Meidani: Mandati i bllokuar i PS, lojë për Presidentin

Ish-presidenti Meidani
Analiza e ish-presidentit për konfliktin PD-PS.
Çdo votë e shpalosur apo e munguar mund të rezultojë vendimtare në proces
Deri vonë, nëpërmjet një propagande të fuqishme, ushqehej e kultivohej ideja, deri dominonte mendimi se opozita e parapëlqente përplasjen dhe agresivitetin. Sot, situata duket ndryshe. Po flitet gjithmonë e më shumë se është pozita, pavarësisht se çfarë deklarohet, ajo që nuk e parapëlqen qetësinë, normalitetin e bashkëpunimin. Madje, janë shtuar zërat se është ajo vetë që e provokon apo e nxit tensionin, përplasjen e sherrin, siç ka vepruar në vitet e para të qeverisjes së saj dhe sidomos gjatë qëndrimit të saj në opozitë.
Në të vërtetë, që në fillim të pluralizmit, në mjedisin politik shqiptar është ndërtuar, diku me dashje, diku pa dashje, një filozofi sherri. Nuk kanë munguar edhe përpjekjet për të krijuar një psikologji frikësimi e komandimi, diku për të fituar apo ruajtur pushtetin, diku edhe për zakon e ushqim dite. Në shumë raste ajo ndeshet edhe sot. Kështu, si një tip teknologjie, disa politikanë e analistë e justifikojnë dhe e argumentojnë atë sot me situatën kritike politike-ekonomike të brendshme dhe atë të borxhit në vendet e eurozonës; me vështirësitë permanente ende të papërballueshme në disa shtresime të konsiderueshme qytetarësh shqiptarë; kurse disa të tjerë e lidhin atë me korrupsionin administrativ dhe paaftësinë qeverisëse, të shoqëruar me trysni, pseudo-akuza publike, largime nga puna, kërcënime tatimore, etj.; për të tjerë, ajo lidhet me dyzimin për kapërcimin e krizës së zgjedhjes së presidentit; nuk mungojnë dhe individë që mendojnë se nevojitet lufta për ruajtjen e radhëve partiake e militante, sidomos, p.sh., në krahun e djathtë pas formësimit të dy grupimeve të reja politike; ka dhe individë të tjerë që shkojnë deri aty sa të deklarojnë se aktualisht po provokohet apo kërkohet sherri për të mos përfunduar në kohë reformën zgjedhore, lënien mënjanë të neneve për korrektimin kombëtar apo kohën e nevojshme për realizimin e kërkesave të neneve, që lidhen me saktësimin elektronik të votimit dhe numërimit; dhe kështu mund të rreshtohen analiza e gjykime të tjera, të drejta apo të padrejta, si argumente, kundër-argumente ose pseudo-argumente në leximin e këtij realiteti politik shqiptar. Për më tepër, kjo ka qenë linja anormale e zhvillimit të tij, me përjashtim të disa pauzave tejet të shkurtra…
Edhe muajt e fundit, pas një trysnie të vazhdueshme ndërkombëtare, me gjithë shkallën përgjithësisht të pranueshme të bashkëveprimit pozitë-opozitë, po vazhdojnë të nxjerrin kokën përpjekje të ndryshme për trazimin e mjedisit politik shqiptar. Pra, aty-këtu, synohet të nxirret diçka e mirë, diçka pozitive, edhe pse më shpesh ajo nuk bitiset dot, lihet në rrugë, apo deformohet me qëllim. Ndërkohë, në vend të saj, në shumicën e kohës provokohet mosbesimi e sherri, kërkohet instalimi i tyre. Jo vetëm ai politik-partiak, por edhe ai ligjor-kushtetues. Bile, nëse para disa viteve, shkeljet e kushtetutës ndesheshin në procesin e miratimit parlamentar, pra ishin më shpesh legjislative, sot shumicës qeverisëse i ka dalë turpi. Për më tepër, janë shtuar veprimet e orientimet, urdhrat, rregullat e vendimmarrjet me përmbajtje shqetësuese. E tillë është, p.sh., lënia në një gjumë gati 2-vjeçar kuvendor e dekreteve të Presidentit të Republikës për disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Madje, shumë më mirë do të ishte që ata të trajtoheshin dhe të hidheshin poshtë nga shumica parlamentare në Kuvend, sesa të harroheshin apo mbeteshin pezull në sirtarët e tij! Po ashtu, me përmbajtje problematike kanë qenë, kohët e fundit, edhe përplasjet për uzurpimin e pushteteve në nivelin vendor, ku rasti më tipik ka qenë ai i Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit. Megjithatë, më poshtë, do të ndalojmë kalimthi vetëm për dy raste më të freskëta, njeri që gjeti njëfarë lehtësimi me revokimin e urdhrit të emërimit të një ushtaraku të lartë dhe tjetri që lidhet me zëvendësimin e mandatit të një deputeti në një sistem elektoral proporcional…
Emërim jashtë kompetencave ligjore-kushtetuese.
