin e ardhshëm, se cilës parti do t’i përkasë. Në këtë kërkesë pritet të ketë një lëkundje të maxhorancës në qoftë se do të duhet të zgjedhë mes zgjedhjeve të parakohshme dhe postit të Presidentit.

Lëshimet e mundshme në tryezën e Presidentit
Opozita të marrë shumicën dhe drejtimin e komisionit hetimor parlamentar.
Opozita të ketë përfaqësim në institucionet kushtetuese, si në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Opozita të ketë të drejtën për të propozuar ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor.
Opozita të ketë të drejtën të zgjedhë sistemin e ri zgjedhor.
Opozita të ketë të drejtën të drejtojë shumicën e komisioneve të përhershme parlamentare.
Opozita të ketë të drejtën që të propozojë emrin e Presidentit të ardhshëm të vendit.

Kërkesat e PS-së për t’i dhënë fund bojkotit:

Miratimi i një ligji të veçantë që i hap rrugën hetimit të zgjedhjeve.

Ngritjen e një komisioni të posaçëm me prezencën e OSBE/ODIHR-it që do të drejtohet nga opozita, e cila do të jetë në maxhorancë në këtë komision.

Garantimi e së drejtës për të bërë transparencën e dëshmive për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Identifikimin e përgjegjësve, zyrtarëve nga Ministria e Drejtësisë ose nga Drejtoria e Burgjeve që kanë dhënë urdhër për të liruar të burgosurit gjatë periudhës zgjedhore.

Rikthimin në postet e tyre të nëpunësve të shtetit në pushtetin qendror dhe vendor që janë hequr nga puna pasi mbështetën PS-në.

Ndryshime ligjore për të siguruar balancën mes qeverisë dhe opozitës në Këshillin Kombëtar të RTV-së.

Transparencë në zbardhjen dhe investigimin e vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi me pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë të pavarur.

Rekomandimet e OSBE-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Të përmirësohet regjistri për statusin civil dhe regjistri zgjedhor; në këtë kontekst, të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare.

Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave.

Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm.

Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve, në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme.

Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›