E Shtunë, 31 Tetor 2026

I masakruari në Gërdec, si ushtarët e SHBA-së në Vietnam

Avokati i Bashkim Mukës, që paditi qeverinë, disponon vendime të gjykatave amerikane për dëmshpërblimet e ushtarëve gjatë luftës

I plagosuri gjatë shpërthimit të fabrikës së Gërdecit pretendon se duhet të dëmshpërblehet nga qeveria për dëmin që i është shkaktuar, si pasojë e humbjes së aftësisë për të punuar. Si krahasim, Bashkim Muka, i cili ka paditur qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ka depozituar në Gjykatën e Tiranës disa praktika ligjore të marra nga drejtësia e SHBA-ve, që ka dëmshpërblyer ushtarët amerikanë të paralizuar në luftën në Vietnam, gjatë gjithë jetës. Avokati i Mukës, Idajet Beqiri, do t’i paraqesë gjykatës vendime të gjykatave amerikane me të gjitha praktikat ligjore. Të gjithë ushtarëve që janë paralizuar, që kanë humbur aftësitë për të punuar, drejtësia amerikane u ka lidhur pension për vete dhe familjen e tyre. Pikërisht këtë kërkon edhe Bashkim Muka, i cili, gjatë shpërthimit të fabrikës, ka humbur njërin krah, si pasojë e rënies së një predhe në pronën e tij.
Të paditurit
58-vjeçari Bashkim Muka, babai i katër fëmijëve, ka paditur kompaninë “Albdemil”, përfaqësuar nga administratori Mihal Delijorgji, Këshillin e Ministrave, i përfaqësuar nga Kryeministri Sali Berisha, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes e përfaqësuar nga Arben Imami. Paditësi është banor i fshatit Gërdec dhe prej afro 25 vjetësh ka punuar në ish-ndërmarrjen e hekurudhave. Në vitin 1995, Bashkim Muka ka përfituar tokë bujqësore në sipërfaqen prej 8464 metra katrorësh dhe gjatë kësaj periudhe, deri ditën e ngjarjes tragjike të Gërdecit, e cila u shoqërua me viktima të shumta, me plagosje dhe dëmtime të tjera në shëndetin dhe në pasurinë e banorëve, Muka ka punuar si fermer në pronën e tij, duke realizuar të ardhura për familjen e tij me 6 anëtarë.
Dita e ngjarjes
Në datën 15 mars 2008, Bashkim Muka dhe bashkëshortja e tij ndodheshin duke mbjellë fasule në tokën bujqësore, pronë e tyre. Shpërthimi hodhi në pronën e tij një predhë të madhe, një pjesë e së cilës e goditi në krahun e djathtë, duke e plagosur rëndë. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm. 58-vjeçari ka kërkuar ndihmë pasi dhembjet ishin të rënda. Bashkëshortja i ka hequr këmishën dhe ia ka lidhur në krah, për t’i ndalur sa të mundej gjakun. Në këtë gjendje të rëndë, Muka, bashkëshortja e tij dhe banorë të tjerë që ndodheshin afër tyre, morën arratinë nëpër pyll, sepse gjendjen e krijuar e konsideruan si shpërthim të një lufte. Të gjithë banorët ulërinin dhe kërkonin ndihmë, por ndihma u ka ardhur pas afro 5 orësh, kur një helikopter ka shkuar në pyllin ku ndodhej i plagosur Muka dhe dhjetëra banorë të tjerë. Helikopteri i ka çuar në autostradën Vorë-Tiranë dhe më pas është transportuar me ambulancë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Duke parë se gjendja po përkeqësohej, ai është dërguar në mënyrë urgjente në Spitalin e Selanikut, ku ka qëndruar 15 ditë dhe në datën 1 prill 2008 ka dalë nga spitali. Nga Spitali i Selanikut Bashkim Muka ka dalë i pashëruar, sepse nga vizitat dhe grafitë që ka bërë janë konstatuar thyerje të shumta në disa vende të krahut. Po kështu, gjendja psikologjike e paditësit ka ardhur duke u përkeqësuar vazhdimisht dhe kjo shoqërohej me dhembje të jashtëzakonshme të kokës, me një stres të madh, të shoqëruar me qarje të vazhdueshme, me ankth deri në dridhje të forta të trupit, sikur të ishte me ethe të forta. Pas kthimit nga Selaniku, Muka ka shkuar në Slloveni, ku ka marrë mjekim. Ai ka mbetur invalid nga krahu, por mbi të gjitha nga shokimi psikologjik që ka pësuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›