Kosova, ëndrra e shekullit
Nga Azgan Haklaj
I shkurtër ky muaj, por për shqiptarët duket se do mbahet mend si shumë i gjatë dhe shumë historik njëkohësisht. Orët emotive drejt Pavarësisë po limitohen. Festa e madhe po troket. Kosovarët shihet të jenë sa të gëzuar e krenar, po aq edhe të përgjegjshëm për hapin e shekullit që po ndërmarrin. Është një hap që prej shqiptarëve po shihet jo si një Babagjysh përrallash që sjell dhurata, por një sfidë e re mundi e pune për të mbjellë lirinë e sovranitetin sipas parametrave të përparuar. Kurorëzimi i luftës shekullore kërkon qytetari, forcë, dinjitet e maturi. Urojmë dhe shpresojmë që kjo festë legjitime të mos provokohet më tutje, siç fatkeqësisht po ndodh me disa deklarata të papërgjegjshme që vazhdojnë të dalin nga kazani i thartuar nacional-shovinist i Beogradit. Pa i nënvlerësuar aspak këto deklarata të Serbisë dhe disa aleatëve të saj, të cilët me këtë rast më shumë se aleancë me serbët po mundohen të prodhojnë supermaci për vete, mund të themi se situata vazhdon të jetë e qetë. Kosovarët tani duket se i kanë të qarta obligimet e ardhmërisë. Duke i bashkuar detajet, them se detyrat themelore për më tutje janë si vijojnë: Ruajtja e hapësirës jetësore shqiptare, Ndërtimi i një shteti modern, në funksion të demokracisë, Imponimi i mëtejmë politiko-diplomatik për njohjen nga të gjithë të shtetit të ri të Kosovës.
Beogradi, natyrisht sa për strategji të lidershipit, po aq edhe për forcë zakoni do të insistojë gjatë të fusë stërkëmbsha. Në këtë fushatë, ai ka me vete vëllain e madh të sllavizmit, Rusinë. Po ashtu Kosova vazhdon të jetë laborator eksperiencash për teoritë e shumta politike rajonale dhe globale. Përzierja e shumë interesave të huaja në Kosovë e Ballkan ka instrumentalizuar si pakicat dhe popujt e rajonit. Ky precedent duhet të kihet në vëmendje të madhe. Është e papranueshme që zërat histerikë të vijnë edhe nga lidershipet politike serbe siç edhe u konstatua në fushatën e fundit të zgjedhjeve presidenciale atje. Ideja e “Serbisë së Madhe” ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Por duhet pranuar se kjo ide për një Serbi të Madhe dhe homogjene qenka rrënjosur thellë dhe në kulturën politike serbe. Është vërtet për të ardhur keq që ky mentalitet ndonëse me veshje të kamufluar ka në bazë kodifikimin e V. 1844 nga Ilia Garashanini të memorandumit “Nacertanije”. Ky memorandum famëzi është njollë e rëndë për civilizimin. Rezymjeja e tij është e thjeshtë siç edhe e ka përcaktuar në fillim shekullin e XX një tjetër politolog serb, Nikolla Stojanoviç: “DO ISTRAGE VASE ILI NASE” (Deri tek shfarosja juaj apo e jona). Por kjo strategji serbo-madhe e materializuar sa herë në Kosovë, dhe në popujt e tjerë rreth Serbisë është shumë e qartë për perëndimin. Prandaj u krye ndërhyrja në Kosovë, prandaj edhe kancelaritë më reputative të globit do ta njohin shtetin e ri të Kosovës. Megjithë këtë mentalitet kriminal, Kosova mbijetoi dhe sot po i drejtohet sovranitetit dhe pavarësisht, lidershipi kosovar po demonstron forcë dhe tolerancë duke i provuar botës se s’ka ndërmend të ndërtojë një shtet “krejtësisht të pastër”. Kush e mendon dhe dëshiron këtë nuk do ta ketë përkrahjen e Europës. Shumë eksperienca, të cilave po u shtohet dhe Kosova po tregojnë se koncepti i sigurisë dhe i mbrojtjes së shumë shteteve multietnike në Ballkan do të mbetet në jetë. Qeveria dhe shteti i ri i Kosovës në këtë proces pavarësimi si dhe më tutje do të dëshmojnë kompetencë dhe aftësi për të zhvilluar vendin në interes të të gjithë banorëve të saj. Po ashtu pritet një politikë shembullore në drejtim të pakicave, një politikë reale dhe jo e ekzagjeruar. Duke i mbyllur këto rreshta, si çdo shqiptar bashkoj urimin dhe vullnetin që gjithçka të shkojë mirë. Nuk është fjala për një ceremoni të thjeshtë shtetërore, por për një kurorëzim të shumë përpjekjeve titanike nacionale, të një lumi gjaku të derdhur, të një ëndrre të lartë kombëtare që pret të materializohet.
Pa marrë poza kritizeri apo këshilluesi unë shpreh mendimin tim se së bashku me qeverinë e Kosovës edhe qeverinë dhe shtetin shqiptar e presin jo pak sfida. Nuk e kam fjalën për sfida verbale deklarative dhe ato diplomatike. Gjithashtu nuk jam i mendjes së një paternalizmi folklorik patriotik nga Tirana zyrtare. Ajo që do predikoja si emergjencë është formulimi i një strategjie afatgjatë e efiçente kombëtare në ndihmë konkrete të gjithanshme për shtetin e ri të Kosovës. Po ashtu duhet të avancohet në projektet e nisura të lidhjeve kombëtare, kryesisht ato infrastrukturore. Krahas projekteve të iniciuara si korridori Adriatik-Alpe duhet të elaborohen të tjera me strategji zhvillimi. Pa paragjykuar të ardhmen e Kosovës me fqinjët ne duhet të jemi koshient se frymëmarrja kryesisht ekonomike e shtetit më të ri në Europë, lidhja e saj jetike me perëndimin do të jetë përmes vendit tonë. Në këtë aspekt, përpos një sentimentalizmi të natyrshëm verbal duhet strategji e detajuar për tu përballur me situatat e reja me sfidat e pritshme. Nëse që nga viti 1999, faktori ndërkombëtar ka qenë protektor dhe faktor primar në të ardhmen, ai do të jetë komplementar. Pavarësia dhe sovraniteti përveç risive mbartin përgjegjësi kombëtare. Kjo është sprova jonë. Një sprovë që mendoj se do të ketë sukses.
15 Shkurt 2008