E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, Këshilli Mbikëqyrës bëri ”kokë turku” Andi Belin

”Objeksionet e paraqitura me Shkresën Nr.10/1, datë 02.04.2007, të kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, z. Artan Hoxha, janë thjesht justifikime që mundohen të shmangin përgjegjësinë në keqmenaxhimin e KESH-it, i cili për vitin 2006 paraqitet me tregues të përkeqësuar, gjë që e ka çuar në kolaps të plotë financiar. Për këtë evidentojmë në pikën 6 të faqes 3 të observacionit të tij, ku thuhet se ”... Arsyet e moskryerjes të vëna mbi ekzekutivin e kompanisë janë marrë së fundi në shqyrtim edhe nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili, në mbledhjen e datës 2 mars 2007, vendosi për lirimin nga detyra të drejtorit Andi Beli dhe zëvendësimin e tij nga z. Gjergj Bojaxhi.” Pra, nga vetë citimet e mësipërme, pranohet se Këshilli Mbikëqyrës ka marrë në analizë Ekzekutivin kur gjendja e korporatës arriti në nivele kritike. Nga kontrolli i ushtruar për aktivitetin ekonomiko-financiar konstatohet se mjaft vendime të Këshillit Mbikëqyrës kanë influencuar në përkeqësimin e gjendjes financiare që në disa raste janë shoqëruar edhe me dëme ekonomike. Me Vendimin Nr. 5, datë 10 nëntor 2005, ”Për Miratimin e Propozimit të Sh.a KESH për marrjen e Over Draftit për mbulimin e Letër Kredisë për pagesat e importit të energjisë elektrike deri në 8 milionë euro ekuivalent në lekë pranë Bankës Amerikane të Shqipërisë”, shoqërisë i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën rreth 30 milionë lekë, për fondet e papërdorura për hapjen e garancive bankare. Vendime të ngjashme janë marrë edhe në lidhje me humbjet në rrjet apo për të tjera çështje dhe dokumentet dhe tabelat e siguruara kanë vërtetuar se si përfundim del e qartë se për keqmenaxhimin e KESH-it përgjegjësia e Këshillit Mbikëqyrës është evidente”.

Marrë nga raporti i KLSH-së

Skandali, Korporata e miliardave pa rregullore të brendshme

Ndërsa shkeljet dhe dëmet financiare kanë qenë të qarta në KESH, duket se gjetja e përgjegjësve për KLSH-në nuk ka qenë edhe aq e lehtë pasi ky institucion nuk ka një rregullore të brendshme, e cila do të strukturonte përgjegjësit dhe kufijtë e secilit drejtues apo punonjës. Kjo ka qenë edhe arsyeja që në listën e rekomandimeve të KLSH-së pika e parë ishte pikërisht rekomandimi se KESH duhej sa më shpejt të hartonte një rregullore të brendshme. “Të hartohet dhe miratohet rregullorja e brendshme e funksionimit të shoqërisë duke pasqyruar ndryshimet e bëra në strukturën e KESH-it”, - shkruhet në raportin e KLSH-së. Ndërkohë që pika e dytë e rekomandimeve ka lidhje me prokurimet. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ky kontroll i KLSH-së ka vërtetuar se prokurimet për blerjen e energjisë, dhe jo vetëm, kryhen jashtë çdo lloj standardi dhe kontrolli. “Të ngrihet njësia e prokurimit në strukturat e zonave të shpërndarjes elektrike“, - shkruan raporti i KLSH-së. Gjithashtu, KLSH-ja ka kërkuar që “të merret në analizë realizimi i investimeve të akorduara në vite nga fondet e donatorëve të huaj, të evidentohet problematika dhe të përcaktohen masat konkrete për plotësimin e të gjitha kushteve të përcaktuara në kontratat përkatëse”.

ANËTARËT E KËSHILLIT MBIKËQYRËS

ARTAN HOXHA KRYETAR
ZAMIR STEFANI ANËTAR
SUZANA PANARITI ANËTARE
AGIM BREGASI ANËTAR
LULZIM QINAMI ANËTAR
AHMET MANÇELLARI ANËTAR

RAJMONDA BOKSI SEKRETARE

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›