E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votuan kandidatët për kryetar në Prizren e Lipjan

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prizrenit, Hanefi Muharremi, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Motrat Qiriazi”.

Ai me këtë rast u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së Prizrenit që t’iu drejtohen kutive të votimeve dhe të hedhin “kokrrën” për atë që mendojnë se është më i mirë për të drejtuar qeverisjen lokale në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

“Të gjithë qytetarët e Prizrenit, së pari ua uroj këtë ditë feste që masovikisht të dalin në zgjedhje dhe në raundin e tretë të zgjedhin kandidatin më të mirë, i cili në katër vjetët e ardhshme do ta udhëheqë këtë komunë. Kam shpresë dhe apeloj te qytetarët që megjithëse janë të lodhur edhe këtë herë të dalin të votojnë, për arsye se është shumë me rëndësi për shkak të demokracisë”, ka thënë Muharremi.

Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, pasi votoi në Prizren, deklaroi se do t'i pranojë rezultatet çfarëdo që të jenë ato.

“Mendoj se qytetarëve të Prizren u është bërë e padrejtë, hyrja për të tretën herë në votime. Edhe pse është treguar një kulturë, një disiplinë, është hedhur një votë e lirë, dhe demokratike në kutitë e votimeve, me gjithë atë sipas vendimit të KQZ-së u organizuan votimet për të tretën herë, dhe unë besoj se do të përfundojë në mënyrën më të mirë, më të drejtë, më demokratike dhe më të lirë”, tha Muja.

Ai pohoi se do t'i pranojë rezultatet çfarëdo që të jenë ato, por kritikoi LDK-në që sipas tij me mos disiplinën dhe panikun që e ka mbërthyer ka bërë që të votohet serish.

Ndërkohë edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Lipjanit, Shukri Buja e ka hedhur votën e tij.

Pasi ka votuar në fshatin Babush të Muhaxherëve, Buja ka thënë se qytetarët janë të lodhur me këtë votim të tretë, por ka theksuar se këtë herë do të rikonfirmojnë fitoren e atij që ka fituar gjithmonë.

“I falënderoj qytetarët e Lipjanit që i kemi stërngarkuar që përherë të tretë dalin në votime dhe si duket përgjigja ka filluar mirë e qytetarëve. Besoj se qytetarët me votën e tyre sot do të rikonfirmojnë fitoren atij që ka fituar gjithmonë”, ka thënë Buja.

I pyetur se a do të pranoj rezultatin, Buja tha se PDK-ja e ka pranuar rezultatin edhe dy herë të kaluara, edhe pse sipas tij PDK-së i janë bërë shumë të padrejta.

Kurse kandidati për kryetar të komunës së Lipjanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Imri Ahmeti gjatë votimit në fshatin Puturovc, ka shprehur besimin se procesi do të përmbyllet mirë dhe qytetarët me votën e tyre do të përcaktojnë udhëheqjen e komunës.

Pas votimit, Ahmeti ka thënë se pret që kësaj here procesi zgjedhor do të përmbyllet pa ndonjë defekt serioz, siç ka ndodhur në dy raundet e kaluara, ndërsa ka shfaqur besimin se kësaj here do të dalë fitues dhe do të qeverisë me komunën e Lipjanit.

“Mendoj se kësaj radhe procesi do duhet të përmbyllet mirë, pa ndonjë defekt serioz çfarë kemi pasur në raundin e dytë, sipas së cilës edhe janë përsëritur zgjedhjet. Edhe këtë rast shfrytëzoj të uroj të gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhje të japin votën e tyre për një udhëheqje të komunës”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve se a do të pranojë rezultatin e procesit zgjedhor, kandidati i LDK-së vetëm ka thënë se pas zgjedhjeve të sotme e sheh veten duke qeverisur me komunën e Lipjanit.

“Unë nuk kam se çka i pranoj sigurisht se do të jem kryetar i komunës, pyetni të tjerët se a do të pranojnë rezultatin”, ka thënë ai. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›