Rama, PD insiston për hetim parlamentar
Propozimi i bërë pak ditë më parë në seancën parlamentare nga deputeti Edi Paloka për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryetarit të bashkisë, Edi Rama, duket se ka gjetur mbështetjen e grupit parlamentar të PD-së. Dje, zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi, gjatë një konference për shtyp deklaroi se hetimi parlamentar ndaj kryebashkiakut Edi Rama është vetëm çështje ditësh. Ai theksoi se grupi parlamentar i PD-së shumë shpejt do të dorëzojë në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor dhe do të kërkohet hetimi i Ramës për dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së ka kritikuar mënyrën sesi Rama ka drejtuar deri më tani bashkinë e kryeqytetit, duke theksuar se ai e ka kthyer atë në një monopol. "Ky është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, një monopol që i shërben një grushti njerëzish, që merr vendime në konflikt të hapur interesi. E gjithë kjo do të jetë një objekt hetimi parlamentar. Është gjithë koha e nevojshme, për shkak se këto materiale, nuk kërkojnë një kohë të madhe investigimi, janë publike", insistoi Bumçi. Megjithëse demokratët theksojnë se koha në dispozicion që i ka mbetur Kuvendit është e mjaftueshme për të hetuar kryebashkiakun Rama, nuk ndajnë të njëjtin mendim deputetët e tjerë të Kuvendit. Disa prej tyre theksojnë se në bazë të ligjit mund të ngrihet një komision hetimor dhe nuk ka asnjë pengesë, por koha që është zgjedhur nga mazhoranca është thjesht për "show" politik. Kjo për shkak se ka mbetur vetëm një muaj nga mbyllja e mandatit të këtij Kuvendi, dhe dhjetë ditë janë pak për të ngritur një komision dhe për të hetuar mbi abuzimet që mund të jenë bërë në Bashkinë e Tiranës. Sipas disa deputetëve të cilët rezervohen të japin komente publike, ky komision po ngrihet thjesht për çështje politike dhe elektorale. Teksa e cilësojnë një tullumbace që fryhet tani pak ditë para se të nisë zyrtarisht fushata elektorale. Komisioni nëse do të ngrihet nuk pritet të shoqërohet me një hetim të mirëfilltë, pasi koha nuk është në favor të grupit të PD-së këtë herë.
Reagimi
Shalësi: Mazhoranca, baltë
mbi lejet e ndërtimit
Nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit, Eduard Shalësi, reagoi dje pas akuzave të zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, për lejet e ndërtimit. Shalësi tha se po përbaltet procesi i lejeve të ndërtimit. "Sali Berisha po baltos dhe pengon njerëz të thjeshtë dhe të ndershëm, pronarë dhe sipërmarrës, familjarë që duan punë apo shtëpi", u shpreh Shalësi. Sipas tij, mazhoranca është e shkuara dhe politikë e vjetër, së cilës po i vjen fundi. Ndërkohë, Bumçi u shpreh dje se lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës janë në konflikt interesi. "Tri nga pesë leje ndërtimi i janë dhënë të njëjtës kompani", tha Bumçi.