Vokshi: Të dënohen gazetarët, botuan të dhënat e mia private
Miratohet projektligji Për mbrojtjen e të dhënave personale
Komisioni Parlamentar i Integrimit ka miratuar dje me konsensus projektligjin Për mbrojtjen e të dhënave personale. Opozita në komision propozoi dhe shtimin e gjobave subjekteve që abuzojnë me të dhënat personale. Masa e gjobave, sipas deputetit Taulant Balla, duhet të jetë nga 1 milion lekë deri në 1% të xhiros vjetore të kompanisë që kryen shkelje me të dhënat private. Ndryshimi në fjalë është pranuar dhe nga komisionerja e Mbrojtjes së Dhënave Personale, Flora Çabej, e cila deklaroi se deri më sot janë vendosur rreth 43 gjoba ndaj institucioneve publike dhe bizneseve private. Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka kërkuar nga komisionerja që të merren sanksione edhe ndaj medias, në rastet kur publikohen të dhëna personale. Deputetja e PD-së theksoi para komisionit se në rastin e saj është abuzuar nga gazetarët, duke publikuar në media certifikatën familjare dhe të dhënat personale. Mediave në këtë rast që marrin certifikatat dhe pavarësisht se e dinë që janë strikte personale dhe nuk duhet ti publikojnë. Dakord specialisti i gjendjes civile e bëri gabimin me urdhër pa urdhër, e ka ai gabimin, sepse ka nxjerrë i pari të dhëna që nuk duhet ti nxirrte. Ato janë të dhënat e mia dhe unë nuk e kam dhënë atë pëlqim. Por, media e cila e publikon në këtë rast, a ndërmerren sanksione nga ana juaj ndaj këtyre mediave apo kush i kontrollon, për të marrë sanksione që të mos abuzohet me çdo individ në Shqipëri? Sepse është abuzuar dhe po abuzohet në mënyrë të paparë nga media, duke shpërdoruar informacionet ndaj individëve, theksoi deputetja Vokshi. Ndërkaq, komisionerja Flora Çabej ka inkurajuar deputetët që të paraqesin ankesa pranë këtij institucioni, në mënyrë që të frenohet publikimi i paligjshëm i të dhënave personale. Sipas ligjit të ri, gazetarët rrezikojnë deri në 5 milionë lekë të vjetër, nëse konstatohet dhunim i privatësisë apo shkelje e Kodit e Etikës, dhe ndaj tyre aplikohet kundërvajtja administrative.
Diskutimet në Komisionin i Integrimit
Albana Vokshi: Duke u nisur nga një rast i imi personal, kur një gazetar ka shkuar në një zyrë të Gjendjes Civile dhe specialistja e Gjendjes Civile ka dhënë certifikatën time me të dhënat personale. Është një certifikatë që ka dalë në media, është bërë publike, dhe mbi të cilën janë bërë shumë konferenca për shtyp të një partie opozitare. Po media, kontrollohet prej jush dhe a futet në penalitete nëse publikon të dhëna që janë strikt personale të dikujt?
Flora Çabej: Ne kemi pasur raste kur është abuzuar, jo media, por kontrolluesi që i ka vënë në dispozicion mediave të dhëna personale në kundërshtim me ligjin, dhe është vepruar me shpejtësi për të penguar këto të dhëna personale që mund të sjellin një dëm të pariparueshëm për subjektet, e në fakt ato janë fshirë nga databazet e mediave.
Albana Vokshi: Ato nuk janë fshirë se vazhdojnë të jenë në internet.
Flora Çabej: Ju duhet të bëni një ankesë pranë zyrës sonë.
Ditmir Bushati: Kolegia po thotë, a viheni në lëvizje vetë nëse ka një çështje që ka interes dhe që dalin në media për një çështje të caktuar. Mund të jetë rasti i koleges Vokshi. Pra, ka një ankim specifik nga subjekti që pretendon se i janë cenuar të dhënat apo privatësia?
Flora Çabej: Në të dyja rastet komisioneri vihet në lëvizje dhe kryesisht kur është specifik e kur janë të dhënat e qarta dhe shkohet tek kontrolluesi. E njëjta gjë ka qenë dhe për mediat e shkruara, kur ka dalë diçka që ka të bëjë me minorenë.
Mesila Doda: Në fakt, rasti i zonjës Vokshi është rast që ka lidhje me minorenët dhe është po aq rast që përbën ndjeshmëri publike.
Flora Çabej: Po nuk e kemi parë. Nuk e kemi vënë re. Nuk është se shikohen të tëra gazetat, po ta kishim parë do ishim investuar në këtë çështje.
Albana Vokshi: Po ndaj mediave në këtë rast, që marrin certifikatat dhe pavarësisht se e dinë që janë strikte personale dhe nuk duhet ti publikojnë? Sepse është abuzuar dhe po abuzohet në mënyrë të paparë nga media, duke shpërdoruar informacionet ndaj individëve.
Flora Çabej: Kemi parashikuar në ligjin e ri, në nenin 11, që në të gjitha raste kur dhunohen të dhënat personale, atëherë gazetari rrezikon deri në 5 milionë lekë të vjetër gjobë.
Deputeti i PD, Shehu: PS sulmon emailet e deputetëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, akuzoi dje deputetët e PS-së në Komisionin e Integrimit se po tentojnë të dhunojnë e-mail-et private, duke dërguar viruse. Shehu këtë ankesë e bëri dje para komisioneres për Mbrojtjen e të Dhënave, Flora Çabej dhe deklaroi se do të paraqesë një ankesë pranë këtij institucioni. Partia Socialiste sulmon të gjithë e-mail-et e deputetëve, duke dërguar protokollet e mbledhjeve që ne bëjmë. A është një rast ky që duhet të drejtohen te ju qytetarët? Unë i kam çuar në spam e-mail-et. Por, këta të PS-së sulmojnë të gjitha adresat e e-mail-eve. Do të jem unë i pari që do të bëj ankesë pranë zyrës suaj për këtë çështje, theksoi Shehu.
FATION BINJAKU