E Diel, 1 Nëntor 2026

Mekanizmi i ryshfetit në maternitetin “Koço Gliozheni”



Laureta Rryçi

Dosja ku të pandehur janë gjashtë mjekë dhe mami të maternitetit “Koço Gliozheni” është përçarë dje në Gjykatën e Tiranës. Katër prej të pandehurve i kërkuan gjykatës gjykim të shkurtuar duke pranuar aktet hetimore në gjendjen që janë, ndërsa dy prej tyre, mjeku Petrit Rexhepi dhe Nilke Perhati, kërkuan të vijojë procesi duke pretenduar pafajësinë e tyre. Përballë kësaj situate, gjykata pranoi kërkesën e të pandehurve dhe veçoi dosjen. Ndërkohë, për përfaqësuesin e Prokurorisë duket se asnjë nga kërkesat nuk kanë qenë shqetësim. Mësohet se në kërkesën për gjykim që ai ka dorëzuar, tashmë ka të provuar mekanizmin e ryshfetit në “Koço Gliozheni”. Pas kallëzimit të qytetarëve, oficerët gjyqësorë e kanë pasur të lehtë që nëpërmjet mjeteve hetimore të zbardhin të gjithë skemën si merren paratë në atë maternitet. Kostoja për një lindje natyrale apo për një lindje me operacion dhe pjesa që kërkonin duke nisur nga mjekët e deri te pastrueset që asistonin në atë lindje. Madje, me anë të përgjimeve janë zbuluar edhe detaje të natyrës ku bluzat e bardha kanë dhe inate me njëri- tjetrin për të përfituar secili sa më shumë para. Një skemë kjo që ndoshta nuk do të ishte bërë publike nëse qytetarët që janë gjetur përballë presionit të lekëve nuk i kanë pasur mundësitë ekonomike ditën që u janë kërkuar shumat e parave. Në këtë dosje të pandehur ishin Hyrie Reçi, Petrit Rexhepi, Dritan Xhangolli, Lefter Mano, Nilke Perhati dhe Renata Turhani. Rexhepi dhe Perhati do të gjykohen sipas një procesi të rregullt, ku përfshihen dëshmitarët, ekspertët e deri në deklarimet e vetë të pandehurve. Ndërsa për pjesën tjetër, përfaqësuesi i akuzës do të sjellë para gjykatës pretencën për secilin prej tyre. Më pas Gjykata do të kalojë në vendim përfundimtar për ta.
Denoncimi
Sipas Prokurorisë, rezultojnë disa denoncime ndaj këtyre të pandehurve për korrupsion. Si për ironi, të gjithë qytetarët që kanë denoncuar, kanë shkuar në polici pasi u është kërkuar shuma e parave më tepër se ata i kishin mundësitë financiare. Në kërkesën për gjykim Prokuroria tregon me detaje nga momenti i denoncimit, hetimi nga oficerët gjyqësorë e deri në kërkesën për masat e sigurisë për të akuzuarit. Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur më 20 shkurt kur ky institucion ka nisur hetimet në bazë të kallëzimeve në Policinë e Tiranës. Në të njëjtën datë, një qytetar me inicialet N. S. nga Tirana ka bërë kallëzim me faktin se bashkëshortja e tij ishte shtatzënë dhe ka shkuar për të lindur në maternitetin “Koço Gliozheni”. Aty ka takuar mjekun e turnit dhe ai, pas vizitës, i ka thënë se e shoqja kishte shumë komplikacione dhe se duhej ndërhyrë me operacion, në të kundërt fëmija rrezikonte të vdiste. Në këto kushte qytetari ka rënë dakord që të kryhet operacioni. Sipas Prokurorisë, gruaja shtatzënë është operuar nga mjeku Petrit Rexhepi. “Pasi ka mbaruar operacioni, infermierja Hyrije Reçi e ka takuar qytetarin dhe i ka thënë se për operacionin duhet t’i jepte doktorit 70 mijë lekë dhe gjithashtu i ka kërkuar para për veten e saj dhe personelin ndihmës. I gjendur në këto kushte, kur bashkëshortja e tij ishte e shtruar dhe meqenëse nuk kishte para me vete, qytetari është larguar i irrituar dhe ka vendosur të bëjë kallëzim penal”, - shkruhet në kërkesën për gjykim. Më tej prokurori ka shpjeguar se pas denoncimit është rënë dakord me qytetarin që të bashkëpunonte me oficerët gjyqësorë në mënyrë që të mblidheshin sa më shumë prova për të provuar kallëzimin e tij. Ky ka qenë denoncimi i parë. I njëjti kallëzim ka ardhur dhe disa muaj më vonë po në Policinë e Tiranës.
Ryshfeti
Një tjetër qytetar me inicialet N. Gj. ka pasur bashkëshorten e tij shtatzënë. Në prag të lindjes ai ka shkuar bashkë me të shoqen te “Koço Gliozheni” për kontroll. Të shoqen e ka marrë sërish infermierja Hyrie Reçi. “Pasi mbaroi vizitat, infermierja i ka kërkuar katër mijë lekë për vizitat dhe EKO-n, të cilat në të vërtetë parapaguhen nga institucioni. Ndërkaq i kishte premtuar qytetarit se do të kujdesej ajo për lindjen e së shoqes. Për këtë i kishte kërkuar një kafe të mirë. Për këtë rast janë lejuar sërish përgjime ambientale”, - thuhet në kërkesën për gjykim. Nga bisedat e regjistruara rezulton se fillimisht qytetari u ka paguar nga dy mijë lekë dy infermiereve, më pas dy doktorëve u ka dhënë nga 5 mijë lekë. Madje infermierja i ka shpjeguar se njërin pesë mijë lekësh mund ta linte te nusja e vet qytetari, pasi mjeku do të vinte për vizitë dhe i merrte atje paratë. Në atë moment qytetari i ka thënë se i mbaruan lekët dhe duhet të vinte një ditë tjetër nëse kishte ende për të paguar. Infermierja i ka kujtuar se të nesërmen e kishte pushim, por do të vinte apostafat për të parë vajzën e tij dhe në këtë mënyrë ata do të takoheshin sepse ajo i kishte kërkuar 10 mijë lekë për veten e saj si shpërblim për të gjithë kujdesin. Mirëpo kur qytetari është kthyer të nesërmen, ka filluar sërish pagesa nga infermieret e deri te çdo bluzë e bardhë që i dilte përpara duke i thënë se ishin kujdesur për të bijën.

