Mario Baloteli, rrëfim apo shaka: Jam tifoz i Milanit, nuk e dinit
Mario Baloteli është shkëputur për një pasdite nga fushat e lojës. Ai u paraqit në institutin "Don Njoki" të Milanos, për t‘u takuar me 65 të rinj të gjymtuar të moshave nga 14 deri më 21 vjeç, të cilët ndjekin kurset e formimit profesional. Sulmuesi i Interit e ka nisur vizitën me fjalët "ju lutem mos më bëni pyetje", ndërsa në vazhdim zbuloi një identitet kuqezi… të panjohur më parë. "Si ndihem? Pak në siklet, por jo sepse ju jeni të ndryshëm nga unë. Një arsye e tillë do të ishte kulmi…", tha Baloteli, i cili ka qenë shpesh viktimë e koreve raciste në stadiume, për shkak të ngjyrës së lëkurës. Nuk munguan ngacmimet se katër golat e realizuar gjatë këtij sezoni nuk mjaftojnë, por kishte edhe nga ata që e pyesnin për skuadrën e zemrës: "Unë jam milanist, pse nuk e dije ti?". Ata që mbështesin Milanin brohoritën, ndërsa tifozët zikaltër, pas një çasti hezitimi reaguan: "Ja përse të godasin aq shumë kur je në fushën e lojës, e dinë që je me Milanin". Ndërkohë, takimi është mbyllur me fjalët e lojtarit: "Përse luaj tek Interi? Do jem aty vetëm këtë vit"