"Mëkatet" e gjyqtarëve

Thuhet se shpata e drejtësisë nuk ka këllëf. Në Shqipëri shpatën e drejtësisë ose në sistemin tonë të gjyqësisë e mbajnë disa kukuvriqë. Këtë nuk e them unë, këtë e thotë vetë KLD-ja. Gjithë kjo, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar inspektimin e beftë nëpër gjykatat e Shqipërisë, duke gjetur me dhjetëra shkelje, e që tani po përgatitet për një raport përfundimtar të detajuar ku do të merren disa masa disiplinore, edhe ekstreme. Të presim pa durim. Këtu është lajmi i rëndësishëm që mbulon edhe zukatjet e fushatës zgjedhore. E mbulon për një fakt të thjeshtë, se kur drejtësia është në udhë të mbarë i bën nder një kombi, por kur ajo është e “pushtuar” nga mëkatet njëpasnjëshme është e kjartë që i vendos fatin e zi një populli. T’i vendosim disa pika mbi i.
1. Duke pasur pak kohë për të reflektuar e nisim nga kronika e një dite në gjykatë. Ku mësojmë se këto inspektime u vendosën në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët, në bazë të ankesave të shumta që janë depozituar në KLD dhe që ngrenë si shqetësim çështje të tilla. Dhe dihet që ankesat janë po të njëjta: procesverbale të seancave së falsifikuara, gjyqe që kanë dhënë vendime duke mos qenë kuorumi i duhur i tre gjyqtarëve sepse njëri kishte shkuar me pushime të parakohshme, e ku më pas vinte e çertifikonte vendimin e të tjerëve pa pikë turpi, transparenca e munguar në administratë etj. Lërë pastaj kur ka inspektime tematike, hasja flagrante përgjatë zhvillimeve të seancave gjyqësore ku nuk respektohet solemniteti gjyqësor, as reflektimi i etikës gjyqësore, jo që jo zhvillimi i gjykimeve në orar ose disiplina në punë.
2. Ashtu në pamje të parë ky inkursion i inspektorëve të drejtësisë mund të duket se Shqipëri ka një ofensivë kapilare të KLD-së për një terapi shëruese këtij trupi gjyqësor të diagnostikuar nga çdo raport ndërkombëtar. Nuk është kështu edhe pse të gjithë e njohin këtë sëmundje që ka kapur pa mëndje sistemin gjyqësor.
3. Shumë e shikojnë sesi kjo këmbë e gangrenizuar e demokracisë shqiptare çdo ditë e më shumë po shkon drejt amputimit moral nga papërgjegjshmëria akute, nga joprofesionalizmi i theksuar. Joprofesionalizmi i administratës gjyqësore po shënon një rekord zhvlerësimi dhe një shfuqizim besimi te ndër qytetarë. Kur qytetari nuk të jep besën diçka s’funksionon. Sepse sa here ka inspektime, sa herë hapet dera e gjykatave të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Elbasanit ngrihet ai pluhuri i dosjeve të përhershme. Edhe kur nuk flihet mbi dosje hallkat e tjera ku kalon dosja e shkretë i bie të fikët. Po përse i bie të fikët? I bie sepse kur hapen portat e gjykatave e hyn politika për hesap të vet, drejtësia del nga dritarja.
4. Kronologjia e sistemit të drejtësisë shqiptare është konturuar në disa etapa. E nisëm nga zeroja. Sepse gjatë regjimi komunist drejtësia ishte zëvendësuar me vullnetin e partisë-shtet. Më pas kur rilindi nga hiri më 1992-shin nuk lind si një feniks, por si një zog pule me prindër melez. Nuk zgjati shumë e i vumë flakën përsëri duke e djegur më 1997-n. Pas 1997-s, e mekur nga bijtë jakobinë të Aranit Çelës. E shpërfytyruar në 2000-shin dhe letargjia do t’i përfundonte vetëm në korrik të 2005-s. Afërmendsh kur hapi sytë në 2005-n, larja me ujë të ftohtë sikur e zgjoi pak (arrestimi i bandave të njohura në Shqipëri, pushtetarë të korruptuar nën hekura, klima e besimit përpara Gërdecit), por glepa që kishte mbetur si relikte në sistem frenojnë reformën funksionale në drejtësi.
5. Mirëpo, ç’është më e keqja, disa sklepa mund të përfitojnë nga vakuumi i sjellë me qëllim në krye të gjykatës së Tiranës. Në skutat e kryeqytetit kohët e fundit, për shembull, po flitet për një hyrje nga dritarja të një pinjolli (Artan Zeneli) të Komitetit Qendror në krye të këtij institucioni. Lajmi që po përshkon redaksitë e Tiranës është ky (tani Z.), është i biri i një konfidenti të ish-presidentit komunist Ramiz Alia që është caktuar si kandidati i mundshëm, fakt që po na sjell një pështirosje në grykë. Sepse është një rrezik për ekuilibrat e një demokracie. Dua të them se “komunistët” ose bijtë e tyre e njohin shumë mirë këtë iter për të arritur majat e pushtetit. Të kuptohemi, ky nuk është një rrezik aspak surreal siç mund të mendojë ndokush, por është vënia në akt i doktrinës së Antonio Gramshi-t, për rimarrjen e “qendrave të pushtetit” me mekanizmin e ngjitjes së brendshme. Sepse duke pasur një legjitimitet demokratik nuk mund të atakohet edhe kur bën veprime antidemokratike.
6. Nuk është rreziku i vënies së rendit komunist në Shqipëri, aspak, por është rreziku që ajo kulturë dhunë politike, mediatike, juridike, dhe kulturore të ri-mbijë edhe një herë tjetër në truallin e shqiptarve. Media është tashmë është e infektuar nga ai sistem vlerash totalitarist bruto. Metastaza është zhvendosur tashmë drejt këmbës së drejtësisë. Drejtësia po shënjestrohet për herë të dytë mbas dekorimit “pa-dashje” të prokurorit komunist Skënder Breca, i cili shkatërronte jetë e familje me lehtësinë e ftohtësinë e një jakobini gjakatar. Tani me dashje ose pa dashje KLD-ja duhet të bëjë kujdesin më të madh në vlerësimin e kandidatëve duke marrë informacion edhe nga Shërbimet, sepse është një detyrim kushtetues që individë gjenetikisht të modifikuar nga diktatura të mos bëhen pjesë e sistemit gjyqësor. Do të ishte e pafalshme për demokracinë e re shqiptare.
...