MekKormak: Maqedonia në mënyrë të pavarur vendosi për padinë
Maqedonia siç duket vetë e ka marrë vendimin për të parashtruar padi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këtë mbrëmë e deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon MekKormak, në pyetjen e një gazetari grek nëse për këtë ka pasur komunikim ose koordinim me SHBA-të para se Qeveria e Maqedonisë të bëjë një hap të tillë. Siç transmetoi "Zëri i Amerikës", MekKormak njëherit mbështeti negociatat që për kontestin rreth emrit zhvillohen në kuadër të Kombeve të Bashkuara. "Edhe më tutje mbështesim procesin e bashkëpunimit për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme për problemin me emrin. I mbështesim përpjekjet e ambasadorit Nimic", tha MekKormak. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit hodhi poshtë spekulimet e gazetarëve se SHBA-të do të ishin kyçur në procesin gjyqësor me atë që do të jepnin pikëpamje të tyre për rastin. Paraprakisht, mediatori Metju Nimic lajmëroi se ka marrë garanci nga Qeveria e Maqedonisë se parashtrimi i padisë nuk do ta zvogëlojë angazhimin e saj për vazhdimin e procesit në kuadër të KB-ve për gjetjen e zgjidhjes, dhe se së shpejti do të emërojë negociator të ri.