E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalet, ndryshime në ligj për punësimin e të rinjve

 Ndryshime në ligj për të mundësuar mekanizma të rinj në punësimin e të rinjve që përfundojnë arsimin profesional. Gjithashtu rritje e autonomisë së shkollave të këtij profili. Gjithçka u bë me dije dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional, i kryesuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj dhe Ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Z. Spiro Ksera. “Janë disa ndryshime në ligj që do të diskutohen me grupet e interesit që kanë të bëjnë me nxitjen e vetëpunësimit të të rinjve, që përfundojnë shkollat profesionale ose kurset e formimit profesional. Ligji i ri do të ketë ndryshime që synojnë të rrisin rolin e Këshillit, të rregullojnë raportet mes Këshillit dhe Agjencisë së Formimit Profesional dhe të rregullojnë edhe raportet e marrëdhëniet me partnerët socialë dhe me pushtetin vendor”, tha Tafaj. Ai cilësoi se të dy titullarët e ministrive janë të interesuar dhe do të bëjnë përpjekje për ta rritur dhe intensifikuar veprimtarinë e këtij Këshilli dhe frymën e ndryshimeve që i bëhen këtij ligji në implementimin e tij.  Nga ana e tij, Ministri i Punës Spiro Ksera vlerësoi se formimi profesional është një hallkë shumë e rëndësishme për krijimin e vendeve të punës dhe programet e nxitjes së punësimit. “Takimi i sotëm për të diskutuar për formimin profesional, për ndryshimin e legjislacionit dhe për të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga partnerët socialë nga donatorët, por edhe nga vështirësitë e hasura më parë, është shumë i rëndësishëm, që ne të arrijmë që në këto takime të krijojmë dinamikën e munguar për Këshillin”, - tha Ksera. Më pas në takim u diskutua në nivel ekspertësh mbi mekanizmat financiarë nxitës për punësimin e nxënësve që përfundojnë shkollat profesionale. Po dje Ambasada e Republikës Popullore të Kinës dhuroi libra, kompjutera, wi-fi, mjete didaktike dhe elektronike për seksionin e Gjuhës Kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, sh.t.z. ëang Junling, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dekanja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra e shumë pedagogë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›