Uidhers: I shqetësuar për gërryerjen e demokracisë në Shqipëri

Ish-ambasadori amerikan në Tiranës, Xhon Uidhers
Ish-ambasadori, letër shqiptarëve.
Ish-ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, përmes Top Channel, u është drejtuar me një letër të gjithë shqiptarëve. Uidhers shprehet dakord me pesë pikat e deklaratës se Departamentit të Shtetit, por shton se ajo deklaratë nuk preku thelbin e shqetësimeve të tij, gërryerjen e demokracisë dhe keqqeverisjen. Unë nuk kam problem me asnjë prej çështjeve të ngritura në deklaratën e Departamentit. Në fakt, jam në një mendje me të pesta pikat. Megjithatë, deklarata nuk trajton pikën qendrore të shqetësimit tim, atë mbi të cilën edhe kam përqendruar fjalët e mia në të kaluarën: gërryerja e demokracisë në Shqipëri. E thënë thjesht, frika ime është që në pak duar po përqendrohet tepër pushtet; që, nën trysninë e paepur të qeverisë, institucionet e pavarura që janë kyçe për të ruajtur praktikat demokratike, sundimin e ligjit, madje edhe zgjedhjet e ndershme, janë dobësuar seriozisht; që lufta për të ruajtur pushtetin e ka eklipsuar qeverisjen si përparësi të qeverisë; dhe që, nëse vazhdojnë prirjet e tanishme, Shqipëria ka rrezik të bjerë në atë lloj sundimi të të fortit që ka qenë edhe tragjedia e rajonit të Ballkanit gjatë gjithë historisë së tij. Këto janë pikëpamjet e mia dhe më lejoni të ritheksoj, janë pikëpamjet e mia si një qytetar privat amerikan, shprehet në letrën e tij ish ambasadori Uidhers.
Kerkesa
A besoni se qeveria juaj është vërtet demokratike? A besoni se ajo vepron në interesin tuaj? A besoni se ju thotë të vërtetën? A besoni se gjykatat japin drejtësi për të gjithë? A besoni që qeveria i merr vendimet tregtare dhe ekonomike në mënyrë transparente? A besoni se po e lufton seriozisht korrupsionin dhe nepotizmin? A besoni se po miraton politika që do tju sjellin vende pune dhe do të krijojnë mundësi për fëmijët tuaj? A shihni nga e ardhmja me shpresë dhe optimizëm apo me pesimizëm dhe dëshpërim?