PDK dhe LDK akuzojnë njëra tjetrën
Zyrtarët e qendrës të dy taborëve politike, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të dielën kanë majtë konferenca në Prizren, ku kanë akuzuar partinë rivale për parregullsi të shënuara në procesin zgjedhor.
Në Prizren është duke u votuar për herë të tretë për zgjedhjen e kryetarit të komunës, ku po garojnë kandidati i PDK-së, Ramadan Muja dhe i LDK-së, Hanefi Muharremi.
Sipas zëdhënësit të PDK-së, Blerand Stavileci gjatë ditës së sotme është vërejt është bartja në mënyrë grupore e simpatizantëve të DLK-së nga Prishtina dhe Deçani.
“Një fenomen, i cili është përsëritur në mënyrë jo të hijshme, është ai i cili ka të bëjë me bartjen në mënyrë grupore, në mënyrë kolektive, në mënyrë masive të pjesëtarëve, të anëtarëve, të simpatizantëve dhe të militantëve të LDK-së nga qendrat e tjera. Por kësaj radhe me forcat tjera shtesë të subjekteve tjera opozitare, dhe kur e themi këtë e kemi parasysh në veçanti pjesëtarë dhe anëtarët nga Prishtina dhe nga Deçani, por po ashtu edhe nga qendrat tjera”, ka deklaruar Stavileci, siç transmeton Kosovapress.
Stavileci, gjithashtu ka bërë të ditur se kompanitë “Barileva tours” dhe “Vectori”, kanë bartur grupet e njerëzve, të cilët kanë krijuar tollovi në qendrat e votimit.
Për më tepër, ai ka theksuar se në qendrën 2005/x, Fitore Sadiku dhe Meridian Rrahmani janë evidentuar se kanë bartur bexha fals dhe të cilët kanë ushtruar presion indirekt në emër të sekretariatit të KQZ-së.
Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka pohuar se tani është mundësia që të përmirësohet ajo që ka ndodh më 13 dhjetor.
“Sipas raporteve që u dhanë këtu u pa një fillim i mbarë i procesit zgjedhor. Zaten është mundësia e vetme që sot të përmirësohet gjithçka që ka ndodhur më 13 dhjetorë. Sot është mundësia e parë ligjore që u ofrohet qytetarëve të Prizrenit që përmes votimit të lirë, sipas vullnetit të tyre ata të zgjedhin kryetarin e komunës, i cili është autoriteti më i larë politik dhe ekzekutiv në komunë”, ka thënë Haziri.
Haziri ka apeluar tek kundërshtarët politik që të mos lejon grupe të caktuara dhe zyrtarë të shtetit që të bëjnë presion tek votuesit.
Ndërkaq, zëdhënësi i shtabit zgjedhorë të LDK-së në Prizren, Aziz Hoda ka shprehur shqetësimin e tij se për prezencë të lartë të militantëve të PDK-së nëpër vendvotime, të cilët sipas tij po bëjnë presion te votuesit.
“Dihet në cilat vende bëjnë presion funksionarët dhe militantët e Partisë Demokratike, është fjala për Tususin, disa qendra të votimit në Vërri, por edhe në Has. Fatkeqësisht ka prezencë të madhe të funksionarëve të PDK-së, gjë që nuk ka ndodhur herëve tjera, mirëpo aty e dinë që është bastioni i LDK-së dhe janë koncentruar tash edhe në zonat ku nuk i kanë votat”, ka thënë Hoda.