Pernaska: Shitja e trojeve, Bashkia e Tiranës me dy standarde
Deputetja demokrate, Lajla Përnaska, kërkoi dje shpjegime nga kryetari i bashkisë, Edi Rama, se përse përdor standard të dyfishtë në koston e trojeve në të njëjtin vend. Përnaska i bëri apel kryetarit të bashkisë, z. Rama, të sqarojë aktet dhe praktikat e tij korruptive me trojet në qytetin e Tiranës. "Është denoncuar tashmë publikisht, abuzimi i rëndë me çmimin e truallit në të dyja anët e bulevardit të madh të kryeqytetit, në njërën anë të të cilit rreth hotel ‘Dajtit‘, çmimi i truallit është vlerësuar me 1500 euro/m2 dhe e miratuar kjo shifër nga bashkia, ndërkohë që trualli përballë, i lulishtes së ‘Tajvanit‘, bashkëpronarit të Ramës, është vlerësuar me 97 euro/m2. Zoti Rama, përse ky standard i dyfishtë në koston e trojeve, në të njëjtin vend, në zemër të Tiranës?", tha Përnaska. Njëkohësisht, ajo kërkoi sqarime se "vlera prej 1403 eurosh/m2, në cilët xhepa ka shkuar, në vend që të shkonte në buxhetin e shtetit, apo në fondin për kompensimin e pronarëve? Zoti Rama përse nuk i përgjigjeni dhe të sqaroni këto abuzime skandaloze para qytetarëve të Tiranës?". Nga ana tjetër, deputetja e selisë blu tha se do të vijohet të zbardhen dhe të kërkohen sqarime për çdo rast korrupsioni, apo megakorrupsini mëshiruar tashmë në bashkinë e kryeqytetit, për t‘i thënë ndal gllabërimit të trojeve të privatëve, pronarëve, vendalinjve, trojeve publike, për t‘i rikthyer Tiranës dhe qytetarëve të saj, dinjitetin e nëpërkëmbur.