boc
Të pandehurit

Hyre Reçi akuzohet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Petrit Rexhepi akuzohet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Lefter Mano akuzohet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Nilke Perhati akuzohet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Renata Turhani akuzohet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Dritan Xhangolli akuzohet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Pas ngjarjes, reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dënoi aktin e mjekëve të arrestuar pranë maternitetit “Koço Gliozheni” në akuzën e mitmarrjes. Ministria deklaroi se një fushatë e tillë do të vazhdojë deri në eliminimin e korrupsionit në shëndetësi. Kjo është një ndër reformat që Ministria synon të çojë deri në fund për shmangien e korrupsionit, duke u bërë apel të gjithë qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet korruptive me të cilat përballen në spitale. “Ministria e Shëndetësisë dënon aktin e mjekëve në maternitetin ‘Koço Gliozheni’, nën akuzën për korrupsion dhe gjendet në krah të të gjithë pacientëve që kanë kurajën qytetare për të denoncuar fenomene të korrupsionit në sistemin tonë shëndetësor”,- deklaroi zëdhënësja e MSH-së. Specialistë të shëndetësisë, si presidenti i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, Din Abazaj, theksoi se raste të tilla duhen dënuar edhe nga komuniteti i mjekëve, duke e trajtuar si një turp për organizimin e tij. Sipas Abazajt, një nga masat që merr Urdhri i Mjekut për mjekët që abuzojnë me detyrën është heqja e së drejtës së ushtrimit të profesionit. Ai e konsideron këtë akt si mungesë përgjegjshmërie ndaj punës së kryer nga ana e mjekëve. Kjo është edhe një nga arsyet që qytetarët nuk denoncojnë rastet e korrupsionit dhe për krijimin e një krizë besimi ndaj sistemit shëndetësor në tërësi.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›