E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Topi, i vonuar për tryezën

Kritikon ish-presidenti, por kreu i shtetit e shpalli nismën muaj më parë
Ish-presidenti kritikon Presidentin. Rexhep Meidani, ish-kreu i shtetit shqiptar gjatë viteve 1997-2002, kritikoi ashpër dje numrin një të Republikës, duke i njohur si gabim mospërfshirjen deri tani për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në një prononcim të dhënë pas një aktiviteti ku u promovua libri “mbi qeverisjen”, ish-presidenti Rexhep Meidani, duke iu referuar Topit, ka deklaruar se “duhet të ishte pjesë e kësaj zgjidhjeje dhe, kohë më parë. Sidoqoftë, ai mund të japë kontribut relativisht pozitiv edhe në fazën aktuale, sepse në gjykimin tim është një ngërç që duhet të zgjidhet. është një ngërç që nuk i shërben Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë”. Kohët e fundit, ish-presidenti nuk ka qenë shumë aktiv në politikën e përditshme, megjithëse është anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste. Por duke iu referuar situatës aktuale, Meidani ka shprehur përkrahjen  për nisjen e një dialogu politik, apo më mirë një tryeze, e cila do të zgjidhte ngërçin aktual. “Vendi duhet të ishte pjesë e kësaj krize. Në gjykimin tim është një ngërç që nuk i shërben Shqipërisë dhe as partive politike”, theksoi ish-presidenti. Profesor Meidani, i cili ka qenë një nga drejtuesit e selisë rozë disa vjet më parë, ka këshilluar partinë e tij që duhet të mos e ekzagjeronte me strategjinë e bojkotit. Ndërkohë, ai nuk ka munguar të paralajmërojë liderin e opozitës që negociatat e mundshme politike, të mos i shfrytëzojë për shkëmbime drejtuesish institucionesh, siç mund të jetë posti i Presidentit apo edhe të organeve të tjera kushtetuese. Në lidhje me fjalët e hapura në opinionin publik për një marrëveshje për disa institucione kushtetuese si Presidenca, Shërbimi Informativ apo Prokurori i Përgjithshëm, zoti Meidani vuri theksin se “këto pazare nuk sjellin zgjidhjen reale të krizës politike”.
Topi
Kritikat e ish-presidentit nuk janë shoqëruar me ndonjë përgjigje nga Presidenca. Gjë normalisht e pritshme, por burime në Presidencë bëjnë të ditur se kreu i shtetit, Bamir Topi, ka bërë krejt të kundërtën e një indiference në lidhje me krizën politike. Që nga përfundimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, Presidenti i Republikës bëri thirrje për një përgjigje institucionale që të krijonte një stabilitet dhe mirëkuptim. Por me kalimin e kohës, kur situata politike u acarua së tepërmi nga protestat dhe përplasja e egër mes Ramës dhe Berishës, kreu i shtetit, i ka shfrytëzuar të gjitha daljet publike për të apeluar për normalizimin e situatës dhe paqen politike. Kur kjo nuk po arrihej, në disa intervista publike, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se “ishte gati në ndërmerrte një nismë për dialog mes mazhorancës dhe opozitës, nëse ekzistonte vullneti nga palët, si dhe nëse dy partitë do të dërgonin sinjale në Presidencë. Gjithashtu, Topi bëri të ditur se do të mbështeste fuqishëm edhe nismën e të dyja palëve për të kontaktuar direkt siç kanë bërë në të kaluarën. Por kjo nuk ndodhi, madje të dyja grupimet politike nuk kanë dhënë asnjë deklaratë që ta inkurajonin dialogun nga Presidenca. Madje nga selia blu kanë ardhur deklarata që nuk e preferonin ndërmarrjen e kreut të shtetit. Por gjithçka duket se ka ndryshuar pas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila i jep Presidentit të Republikës, rolin primar në zgjidhjen e krizës. Në pikën 6 të kësaj rezolute thuhet shprehimisht: “Asambleja shpreh gatishmërinë të ofrojë një mundësi për arritjen e një zgjidhjeje dhe të punojë në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e tjera ndërkombëtare, në kërkim të një zgjidhjeje politike të krizës. Asambleja mbështet të gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti i Shqipërisë, z. Topi, për të bërë së bashku partitë shqiptare. Në këtë drejtim, konsideron se një tryezë e rrumbullakët, ku të mblidhen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe rivendosjen e bazave të dialogut parlamentar”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›