Me sytë nga Lindja
Ndërsa qeveria e Tiranës po shmanget nga Bashkimi Europian për shkak të zbatimit të dobët të ligjit dhe korrupsionit të përhapur, Tirana kërkon mbështetje nga ish- sundimtarët e saj perandorakë
Nga Besar Likmeta, BIRN
Gjatë një vizite dyditore në Turqi, Berisha u takua me presidentin turk, Abdullah Gul, me kryeministrin Recep Tayyip Erdogan dhe me ministrin e Jashtëm, Ahmet Davutoglu.
Në Ankara Berisha nënshkroi dy marrëveshje diplomatike, duke forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa kryeministri turk premtoi zgjerim të investimeve turke në Shqipëri.
Shqipëria është një aleat strategjik i Turqisë në Ballkan, tha Erdogan në një konferencë për shtyp. Aktualisht tregtia mes dy vendeve kap vlerën e 400 milion dollarëve dhe ne synojmë zgjerimin e investimeve turke që tashmë kanë kaluar 1 miliard dollarë, tha Erdogan.
Berisha nga ana tjetër nënvizoi se Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon gjatë dy dekadave të shkuara, ndërkohë që qëndrimi i tyre për rajonin është identik.
Respekt për kufijtë ekzistues në interesin më të mirë të Ballkanit, tha Berisha, duke shtuar se Shqipëria mbështet kërkesën e Turqisë për tu bashkuar me Këshillin e Sigurimit të OKB.
Turqia do të luajë një rol të rëndësishëm në forumin më të lartë ndërkombëtar, shtoi Berisha.
Shqipëria shpalli pavarësinë në vitin 1912 gjatë Luftës së Parë Ballkanike, pas rënies së Perandorisë Otomane, paraardhësja e Turqisë moderne.
Por prej dy vitesh Shqipëria ka mbetur në dhomën e pritjes së BE, duke dështuar me progresin e mëtejshëm drejt anëtarësimit për shkak të krizës politike në Shqipëri dhe reputacionit për korrupsion.
Tirana aplikoi fillimisht për kandidaturën e BE në prill të vitit 2009. Oferta e saj u refuzua për herë të dytë tetorin e shkuar duke theksuar se reformat kishin ngecur për shkak të krizës politike.
Komisioni Europian theksoi se nuk ishte bërë mjaftueshëm progres në dialogun politike apo në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Me Brukselin që po tregon skepticizëm në rritje në lidhje me aftësinë e Shqipërisë për të ndërmarrë reforma, Berisha i ka kthyer sytë nga lindja, duke kërkuar investime dhe aleatë të rinj.
Muajin e shkuar ai vizitoi Azerbajxhanin, ku Shqipëria kërkoi investime në sektorin e naftës në Shqipëri dhe për projektin e gazsjellësit Trans- Adriatik, që do kalojë përmes Shqipërisë.
*Titulli është redaksional