E Diel, 1 Nëntor 2026

SKANDALI, gabime në numrat e identitetit të dokumenteve biometrike, sistemi në kaos

Shqyrtohen elementët e kartave të deputetit Ilir Beqja dhe gazetarit Baze

Faktori Plus

Numri i Identitetit, që është elementi reformues në kartat e identitetit të prodhuara së fundmi rrezikon që në mijëra shtetas shqiptarë të jetë llogaritur gabim, sipas formulës që ka miratuar qeveria shqiptare dhe kjo mund të na çojë në një kaos të vërtetë me dokumentet e reja të identifikimit. Emisioni “Faktor Plus” ka investiguar mënyrën sesi ndërtohet një numër identiteti, që gjendet në letërnjoftimin elektronik dhe e ka krahasuar atë me shembuj konkretë. Përfundimi rezulton tronditës. Shumë qytetarë e kanë të llogaritur gabim numrin e identitetit. Nëse kjo do të ishte për të gjithë, do të qe më mirë, pasi do të bëhej fjalë për një gabim sistematik, që mund të çonte më lehtë në ndryshimin e ligjit. Kjo që ka ndodhur mund të hedhë në erë të gjithë sigurinë e kartave të identitetit.

Gabimi
Për ta kuptuar më mirë këtë situatë, Faktor Plus ka marrë dy karta identiteti; atë të drejtuesit të emisionit, Mero Baze, dhe kartën e identitetit të deputetit të opozitës Ilir Beqja, një njohës shumë i mirë i problemit. Rezultati është tronditës. Mero Baze e ka të llogaritur numrin e identitetit në rregull, ndërsa Ilir Beqja gabim. Faktor Plus përpiqet të demonstrojë këtë. Le të fillojmë me kartën e identitetit të shtetasit Ilir Beqja.
Në Regjistrin Elektronik Kombëtar të shtetasve, Ilir Beqja, i gjinisë mashkullore dhe i datëlindjes 18.02.1968 njihet si G80218157A. Ky është pra numri i tij i identitetit. Ky numër shërben që Ilir Beqja të identifikohet në Regjistrin Kombëtar të Shtetasve, pra të dallohet midis të tjerëve, por edhe të autentifikohet, me fjalë të tjera, asnjë person tjetër nuk mund të mbajë të njëjtin numër me shtetasin Ilir Beqja. Numri i identifikimit të shqiptarëve ka 10 elementë dhe, ashtu si edhe të ngjashmit në vende të tjera, elementin e fundit, e ka element kontrolli. Elementi i kontrollit shërben që gjatë regjistrimit të numrit në sisteme të ndryshme informatike, të mos ndodhin gabime nga leximi apo shkrimi. Kur ndodh ndonjë gabim i tillë, algoritmi i kontrollit, sinjalizon, që numri i regjistruar nuk është i saktë. Kjo në kuptimin që gjatë leximit nga mbajtësi, dëgjimit nga punonjësi apo shkrimi gabim po nga punonjësi, duhet të ketë ndodhur ndonjë anomali. Korrigjimi i gabimit siguron që në çdo sistem të ardhshëm, NID, apo numri i identifikimit, të jetë regjistruar saktë. Numri i identitetit të shtetasve formohet nga informacioni që vjen nga ditëlindja dhe gjinia. Këto dy të dhëna formojnë 6 elementët e parë. Elementët 7 deri në 9, janë një sekuencë 3 – shifrore, që përcaktohet sipas radhës, që regjistrohen në sistem; persona të lindur në të njëjtën ditë. Elementi i 10-të, është element kontrolli i llogaritur, sipas një algoritmi me modul 23. Në vijim të këtij shënimi, do të shtjellojmë më tej këtë algoritëm.

