E Diel, 1 Nëntor 2026

Meidani: Imami të japë dorëheqjen, Gjunkshi të përgjigjet penalisht

Share

Gjunkshi, Topi, Berisha dhe Imami

Ish- presidenti, Rexhep Meidani, ka komentuar sërish çështjen e emërimit të Komandantit të Flotës Detare nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ai thotë se kjo është një shkelje e rëndë kushtetuese. Ai e quan skandaloze edhe deklaratën e shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi, se emërimi ka qenë i rregullt. Sipas Meidanit, qëndrimi i tij bëhet dhe më i rëndë tani që është revokuar urdhri. Në një intervistë për Panorama, Meidani thotë se Imami duhej të jepte dorëheqjen dhe Gjunkshi të mbajë përgjegjësi penale.

Sipas nenit 168/2 të Kushtetutës: Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kjo kompetencë kushtetuese e Kryetarit të Shtetit lidhet me konceptin demokratik të drejtimit civil të Forcave të Armatosura. Po brenda këtij koncepti, Presidenti, në kohë lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit (neni 169/2), ndërsa për kohë paqeje ai me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore (169/3). Ky paragraf kushtetues nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në procedurën e emërimit të komandantëve të forcave tokësore, detare dhe ajrore. Atëherë, si shpjegohet kjo shkelje e rëndë kushtetuese? Madje, kur e dëgjova për herë të parë, mbeta i shokuar. U dhashë të drejtë edhe miqve të mi, që e quajtën këtë veprim një rënie shteti apo dalje nga binarët! Sidoqoftë, personalisht e kam vështirë të gjej ndonjë justifikim zbutës! Aq më keq, që pas plasjes së këtij skandali, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura deklaroi nga Uashingtoni se emërimi i Komandantit të Flotës Detare, duke shmangur Presidentin e Republikës, ishte kryer në përputhje me ligjin (!). Akoma më e çuditshme ishte se në këtë përgjigje, ai shtonte që ministri i Mbrojtjes ka si kompetencë të emërojë pa dekret komandantët nëse ata nuk kanë gradën gjeneral. Se ku e gjente ky ushtarak këtë formulim ligjor, kur Kushtetuta në nenin 169/3 flet ndryshe, e di vetëm ai! Veçse nëse ai ka gisht në këtë shkelje kushtetuese duhet të kërkojë falje publike, deri të mbajë, si ushtarak, edhe përgjegjësi penale. Kjo bëhet akoma më e detyrueshme me revokimin e urdhrit të ministrit për këtë emërim. Nga ana tjetër, edhe sikur ministri të jetë urdhëruar për një emërim-shkelje të tillë, ai duhet të kishte reaguar, deri duke dhënë dorëheqjen, për të mos firmosur një urdhër të tillë, që preku Kushtetutën shtyllën bazë të shtetit demokratik, për hartimin e së cilës ai ishte dhe bashkëkryetar i komisionit përkatës 14 vjet më parë, tha Meidani.

Ish- presidenti duke komentuar taksën progresive të propozuar nga Rama, thotë se kjo nuk është gjë e re pasi PS deri në vitin 2005 aplikonte një taksë të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›