E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: Rama, armik i rrugës

Partia Demokratike iu kundërpërgjigj dje deklaratave të opozitës për rrugën Durrës-Kukës. Demokratët shfaqën menjëherë shenjën e kundërshtimit për deklaratat e PS se rrugën do ta inaugurojnë socialistët dhe jo partia kryesore e së djathtës. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, reagoi ndaj akuzave të nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Gjatë komunikatës së saj për shtyp, Mëhilli tha se "Edi Rama me armiqësinë e tij të verbër ndaj rrugës nxori sërish kundër saj, yllin e politikës së re që këto kohë nuk po e përmend më, korrierin e Dondollakut, Erion Braçen, për të sulmuar sërish rrugën dhe ndërtimin e saj". Akuzat ndaj rivalëve politikë, tha ajo, kanë qenë në fokusin kryesor të demokratëve, të cilët me ironi kanë gjetur rastin për të atakuar deputetët e PS-së. Kampi demokrat dënon qëndrimin e opozitës për rrugën Durrës-Kukës, duke sqaruar se inaugurimi i saj do të bëhet shumë shpejt nga Kryeministri. Zëdhënësja Mëhilli shtoi më tej se "Partia Demokratike dënon sërish këtë qëndrim të Edi Ramës, armikut të rrugës i cili provon se Prokurorinë e Përgjithshme që fle mbi dosjet e larjes së parave të pista e krimeve të tij dhe klanit të tij kërkon ta keqpërdorë si parti politike". Mëhilli, në emër të demokratëve, theksoi se "përgjigjja përfundimtare e mazhorancës ndaj Edi Ramës për rrugën po afron së bashku me fundin e tij të mjerë". Deklarata nga selia e PD-së erdhi menjëherë pas deklaratës së deputetit Erion Braçe, i cili ka hedhur akuza ndaj ministrit Basha, që sipas tij po fshihet pas procedurave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›