QSUT, mungon fiziologjiku ndëshkohen tre farmaciste
Neglizhencë në punë dhe parashikime të gabuara për shpërndarjen e duhur të medikamenteve në qendrën spitalore
Penalizohen tre nga punonjësit e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Për shkak të neglizhencës dhe mungesës së seriozitetit në punë, dy nga punonjësit e farmacisë më të madhe shtetërore në vend pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” janë ulur në detyrë. Ndërkohë që një punonjëse është larguar në mënyrë të menjëhershme nga puna, për shkak të problemit që ka shkaktuar për ecurinë e punës normale në spital, por kryesisht me pacientët. Blerjet për fiziologjikun, preparatin më të nevojshëm, të përdorur për serume, pothuajse në të gjitha shërbimet e spitalit më të madh në vend kanë qenë të mangëta, për shkak të planifikimit gabim që kanë kryer specialistët në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Përllogaritjet jo të sakta për blerjen e fiziologjikut, për shkak të neglizhencës së punonjësve i shkakton jo pak, por dëme të mëdha drejtuesve të shërbimeve, kryesisht të urgjencës, por nga ana tjetër vendos në vështirësi personelin dhe pacientët që kërkojnë shërbim të specializuar.
Drejtoria
Për herë të parë, drejtoria spitalore e qendrës “Nënë Tereza” merr masa lidhur me problematikën e mungesës së preparateve apo barnave, me të cilat furnizohet spitali. Masat nuk kanë qenë drastike, pasi ka pasur vetëm një të larguar dhe ulje në detyrë, por penalizime për raste të tilla nuk kanë qenë të shpeshta në listën e masave të marra nga administrata e QSUT-së. Nga ana tjetër, sipas Drejtorisë së QSUT-së, masa të tilla nuk janë marrë për të dëmtuar personelin, por thjesht për të vendosur më shumë rregull në sistemin e punës dhe mbi të gjitha për të mos neglizhuar rregullat që nevojiten për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientit.
Farmacia
Farmacia spitalore “Nënë Tereza”, një nga sektorët më të rëndësishëm në spital, është magazina më e madhe në të gjithë vendin për sa i takon ruajtjes dhe konservimit të barnave dhe preparateve spitalore. Kjo farmaci, në bazë të kërkesave që bën çdo shërbim i spitalit, kryen edhe shpërndarjen pranë strukturave të posaçme. Shpeshherë farmacia e spitalit “Nënë Tereza” ka qenë e “cituar” për probleme, si barna të skaduara, të cilat janë mbajtur atje, për ilaçe të gjetura pas shumë kohësh, apo për boshatisje të shpejtë të barnave specifike siç janë citostatikët, ilaçet me të cilat trajtohen pacientët me tumore.
Vitin e kaluar, një nga rregullat e vendosura nga drejtoria spitalore, për tërheqjen e këtyre barnave pranë farmacisë ishte dhe kërkesa me shkrim e pacientit, familjarit apo kujdestarit të tij, në rast nevoje. Ky udhëzim u vendos për menaxhimin më të mirë të ilaçeve si dhe për transportin e ilaçeve në vendin e duhur, te pacienti në nevojë.
#