Sipas nenit 168/2 të Kushtetutës: Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kjo kompetencë kushtetuese e kryetarit të shtetit lidhet ngushtësisht me konceptin demokratik të drejtimit civil të Forcave të Armatosura. Ndërsa, sipas nenit 169/2, Presidenti, në kohë lufte, emëron dhe shkarkon komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit (neni 169/2), ndërsa për kohë paqeje ai, sipas nenit 169/3, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore. Ky paragraf kushtetues, nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në procedurën e emërimit të komandantëve të forcave tokësore, detare dhe ajrore.
Atëherë si shpjegohet kjo shkelje kushtetuese? Personalisht e kam vështirë të gjej ndonjë justifikim zbutës! Aq më keq, që pas bërjes publike të kësaj shkelje, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, deklaroi nga Uashingtoni, në një intervistë në Zërin e Amerikës, se emërimi i komandantit të Flotës Detare, duke shmangur Presidentin e Republikës, ishte kryer në përputhje me ligjin (!). Akoma më e çuditshme ishte se në këtë përgjigje ai shtonte që ministri i Mbrojtjes ka si kompetencë të emërojë pa dekret komandantët e forcave kryesore (tokësore, detare dhe ajrore) nëse ata nuk kanë gradën gjeneral. Sidoqoftë, me revokimin e urdhrit për këtë emërim prej vetë ministrit, këtij ushtaraku me detyrën më të lartë në hierarkinë e Forcave të Armatosura, në mos dorëheqje, të paktën, të kërkojë falje publike…
Vonesë e pajustifikueshme në zëvendësimin e një mandati.
Trajtimi i mëposhtëm vlen për sistemin zgjedhor aktual që është një sistem proporcional në nivel qarku (pra, me mos përsëritje individuale zgjedhjesh). Duke qenë i tillë, pas dorëheqjes së deputetit, kalimit të tij në një detyrë tjetër apo rast vdekjeje, sipas Kodit, kalohet thjesht në emrin pasues në listë të së njëjtës parti apo koalicion. Pra, përveç moslejimit të pajustifikueshëm të kërcimit të ndonjë emri në listë, ky proces shpreh në thelb interesin dhe vullnetin e partisë ose koalicionit përkatës. Madje, në kushte rregullsie e normaliteti diçka e tillë duhet ta lërë gati-gati indiferent kampin tjetër politik.
Por, le të kthehemi tani te rasti Seseri. Ka rreth 4 muaj që deputetja socialiste, R. Seseri, ka hequr dorë prej mandatit të saj parlamentar dhe ende sot nuk është bërë zëvendësimi i saj. Në fakt, sipas Kushtetutës, pas heqjes dorë nga mandati, Kuvendi deklaron mbarimin e mandatit (neni 71/2, germa b e Kushtetutës) dhe njofton KQZ-në për vendin e lirë të krijuar. Kandidati pasues në listë (për të njëjtën konfiguracion politik) fiton mandatin e ndërprerë (neni 164/1 i Kodit Zgjedhor). Por, në listë, në këtë rast, formalisht si emër pasues konsiderohej Gj. Bardhi. Kjo edhe pse ai kishte njoftuar paraprakisht refuzimin (më saktë, mosmarrjen) e këtij mandati, nga që ushtronte detyrën si zgjedhur në një njësi vendore.
Pas vendimit të KQZ-së, ai u paraqit në Kuvend për deklarimin publik të heqjes dorë prej këtij mandati, si të thuash, të dhënë me forcë nga KQZ-ja. Njëlloj veprohet edhe në rastet kur kandidati i radhës, pas njoftimit, nuk paraqitet në Kuvend (brenda 30 ditëve), pa shkaqe të përligjura. Por, në rastin konkret, z. Bardhi u paraqit vetë në Kuvend dhe deklaroi heqjen dorë nga mandati, që nënkuptonte dhe mos bërjen e betimit (neni 71/2, germa a). E thënë ndry