Rasti i parë
Mënyra e plotë dhe e saktë, që përcakton, sesi gjenerohet një numër identiteti është e përcaktuar në aneksin e Vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr 827, datë 11 dhjetor 2003. Le të përpiqemi të rigjenerojmë numrin e identitetit të shtetasit Ilir Beqja, duke ndihmuar kështu çdo personi, që kërkon të përsërisë të njëjtin ushtrim për numrin e tij personal. Ditëlindja në formatin (dd.mm.vvvv) është 18.02.1968. Dy shifrat e fundit të vitit të lindjes, pra 68, bëhen G8 sipas tabelës 1 dhe formojnë elementin e parë e të dytë.
Muaji i lindjes është 02 dhe kështu formohen elementi i tretë dhe i katërt. Por nëse gjinia e shtetasit Ilir Beqja, do të ishte femërore, muajit të lindjes, duhet t’i shtohet 50, thënë ndryshe, nëse do të ishte femër, elementi i tretë dhe i katërt, do të ishin 52 (50 + 02).
Data e lindjes është 18 dhe kështu formohen elementi i pestë dhe i gjashtë. Pra, 6 elementët e parë të numrit te shtetasit Ilir Beqja, janë G 8 0 2 1 8. Elementët 7 – 9, janë 157 dhe ky numër, duhet të jetë gjeneruar në momentin e regjistrimit të të dhënave vetjake, në Drejtorinë e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Kështu 9 elementët e para të NID-it të zotit Beqja janë G 8 0 2 1 8 1 5 7. Karakteri i kontrollit me modul 23, llogaritet si më poshtë: Elementi i parë konvertohet me numrin e pozicionit të shkronjës, sipas tabelës 2 (kjo tabelë nuk është gjë tjetër veçse radha e shkronjave A – Ë në alfabetin anglez): Numrat e elementëve 2 deri në 9 shumëzohen me numrin, që tregon pozicionin e elementit. Kështu, numri aktual në elementin 2, shumëzohet me 2, numri aktual në elementin 3 shumëzohet me 3, numri aktual në elementin 4 shumëzohet me 4, etj. Rezultatet e nxjerra nga veprimet e parashikuara në pikën 1 dhe 2 mblidhen. Shuma e 9 numrave të rreshtit të fundit të tabelës së mësipërme është 194. Ky numër pjesëtohet me numrin 23, prandaj edhe algoritmi i kontrollit quhet modul 23. 23 është numër prim; thënë ndryshe, numër që plotpjesëtohet vetëm me veten e tij. Pas pjesëtimit, merret mbetja, e cila lëviz në intervalin 0 – 22. Kushdo e ka të lehtë të llogarisë, që rezultati i 194 : 23 është herësi 8 dhe mbetja 10. Pikërisht, mbetja 10 konvertohet në germë, sipas tabelës, që përdorëm më lart, për të konvertuar edhe shkronjën G në numër 7. Pra, mbetja 10 konvertohet J. Sipas përcaktimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 827, numri i identitetit i shtetasit, Ilir Beqja, duhet të jetë G80218157J. Në fakt, numri që ai disponon është G80218157A. Shihet qartë, që elementi i kontrollit, është llogaritur gabim.

Rast tjetër
Le të marrim numrin e identitetit të shtetasit Mero Baze, drejtues i emisionit Faktori Plus. Për të mos përsëritur të gjithë veprimet e kryera me kartën e Ilir Beqjes, numri i identitetit të Mero Bazes, sipas llogaritjes del G60507117U. Në fakt, ky është edhe numri i tij real.
Saktësia e numrit në kartën e shtetasit Mero Baze dhe pasaktësia e numrit në kartën e shtetasit Ilir Beqja hap një problem të madh, pasi ky nuk është një gabim sistematik, por një gabim i rastësishëm, që përsëritet pa kurrfarë rregulli, në qindra-mijëra karta. Ky gabim mund të ketë ardhur nga kopjimi i kodit fiskal, leximi gabim i tij, apo dëgjimi gabim. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duhet të japë një shpjegim zyrtar për këtë çështje, e cila mund të hedhë në erë gjithë sigurinë e Kartave të Identitetit, me të cilën, shpresojmë të fitojmë liberalizimin e vizave në korrik. Faktor Plus është i gatshëm t’i vërë në dispozicion të dyja kartat e marra si shembull, përfshi edhe formulën, me anë të së cilës, llogaritet numri i identitetit. Problemi është që ai të japë një përgjigje për atë që ndodh me numrat e identitetit të shqiptarëve.

