Mëhilli: Punistët e rinj sulmuan PPE-në
Selia blu dënoi dje ato që i konsideroi si sulme të ulëta të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndaj Partive Popullore Europiane, pjesë e të cilave është PD-ja. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, nëpërmjet një deklarate për shtyp, theksoi se në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe në vazhdim, Rama dhe përkrahësit e tij kanë marrë sulme të ashpra ndaj PPE-së. “Partia Demokratike e Shqipërisë, dënon sulmet dhe shpifjet e ulëta të punistëve të rinj ndaj Partisë Popullore Europiane, partisë që grupon sot partitë në pushtet në Gjermani, Francë, Itali dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së, si sulme të frymëzuara fund e krye nga trashëgimia hoxhiste”, deklaroi Mëhilli. Sipas saj, PPE-të të udhëhequra nga Adenauer, De Gol dhe De Gasperi, themeluan BE-në dhe janë këto parti që ndërtuan mrekullinë e Europës së Bashkuar. “Këto parti bënë të mundur shembjen e Murit të Berlinit dhe rrëzimin e diktaturave komuniste në Europë, ndër të cilat edhe pushtetin barbar komunist të Xhelil Gjonit, Sulejman Bushatit, Hamit Beqes, Kristaq Ramës”, deklaroi Mëhilli. Sipas saj, në PPE kombi shqiptar dhe Shqipëria ka miqtë e saj më të mëdhenj, më të çmuar që me mbështetjen e tyre të plotë ndaj Partisë Demokratike kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shndërrimet epokale në Shqipëri.
#