E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Plani im për Tiranën dhe Shqipërinë pas zgjedhjeve”

Autori i Lajmit: red.
Fitorja e koalicionit të majtë “Bashkimi për Ndryshim” do të ndryshojë tërësisht pamjen e kryeqytetit, por dhe të gjithë Shqipërisë. Ky premtim është dhënë dje nga Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në një intervistë për Neës 24, kreu i selisë rozë ka shpjeguar planin urbanistik të kryeqytetit. Sipas tij, plani urbanistik i bërë publik që në vjeshtën e kaluar synon shndërrimin e Tiranës në një metropol të vërtetë, si Vjena, Parisi apo Roma. Sipas tij, çelësi i këtij suksesi do të jetë bashkërendimi i politikave të pushtetit lokal me atë qendror. Kryebashkiaku synon shtimin e gjelbërimit në kryeqytet, një stacion të ri treni, ngritjen e qendrës së trafikut, një projekt për të cilin janë siguruar dhe financimet.
Projekti
Kreu i selisë rozë ka shpjeguar edhe një herë se kandidimi i tij për kryeministër të vendit nuk është shkelje e besimit të qytetarëve të Tiranës, por një mundësi më shumë për të qeverisur më mirë kryeqytetin, por dhe gjithë vendin. Sipas Ramës, në eksperiencën e gjatë të drejtimit të Bashkisë së Tiranës ka kuptuar se shumë probleme lokale e kanë zanafillën më gjerë, në probleme kombëtare, prandaj është i nevojshëm akordimi i duhur mes pushtetit lokal dhe atij qendror. “Duhet të kapen të gjitha hallkat me radhë dhe të krijohen mekanizma të harmonizuar me njëri-tjetrin. Ne sot kemi një qeveri si një makineri rrangallë, e cila është munduar të riparohet me pjesë, por është ende ajo makineri e trashëguar nga e kaluara dhe që nuk mund të sigurojë as ujë për qytetarët e vet”, - tha ai. Modeli i kryeqytetit pas 28 Qershorit, sipas Ramës, është si ai i Romës apo Parisit të cilat janë qytete metropolitane që përfshijnë në vetvete bashki e komuna, dhe u japin qytetarëve shërbimet që kërkojnë. Dhe gjithë ky kohezion mes komunave dhe kryeqytetit, sipas Ramës, qëndron në krijimin e një raporti të drejtë mes pushtetit lokal dhe atij qendror. “Pushteti qendror aktual për arsye të mosarsyes , që kanë të bëjnë vetëm me interesat e ditës, e ka kthyer Shqipërinë në një territor ku politika ka bërë si ka dashur, por asnjëherë nuk ka bërë atë që kanë dashur qytetarët. Ata kanë krijuar feude dhe për të dominuar territore duke nxitur dëshpërimin dhe raportin e gabuar mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre, pasi komuna dhe bashkia ka pasur një ngjyrë tjetër politike. Duke marrë një mandat më 28 qershor dhe duke pasur një qeveri që i vihet në dispozicion vizionit që unë kam për këtë zonë metropolitane dhe për transformimin e Tiranës dhe gjithë qarkut, ne do të mund të krijojmë, sipas planit të ri urbanistik të Tiranës, që shtrihet përtej Tiranës”, - tha ai duke hedhur poshtë dhe akuzat e demokratëve për mungesën e një plani urbanistik. Ky plan që, sipas Ramës, është bërë i njohur që vjeshtën e kaluar, synon rritjen e zonës së gjelbër në kryeqytet, me një park të ri në Farkë, në Paskuqan dhe një park tek Stacioni i Trenit. “Tirana ka nevojë për një stacion të ri treni, dhe ne do ta bëjmë këtë. Transporti në përgjithësi do të ndryshojë, ne do të garantojmë një transport të sigurt dhe do të ngremë qendrën e kontrollit të trafikut dhe ajo do të jetë sipas të gjitha standardeve të metropoleve evropiane. Kemi financimin dhe projektin për qendrën e trafikut, dhe do të bëjmë të mundur kontrollin e të gjitha shkeljeve dhe monitorimin e të gjitha flukseve të trafikut”, - pohoi ai. Kreu i selisë rozë akuzoi qeverinë për vonesat në ndërtimin e unazës së vogël duke pohuar se ajo mbeti pas me shpronësimet për ta mbajtur peng Bashkinë në funksion të kësaj gare elektorale. “Në katër vitet e ardhshme do të bëj për Tiranën më shumë sesa është bërë në 8 vite të tëra së bashku, dhe kjo jo duke shpenzuar më shumë, por vetëm duke mirëkordinuar punën mes qeverisë lokale dhe asaj qendrore. Do të bëjmë ashtu si duhet procesin e legalizimit, shpejt dhe qartë, ata qytetarë do të jenë posedues të një titulli pronësie që do të jetë i mundshëm për t u paraqitur në një bankë dhe për t u kredituar”, - premtoi ai. Kreu i selisë rozë theksoi se vota e 28 Qershorit është po aq e rëndësishme sa vota e 22 Marsit 92, kur duhej mbyllur një epokë. Lidhur me bazën e qeverisjes, Rama shpjegoi se ky nuk do të jetë vetëm grupi parlamentar i pas 28 Qershorit, po dhe tjerë ndërkohë që theksoi edhe një herë bindjen për marrjen e më shumë se 71 deputetëve.

Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›