PS nuk merr pjesë në zgjedhjet e Nëntorit
Kryetari i i PS-së, Edi Rama, theksoi dje nevojën e hartimit të një ligji të posaçëm me qellim hetimin e zgjedhjeve
Rama: "Ende nuk kemi marrë një vendim për këtë, por besoj që logjika e gjërave na çon drejt një vendimi që s'ka vend për diskutim"
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lënë të hapur dje mundësinë për të mos u bërë pjesë e procesit të pjesshëm zgjedhor të 15 nëntorit. I pyetur në lidhje me këtë çështje, dje gjatë një interviste televizive, Rama u përgjigj se, "Ende nuk kemi marrë një vendim për këtë, por besoj që logjika e gjërave na çon drejt një vendimi që nuk ma ha mendja se ka shumë vend për diskutim".
Ndërkohë, hartimi i një ligji të posaçëm për të bërë të mundur zgjidhjen e ngërçit procedurial për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit përbën propozimin e fundit të socialistëve në kuadër të luftës së tyre politike për zbardhjen e së vërtetës, për atë që ka ndodhur në atë proces.
Kryetari i PS-së sqaroi dje hapësirën që ekziston për t'i dhënë rrugë plotësimit të kërkesave të PS-së për të bërë transparencën e asaj, që ai vijon ta konsiderojë si masakra elektorale.
Kështu, duke iu përgjigjur deklaratave të kundërshtarit të tij politik, se nuk ekzistojnë mundësitë ligjore për të hetuar mbi një çështje të mbyllur gjyqësore, siç është rasti i zgjedhjeve parlamentare që lamë pas, kryetari i Partisë Socialiste ka sjellë në vëmendje të opinionit publik, se Kuvendi ka të gjithë kompetencën e duhur për të rregulluar kuadrin ligjor, në mënyrë që të lejohej hetimi i zgjedhjeve edhe kur ai është certifikuar nga gjykatat.
"Ne i jemi drejtuar Parlamentit dhe ai është vendi ku bëhen ligjet dhe nuk ka asnjë ligj që e pengon Parlamentin të bëjë një ligj për hetimin e zgjedhjeve dhe për hapjen e kutive.
Ne nuk po kërkojmë ta kthejmë Parlamentin në një shkallë tjetër gjykimi dhe ne nuk presim dhe nuk synojmë që nga gjykimi i Parlamentit të ndryshojë automatikisht pushteti, por ne kërkojmë që Parlamenti të bëjë një ligj për të hapur kutitë, për të hetuar të gjithë mekanizmat që çuan në deformimin e 28 qershorit duke bërë kështu transparencën para popullit të të gjithë asaj që ka në kuti", - tha Rama gjatë kësaj interviste.
Duke mbetur tek e njëjta çështje, kryesocialisti i ka drejtuar edhe një mesazh kreut të shtetit Bamir Topi për t'u shprehur lidhur me faktet që kjo forcë politike i ka vënë në dispozicion përsa i përket përdorimit nga pushteti i të dënuarve gjatë fushatës dhe ditës së votimit.
"Presidentit Topi unë i kujtoj që ende nuk i ka dhënë përgjigje dhe nuk ka reaguar ndaj një letre të drejtuar në adresë të tij, ku është ngritur shqetësimi për kthimin e burgjeve në seksione të fushatës së Partisë Demokratike dhe për lirimin e një sërë njerëzish të rrezikshmërisë së lartë jashtë ligjit, për t'i bërë pjesë të kësaj fushate, duke kërcënuar familje, fise dhe grupe të opozitës veçanërisht në zonat rurale se do të përballeshin me pasoja nëse do të shkonin për votim.
Këtë presim ende sot nga Presidenti", - tha Rama. Ai ka konfirmuar edhe një herë faktin se PS-ja mbetet e vendosur për të mos lëshuar pe në pozicionin e saj për realizimin e kërkesave, me të cilat ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në Kuvend.