E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekëve, 8 ankesa vetëm për mjekët e Tiranës

Ankesat vënë në dyshim ushtrimin e profesionit të mjekëve. Specialistët po shqyrtojnë rastet mjek-pacient
Emanuela Sako

Rreth tetë ankesa vetëm për punën e mjekëve të Tiranës janë depozituar pranë Urdhrit të Mjekëve. Vetëm në një muaj e gjysmë në këtë institucion janë drejtuar mjaft pacientë, të cilët kanë ankesa të ndryshme për punën e kryer nga mjekët e kryeqytetit. Burime pranë këtij institucioni sqaruan për gazetën “Albania” se pacientët ankohen se mjekët i sjellin vërdallë kur ata kanë nevojë për mjekun, përfshirë këtu dhe anën profesionale të punës së kryer nga mjekët. Për më tepër, një ndër problemet e qytetarëve mbetet mitmarrja. Sipas Urdhrit të Mjekëve, të gjitha ankesat e paraqitura pranë këtij institucioni janë në verifikim e sipër dhe ende nuk mund të thuhet nëse fajtorët janë mjekët.
Ankesat
Në shumicën e rasteve numri i ankesave që vijnë janë për klinikat shtetërore, pa përjashtuar ato private. Klinikat private më problematike janë ato okulistike dhe dentare. Një nga ankesat e paraqitura deri tani është për një klinikë dentare pranë Rrugës së Durrësit. Pacienti ankohet se ka probleme me protezën e vënë dhe për këtë fajëson mjekun, duke kërkuar edhe dëmshpërblim. Çështja do të diskutohet së shpejti nga Urdhri i Mjekëve për të provuar nëse mjeku ka kryer ndonjë gabim profesional. Një ankesë tjetër është për një mjeke në Poliklinikën Nr. 1, ku pacientja ankohet për etikën profesionale të mjekes. Dy ankesa të tjera janë për okulistët, pasi pacientët pretendojnë se u ka humbur shikimi dhe për këtë vënë në dyshim anën profesionale të okulistëve.
Masat
Ankesat e pacientëve që drejtohen në Urdhrin e Mjekëve diskutohen nëse janë të profilit të ankesave që shqyrton ky institucion ose jo. Nëse një ankesë e tillë është pjesë e diskutimit të tyre, atëherë ajo depozitohet me të gjitha të dhënat e sakta dhe dëshminë e pacientit. Më pas thirret mjeku përkatës për të dhënë versionin e tij. Urdhri i Mjekëve mbledh bordin e tij ose Këshillin Rajonal për të shqyrtuar çështjen. Në rast se rezulton që faji është i mjekut, atëherë merren masa ndaj tij. Masat parashikojnë dy vjet heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit, ose, nëse pasojat janë me humbje të jetës, mjeku do të ndiqet penalisht nga organet e Drejtësisë. Në këtë rast, Urdhri i Mjekëve nuk ka më përgjegjësi në këtë çështje dhe vendimi i ngelet gjykatës. Ankesat që pranohen për shqyrtim nga Urdhri i Mjekëve kanë natyra të ndryshme. Pacientët duhet të drejtohen në rastet kur vënë re se ndaj tyre është bërë një ndërhyrje e parregullt nga ana e mjekut, apo kur mjeku e ka neglizhuar sëmundjen e tij, që është bërë shkak për pasoja të tjera te pacienti. Pacientët duhet të drejtohen në të gjitha rastet që vënë re se nga ana e mjekëve është bërë shkelje. Pasi ky institucion mbron dhe kërkon ruajtjen e etikës profesionale të mjekëve dhe mbrojtjen e pacientëve.

Shën Valentini, Rama lule grave të shtruara te Onkologjiku

Gratë e shtruara në Pavijonin e Onkologjikut në QSUT kanë marrë dhuratë një tufë me lule nga kryebashkiaku Edi Rama. Me rastin e Shën Valentinit, në mënyrë simbolike Rama i ka vizituar gratë e këtij pavijoni për të dhënë më tepër kurajë dhe solidaritet dhe punën e përkushtuar të mjekëve. Ai i ka inkurajuar gratë për ta mposhtur sëmundjen vdekjeprurëse, duke e përballuar përmes sakrificave dhe vështirësive që ato hasin në trupin e tyre. Sipas tij, kjo ishte mënyra më e mirë për t’u qëndruar afër njerëzve në nevojë dhe atyre që luftojnë për jetën. “U them këtyre grave, nënave e motrave që eksperienca ime më ka mësuar se kjo është një sëmundje shumë e rëndë, por është një sëmundje që mundet. Besoj që ishte vendi i duhur për të sjellë lulet e Shën Valentinit dhe për t’u dëshmuar të gjithë këtyre zonjave të nderuara se ne u jemi mirënjohës për gjithçka kanë bërë si nëna”,- theksoi Rama.

Fakultetet, një vit pa “Mastera”
Të gjithë ata që pretendojnë të kryejnë Master në fakultete, për këtë vit nuk do t’u jepet mundësia, përveç aplikantëve të Ekonomikut në Tiranë, që sapo kanë nisur studimet. Kjo ka ndodhur për shkak të kontradiktave dhe mospërputhjeve me rregulloret që ka Ministria e Arsimit dhe drejtuesit e fakulteteve. Për këtë studentët duhet të bëjnë një vit pushim dhe ta lënë pas dëshirën për të kryer studime më të thelluara për degën që dëshirojnë. Konflikti që solli bllokimin e Masterave ka ndodhur që në vitin 2007, kur fakultetet çuan kuotat e pranimit pranë Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit nuk i pranoi kërkesat, duke i kthyer sërish pas. Atëherë, ministri Pollo nxori urdhër ku kërkonte që të gjitha universitet publike të reformonin kurrikulën, duke u bazuar në ligjin e Arsimit të Lartë, i cili mbështetet në sistemin e Kartës së Bolonjës.

Ndoka, këshilla mjekëve më analizën vjetore të QSUT-së

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë analizës vjetore të QSUT-së, u ka dhënë këshilla mjekëve që të mos jenë neglizhentë ndaj kritikave që u bëhen për rastet e abuzimeve apo gabimeve në ushtrimin e profesionit. Ministri vuri në dukje edhe problemet e administrimit, pasi QSUT-ja ka buxhet më vete dhe ka të gjithë aksesin ligjor për zgjidhjen e duhur të problemeve. Ai e cilësoi si të pafalshëm rastin e skanerit, i cili prej dy muajsh nuk funksionon për shkak të prishjes së llambës. Sipas Ndokës, QSUT është mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë për çdo projekt që ka lidhje me menaxhimin më të mirë të institucionit. Kështu, futja e shërbimeve private në sektorët e higjienës, ushqimit, pastrimit, hotelerisë etj., janë një risi për QSUT-në dhe një model që do të ndiqet edhe në disa shërbime të tjera. Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit, Mati Pepa, deklaroi se këtë vit QSUT do të nisë një politikë të re ndaj nevojave për edukim të vazhdueshëm, për përmirësimin e Protokolleve të Kujdesit Infermieror, hartimi i studimit mbi ndryshimin e formës së administrimit të Laboratorit Kimik-Biokimik dhe Laboratorit Mikrobiologjik etj.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›