Një histori dashurie dhe urrejtjeje (...por më shumë e dyta)Nga Skënder MinxhoziRegjistrimi i popullsisë, një sfidë e vjetër dhe e re e qeverive shqiptare pas rënies së komunizmit, është një nga ato aspekte të marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një histori dashurie dhe urrejtjeje (...por më shumë e dyta)Nga Skënder MinxhoziRegjistrimi i popullsisë, një sfidë e vjetër dhe e re e qeverive shqiptare pas rënies së komunizmit, është një nga ato aspekte të marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët, që e bën fare lëmsh edhe parashkuesin më të mprehtë të zhvillimeve shqiptare. E panjohura e madhe që qëndron varur pas një procesi të tillë që askush nga qeveritarët s’ka dashur ta marrë mbi vete, bën që fjala “census” të jetë deri më sot një tabu e paprekshme. Planet e qeverisë Berisha për ta tejkaluar këtë tabu, duke i hapur rrugë regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare, janë një hap që meriton një vëmendje të posaçme, për vetë zhvillimet e paparashikueshme që mund të fshehë brenda vetes një proces që formalisht është administrativ dhe burokratik. Avokatët e ndërmarrjes së një operacioni të tillë, thonë se ai vjen pas një kërkese të Bashkimit Europian dhe se përfundimet e tij nuk do të kenë ndonjë vlerë konkrete, përpos aspektit statistikor. Një njeri, sipas tyre, mund të vetëquhet grek apo maqedon, por nuk do të shpallet i tillë, për sa kohë që s’ka furnizuar dokumentacion të mjaftueshëm që është i tillë dhe jo shqiptar. Nga ana tjetër qëndrojnë nihilistët, ose ata që shohin tek ky proces një farë Kutie të Pandorës të hapur pa kujdes nga qeveria dhe prej nga do të dalin të këqia për sot dhe për nesër.
Duke i vënë në peshore të dyja qëndrimet, mund të thuhet se spektpicizmi i shëndetshëm i palës së dytë, duket më sigurues dhe afatgjatë sesa terminologjia europianiste me të cilën mundohen ta veshin regjistrimin e popullsisë mbrojtësit e tij, zyrtarë ose jozyrtarë qofshin.
Kohezioni ynë kombëtar ngrihet, veç të tjerash edhe mbi trajtimin e kujdesshëm të tabuve si kjo e ndarjes religjioze dhe etnike. Nëse fetë kanë pasur historikisht një rol bashkues dhe jo ndarës, kjo ka ardhur sepse ky element bazë i jetës shpirtërore nuk është përjetuar me pasionin dhe agresivitetin që ka bërë të vuajë Europën në të shkuarën e largët dhe botën e sotme në shumë pjesë të saj. Nga ana tjetër, ne jemi konsideruar jo pa të drejtë si një shoqëri monoetnike, për shkak të peshës së vogël numerike që kanë pasur (dhe kanë) etnitë e ndryshme që jetojnë në këtë vend. Specifika ose më mirë përjashtimi i vetëm nga këto rregulla të pashkruara, ka të bëjë me njërën ndër fetë dhe njërën ndër etnitë: përkatësisht fenë ortodokse dhe etninë greke.
Të regjistrosh fenë dhe etninë e një populli kërkohet të marrësh parasysh shumë faktorë politikë, socialë, ekonomikë e psikologjikë, mbi të cilët ai do të vendoset. Një popull i cili ende s’ka dalë nga tuneli i gjatë i një tranzicioni të lodhshëm, i cili është i thyeshëm dhe i zbuluar para fqinjëve, në shumë prej aspiratave dhe projekteve që lidhen me të ardhmen e tij, është në fakt një popull i stresuar dhe i kompleksuar. Për shembull, prej njëzet vjetësh shqiptarët janë detyruar të vendosin një marrëdhënie të vështirë e komplekse me fqinjin tonë jugor, ku kanë shkuar të emigrojnë në kushte mjaft shpesh anormale dhe diskriminuese. Ky pozicion, i cili rëndom i ka detyruar të ndërrojnë gjithçka kanë marrë me vete nga dheu amë, ditën që kanë vënë këmbën në tokën greke, nuk mund të mos ketë prodhuar deformime etimologjike, religjioze e të statusit personal, të cilat e kanë shfytyruar tashmë jo pak identikitin e shqiptarit të dikurshëm që zbriste në sheshin Omonia për një copë bukë. Nuk kemi të bëjmë këtu me një fiksion, por me jetën reale të qindra mijë njerëzve të cilët dikur quheshin Sokol, Merita dhe Shefqet, e që sot quhen Spiro, Marika apo Aleksandros. Të kërkosh të regjistrosh identitetin etnik dhe fetar të një komuniteti shqiptarësh që janë detyruar ndër vite që të mësohen (ose të bëjnë sikur) me një indentitet të imponuar, me një jetë paralele dhe me një fe të adoptuar, është jo vetëm e rrezikshme politikisht për shtetin shqiptar, por edhe pabesueshme në aspektin shkencor. Rezultati, është e tepërt ta themi, do të ishte pak i besueshëm.
Por pse duhet atëhere që shqiptarët të regjistrohen me çdo kusht?! Shumë e thjeshtë dhe shumë cinike është përgjigja. Duhet një shifër, ja arsyeja! Duhet një numër, sado i përafërt dhe i pabesueshëm, sado jozyrtar dhe informal, sado i fryrë ose i deformuar. Në njëzet vjet, me lëvizjet e mëdha demografike drejt shtetit grek, duket qartë se Athinës i qëndron shumë e ngushtë shifra e tre përqindëve të minoritarëve, e cila figuron në statistikat tona zyrtare. Ky regjistrim, sado i konsideruar si jozyrtar dhe informal nga qeveria jonë, do të furnizojë për palën greke shifrën magjike e cila do të na tundet para syve në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ku do të flitet për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. Një fjalor që e hasim qysh sot në rezolutat që dalin nga Këshilli i Europës apo organizma të tjera, ku presioni politik i Greqisë bën që ne të figurojmë si një vend që s’i respekton standartet demokratike në fushën e minoriteteve. Është e lehtë të imagjinohet se me çfarë fuqie do të rinovohet ky presion, në momentin që shifrat zyrtare të minoriteteve në vendin tonë do të pësonin një fryrje pas regjistrimit në fjalë. Dhe më e bukura është se e gjitha do të konsumohet nën justifikimin e palës shqiptare se “shifrat nuk janë formale”.
Duket si një fatalitet i pashkruar fakti që të gjitha këto hapa i “qëllojnë për pjesë” që t’i hedhë një kryeministri i cili gjerësisht (vetë)konsiderohet si “nacionalist”. Përkundër imazhit të Fatos Nanos dhe të majtëve të tjerë, të shikuar jo rrallë si mjaft të afërt me Athinën, qeveritë e djathta të pas vitit 2005 kanë hedhur disa hapa që socialistët dikur refuzuan t’i hedhin. Mjafton të kujtohet hapja e shkollave greke në Himarë dhe Korçë, çeshtja e varrezave të Kosinës, apo së fundi marrëveshja detare dhe regjistrimi i popullsisë. Fatalitet apo komoditet?! Edhe kjo është një gjë që ha diskutim. Natyrisht më të gjerë se ai i regjistrimit të çuditshëm të popullsisë.