Pasojat
Ky skandal shkel legjislacionin në fuqi dhe shkatërron gjithë sigurinë e Kartave të identitetit, pasi ky numër është edhe në pasaportat biometrike. Ndërkohë, ministri për Reformën Institucionale, Genc Pollo duhet të bëjë kujdes, që ky gabim të korrigjohet, duke rikthyer kartat e llogaritura gabim dhe duke marrë shteti përsipër koston e tyre. Hartuesit e sistemeve të ndryshme të informacionit, do të bazohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 827 dhe nuk është faji i këtyre profesionistëve kur t’u thonë qytetareve që kartat e tyre janë gabim. Kjo mund të ketë pasoja të rënda për qytetarët, pasi mund t’i bllokojë marrëdhëniet e tyre me institucionet.
Për fat të keq, numri i identitetit nuk po fillon të përdoret në jetën e përditshme.
Numri i identitetit deri tani u është dhënë vetëm shtetasve që janë pajisur me kartë, pra kujtdo që ka mbushur moshën 16 vjeç, e për pasojë, të sapolindurit në Shqipërinë e vitit 2010, ende nuk janë qytetarë modernë. Nuk marrin ende barnat falas deri në 12 muajt e parë të jetës, duke u identifikuar me NID e tyre, nuk regjistrohen ende në amzën e shkollës me NID e tyre, etj. Por, e keqja më e madhe është se dhe ata që e kanë, disa e disponojnë në rregull dhe të tjerë gabim. Qeveria shqiptare duhet të japë një përgjigje urgjente për këtë skandal dhe duhet të bëje publike të gjithë kartat e identitetit, që janë gabim, duke marrë përsipër koston e ribërjes së tyre dhe pasaportave biometrike, që janë prodhuar me atë numër gabim. Shqipëria ne moshën dixhitale është një ëndërr e bukur, por teknika dixhitale, është e vështirë, kur nuk merret seriozisht, pasi nxjerr në dritë të diellit, paaftësinë dhe skandalet e një pushteti.

Avokati kërkon përjashtimin e trupit gjykues

Krimet e Rënda refuzojnë kërkesën e Aldo Bares

Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi dje kërkesën e Aldo Bares për të përfituar gjykim të shkurtuar. Kryesuesja e kolegjit penal, gjyqtarja Fatmira Hajdari, shpjegoi se i pandehuri nuk mund të përfitonte nga kjo klauzolë për shkak se do të ishte e vështirë të provoheshin më pas akuzat ndaj tij. Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit të Bares, Vladimir Meçe. Ky i fundit deklaroi në sallën e gjyqit se kolegji penal ka paragjykuar këtë dosje dhe për këtë ai do të kërkonte përjashtimin e këtij trupi gjykues. Gjyqtarja Hajdari i sugjeroi avokatit që një kërkesë të tillë duhet ta bënte në sekretarinë e Gjykatës për Krimet e Rënda. Avokati i ka siguruar se do ta bëjë kërkesën zyrtare. Për procedurë, kjo kërkesë do të shqyrtohet nga kryetari i kësaj gjykate, Dritan Hallunaj. Gjatë seancës së kaluar, avokati Meçe i kërkoi trupit gjykues që të lehtësonte pozicionin e klientit të tij duke pranuar kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar. Me këtë kërkesë, Aldo Bare nuk pranonte fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi të, por pranonte aktet e prokurorisë në gjendjen që janë. Nëse kërkesa e tij do të pranohej, atëherë Bare do të përfitonte njëlloj si miku i tij Enver Dondollaku, gjykim të shkurtuar dhe maksimumi si masë e dënimit për të do të ishte 25 vite burg. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit të çështjes, duke i kujtuar kolegjit penal se i pandehuri kishte disa seanca që këmbëngulte mbi pavlefshmërinë e akteve. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye është e pakuptimtë kjo kërkesë nga ana e tij në këtë moment gjyqësor. Kreu i bandës së Lushnjës akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›